Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

A mund të jetë pozitive ekonomia informale?

Tregu i zi është një fenomen kompleks dhe shumëdimensional i njohur dhe i diskutuar nën shumë emra si: tregu informal, jozyrtar, i parregullt, paralel, i dytë, i nëndheshëm, nëntokësor, i fshehur, i padukshëm, i pamatur apo ekonomi hije.

Tipari i tij kryesor është një set aktivitetesh që shmangin standardet rregulatore dhe administrative të ekonomisë formale apo zyrtare, të cilat nuk i raportohen qeverisë, janë të paregjistruara nga sistemi llogaritar kombëtar i të ardhurave, shmangim sistemin e taksave dhe në disa raste përfshijnë drejtpërdrejt produkte dhe shërbime kriminale.

Ekonomia e tregut të zi nga përkufizimi ka një mungesë të ndërhyrjes qeveritare.

Liberalët e interpretojnë praninë e tregut të zi në dy mënyra gjithëpërfshirëse. Së pari, ata e shohin këtë sektor si një rezultat natyral i faktit se, “tregu mishëron totalin e të gjitha dëshirave njerëzore”, pavarësisht se si qeveria ose publiku në përgjithësi i gjykon disa prej atyre dëshirave. Kështu që, tregu i zi ekziston për mallra dhe shërbime të caktuara që kanë një kërkesë të fuqishme pavarësisht faktit se qeveritë i ndalojnë plotësisht (për shembull droga, pornografia dhe prostitucioni).

Së dyti, liberalët i shohin tregjet e tilla si një tregues të politikave qeveritare të jo të shëndetshme që i detyrojnë qytetarët që t’i zhvillojnë në të zezë aktivitetet e tyre. Në mes të atyre politikave janë kontrolli qeveritar mbi çmimet, skemat e racionimit, taksimi diskriminues, përpjekjet e qeverisë për të monopolizuar produktet dhe normat ekstreme të taksimit në paga, rroga dhe fitimeve të biznesit të vogël. Për më tepër, tregjet e zeza gjithashtu lindin për shkak të shërbimeve të përkohshme dhe kapitalit të ulët, ku pikasja dhe sanksionimi nga qeveria ka pak gjasa që të ndodhë (asistent i pavarur, shërbëtore shtëpiak, punëtorë ditorë, etj.).

Si perceptimi i përgjithshëm ashtu edhe kërkimet shkencore e radhisin ekonominë hije dhe efektet e saj në ekonominë zyrtare kryesisht në anën negative që kërkon për marrjen e masave parandaluese. Por liberalët kanë prirjen që të shikojnë anën pozitive të ekonomisë së tregut të zi. Ekonomia e tregut të zi është një përgjigje spontane ndaj kërkesës për mallra dhe shërbime, është një rezervuar i shpirtit inovativ dhe talentit ndërmarrës.

Për më tepër, rrit konkurrencën dhe eficiencën e ekonomisë, sfidon autoritetin dhe kufijtë e aktiviteteve qeveritare, kontribuon në krijimin e tregjeve, garanton burimet financiare për më të varfëritë e më të varfërve dhe vendos ndryshime me përfitim për institucionet ligjore, sociale dhe ekonomike.

Zgjedhja mes qëndrimit ndaj këtij fenomeni si një problem që duhet zgjidhur (me kontrolle më të rregullta dhe intensive, gjoba më të larta dhe dënime me burg) dhe qasjes pozitive (rregullim i reduktuar, reduktim i pengesës së taksave, dekriminalizimi i aktiviteteve të caktuara), nganjëherë është një vendim politik i vështirë. Megjithatë, nuk është habi që liberalët vazhdimisht favorizojnë të dytën.