Search

Ndërtimet pa leje, shkaktare për vërshimet në Prishtinë

Gent Begolli, drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës ka thënë se pas reshjeve të shiut ka pasur vërshime në disa pjesë të qytetit. Këto probleme sipas tij, vinë pasi Prishtina ballafaqohet me një numër të madh të ndërtimeve pa leje.

“Ka pasur vërshime në pjesë të ndryshme të Prishtinës. Nuk duhet harruar faktin se janë mbi 46 mijë ndërtime pa leje dhe Prishtina është zhvilluar përmbi, kurse infrastruktura nëntokësore nuk është zhvilluar ashtu siç duhet, prandaj janë shkaktuar probleme ne disa pjesë”, ka thënë ai për Indeksonline.

Begolli ka thënë se ka pasur intervenime edhe në Bibliotekën Kombëtare, por edhe në shtëpi private të cilat kanë pasur nevojë për ndihmë.

“Kemi disa intervenime që i kemi bërë në Bibliotekën Kombëtare se bashkë me Ujësjellës, kemi hy edhe në shtëpi private ku ka pasur probleme, i kemi lokalizuar rreziqet që kanë ndodhë dhe tani kemi gjendje stabile”, është shprehur ai.

Begolli ka thënë se Komuna e Prishtinës ka bashkëpunuar me të gjitha kapacitetet e saj që ta kthejë qytetin në gjendje stabile.

“Komuna e Prishtinës sot ka qenë shumë vigjilente dhe ka punuar me të gjitha kapacitetet e saj, me Inspekcion, me Drejtori të Shërbimeve Publike, me kompani të kontraktuara, Zjarrfikës, Ujësjellës dhe e kemi sjellë gjendjen stabile në komunën e Prishtinës”, ka shtuar ai për Indeksonline.

Begolli ka thënë se lagjet ku pati më shumë vërshime ishin “24 Maji”, “Qëndresa”, lagja te Stacioni i Autobusëve, e pjesë tjera të qytetit.

Ndërkohë, Indeksonline ka raportuar se vërshime ka pasur edhe në lagjen “Rruga B”, “Kodra e Trimave”, ne sheshet e Prishtinës, si dhe në lagjen “Dardania”.