Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

Ndikimi i vendimit të Donald Trump mbi ekonominë amerikane, bursën dhe nxitjen e luftës tregtare

Shpeshherë kemi qenë dëshmitarë të një vendimmarrje kontroverse nga ana e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, të cilat jo vetëm që kishin ndikim mbi ekonominë amerikane, por edhe atë botërore. Edhe vendimi i tij për tarifat e reja doganore mbi ngritjen e çmimit të produkteve të importuara, përkatësisht çelikut me 25 për qind dhe aluminit me 10 për qind, kanë shkaktuar luhatje të lartë në tregjet financiare, përkatësisht në bursë dhe në ekonominë botërore, duke mos e kursyer kësaj radhe as efektin negativ mbi ekonominë amerikane.

Strategjia e Trump-it e cila mund të konsiderohet zbatim i një politike proteksioniste, si qëllim të vetin përveç mbrojtjen e kompanive amerikane nga konkurrenca e produkteve të importuara, ka edhe përmirësimin e deficitit tregtar të Amerikës.

Deficiti tregtar është shuma e deficitit të sektorit privat si dhe e sektorit publik marrë së bashku, i cili në rastin e Amerikës është negativ, pasi që kërkesa për import është më e lartë se sa oferta për eksport. Ka metoda dhe strategji të ndryshme të cilat një qeveri i zbaton për tentimin e përmirësimit të deficitit tregtar, mirëpo në rastin e ekonomisë amerikane ku shumica e ndërmarrjeve janë të fokusuara më shumë në shërbime dhe më pak në prodhim, konsumi është me i lartë kundrejt prodhimit dhe në këtë mënyrë një shtet shkon drejt rritjes së këtij deficiti.

Presidenti Trump përmirësimin e këtij deficiti tregtar ka vendosur ta realizoj nëpërmjet zbatimit të tarifave të reja doganore, në mënyrë që të rrisë mbledhjen e të hyrave shtesë nga importet, të cilat kapin shifrën e miliarda dollarëve.

Ky vendim favorizon disa kompani vendore të prodhimit dhe përpunimit të aluminit dhe çelikut, mirëpo për pjesën më të madhe të ekonomisë amerikane efekti mund të jetë negativ, pasi që ka një efekt zinxhirë mbi shumë kompani të tjera të cilat importojnë këto produkte, apo të të cilave proceset prodhuese dhe shërbyese u lidhen direkt më këto metale. Për shembull kompanitë të cilat merren me prodhimin e birrës, e të cilat përdorin kanoçe të përbëra nga alumini, do të jenë më të shtrenjta për njësi të blerë apo kompanitë të cilat me prodhimin e makinave kanë treguar që çmimi mesatarë i makinave mund të rritet afërsisht deri në 200 dollarë për makinë. Përveç kësaj kompanitë vendore të cilin merren me prodhim-përpunimin e këtyre metaleve, kanë komunitetin të rrisin çmimet e produkteve të tyre deri në nivelin të cilat doganat do t’ua vendosin produkteve të importuara, e cila në afat të gjatë do të ketë efekte inflacioniste, po ashtu edhe konkurrenca në këtë industri do të jetë më e ulët pasi që shumë kompani të cilat importojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mund ta marrin në shqyrtim mundësinë e tërheqjes nga tregu amerikan, gjë që do të ndikonte në rritjen e komoditetit të disa kompanive vendore, e po ashtu edhe në shkurtimin e vendeve të punës.

Nëse e bëjmë një krahasim të indeksit të prodhimit të çelikut dhe të kapacitetit prodhues të kompanive amerikane mes periudhave të viteve 1990 dhe 2017, shohim ndryshime të rëndësishme.

Në vitin 1990 kompanitë kanë arritur të prodhojnë më një fuqi punëtore prej 83,498 punëtorë rreth 91.59 milionë ton çelik, ndërkaq në vitin 2017 me 35,286 punëtorë kanë arritur të prodhojnë 99.18 milionë ton çelik. Pra, mund të shohim që më një fuqi punëtore më të ulët rreth 57 për qind kanë arritur të rrisin produktivitetin me mbi 7 për qind. Nga kjo mund të kuptojmë që ndikimin kryesorë në këtë hendek e kanë inovacionet tekniko-teknologjike, të cilat e rrisin në mënyrë të dukshme rendimentin e prodhimit dhe efiçiencën në prodhim.

Por se si ky vendim ka ndikuar në bursë dhe në vlerën e dollarit?

Sigurisht që ka shkaktuar luhatje të mëdha në tregjet financiare në mbarë botën, e cila në vlerën e dollarit dhe kompanitë e amerikane (me përjashtim të disave) ka krijuar një efekt negativ duke bërë që vlera e tyre të bie për disa pikë përqindjeje.

Për shembull indeksi gjerman DAX ka qenë nën presion nga ky vendim, pasi që shumica e kompanive gjermane të listuara në këtë indeks janë të lidhura me eksporte, prej të cilave shumë janë të drejtuara në tregun amerikan, përveç tij edhe indekset amerikane si DOW JONES dhe S&P 500 kanë pasur vlera negative dhe tek të gjitha ka pas një rënie të konsiderueshme, përveç indeksit NASDAQ i cili ka pasur një rënie, por ka qëndruar më stabile.

DAX ka shënuar një rënie në 11,907 pikë, ndjekur nga DOW JONES në 24,274 pikë më, NASDAQ në 6,701 pikë dhe S & P 500 në 2,656 pikë.

Ndërkaq edhe dollari amerikan ka pasur një rënie të konsiderueshme në 89,9901 pikë, duke bërë që të gjitha valutat tjera në tregun e Forex-it të cilat janë tregtuar, të rriten kundrejt dollarit.

Fakti që jemi në një botë e cila tani më është e globalizuar, vendime të tilla proteksioniste nga ana e Amerikës, konsiderohen edhe nxitje e një lufte tregtare në botë dhe prishje e parimit të tregtisë së lire mes vendeve dhe kontinenteve.

Nga ky vendim, shumë vende mund të konsiderojnë tërheqjen e eksporteve të tyre drejt tregut amerikan dhe mund të krijojnë bashkëpunime të reja tregtare me shtete të tjera, ndikimi i të cilave mund të bëjë që Amerika të pësojë edhe më shumë në aspektin ekonomik nga kjo ‘luftë tregtare’. /Gazeta Ekonomia

Autor: Arian Krasniqi