Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

Në pritje të zgjedhjeve, ekonomia britanike me rritjen më të ulët që nga viti 2010

Ekonomia e Britanisë së Madhe u rrit me normën vjetore më të ngadaltë të dekadës gjatë tremujorit të tretë të vitit 2019, pasi pasiguria e BREXIT-it dhe pasojat e saj mbi biznesin tashmë kanë tejkaluar çdo afat.

Ekonomia u rrit me vetëm 1 për qind gjatë tremujorit që përfundoi në muajin shtator dhe kjo është norma më e ulët e rritjes që nga fillimi i vitit 2010.

Vendi arriti t’i shmangej disi recesionit, me rritjen tremujore që u regjistrua pas një leximi negativ në tremujorin e dytë. Por kjo ende nuk ofron asnjë siguri, në kushtet kur qeveria pritet të përballet përsëri me zgjedhje të përgjithshme brenda një muaji.

Për pasojë, projeksionet sinjalizojnë një ekonomi nën presion të shtuar.

Vitet që kanë kaluar plot konfuzion nga BREXIT-i kanë qenë padyshim një kosto e madhe për investimet dhe produktivitetin, duke bërë që ekonomistët të bëjnë thirrje për më shumë stimuj monetarë nga Banka e Anglisë.

“Në qoftë se pasiguria e BREXIT-it nuk zbehet dhe rritja fiskale nuk vjen, kjo duhet ta nxisë Bankën e Anglisë të ulur normat e interesit përpara se situata të zgjatet edhe më tej, në rezultate pa kthim”, tha Ruth Gregory, ekonomist në Capital Economy.

Gjatë tremujorit në fjalë, prodhimi qëndroi i sheshtë, ndërsa deficiti tregtar u ngushtua për shkak të eksporteve në rritje të mallrave dhe shërbimeve. Megjithatë sipas analizave forca e vetme e vërtetë ishte rritja e shpenzimeve shtëpiake. /Gazeta Ekonomia/