Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

Nga ‘Jelekët e Verdhë’ tek Marrëveshja e Re e Gjelbër

Tashmë është lajm i vjetër se segmente të mëdha të shoqërisë janë thellësisht të pakënaqur me atë që ata e shohin si ‘establishmenti’, sidomos klasa politike. Protestat e ‘Jelekëve të Verdhë’ në Francë, të shkaktuara nga lëvizja e presidentit Emmanuel Macron për të rritur taksat e karburantit në emër të luftës kundër ndryshimeve klimatike, janë vetëm shembulli më i fundit i shkallës së këtij tjetërsimi.

Ka arsye të mira për pakënaqësitë e sotme. Katër dekada me premtime nga liderët politikë të qendrës së majtë dhe të qendrës së djathtë, duke shprehur besimin neoliberal që globalizimi, financimi, liberalizimi, privatizimi dhe një sërë reformash që kanë lidhje me këto do të sjellin prosperitet të pashembullt, kanë kaluar pa u përmbushur. Ndërsa një elite të vogël duket se i ka ecur shumë mirë, grupe të mëdha të popullsisë kanë rënë nga klasa e mesme dhe janë zhytur në një botë të re brishtësie dhe pasigurie. Edhe liderët në vendet me pabarazi të ulët, por në rritje, e kanë ndjerë zemërimin e publikut të tyre.

Nga shifrat, Franca duket më mirë sesa shumica, por janë perceptimet, jo shifrat, ato që kanë rëndësi; edhe në Francë, e cila shmangu ca nga ekstremizmi i epokës Reagan-Thatcher, gjërat nuk shkojnë mirë për shumë. Kur taksat për të pasurit ulen, por ngrihen për qytetarët e zakonshëm për të përmbushur kërkesat buxhetore (qoftë nga Brukseli i largët apo nga financuesit e pasur), nuk duhet të jetë habi që disa janë të zemëruar. Refreni i ‘Jelekëve të Verdhë’ flet për shqetësimet e tyre, “Qeveria flet për fundin e botës. Ne jemi të shqetësuar për fundin e muajit”.

Ka një pakënaqësi të madhe ndaj qeverive dhe politikanëve, që do të thotë se të kërkosh sakrifica sot në këmbim të premtimit për një jetë më të mirë nesër është diçka që nuk do të pranohet. Dhe kjo është sidomos e vërtetë për ‘politikat e përfitimit’: ulje taksash për të pasurit që përfundimisht supozohet të përfitojnë të gjithë të tjerët.

Kur isha në Bankën Botërore, mësimi i parë në reformën e politikave ishte se renditja dhe ritmi kanë rëndësi. Premtimi i Marrëveshjes së Re të Gjelbër që po përkrahet tani nga progresistët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i ka si duhet të dy këto elemente.

Marrëveshja e Re e Gjelbër bazohet në tre vëzhgime. Së pari, ka burime të pa shfrytëzuara dhe të nënshfrytëzuara – sidomos talent njerëzor – që mund të përdoren në mënyrë efikase. Së dyti, po të kishte më shumë kërkesa për ata me aftësi të ulëta dhe mesatare, pagat e tyre dhe standardet e jetesës do të rriteshin. Së treti, një mjedis i mirë është një pjesë thelbësore e mirëqenies njerëzore, sot dhe në të ardhme.

Nëse sfidat e ndryshimeve klimatike nuk përmbushen sot, barra të mëdha do të mbeten në dorë të brezave të ardhshëm. Nuk është e drejtë që ky brez t’ia kalojë brezit tjetër këto kosto. Është më mirë të kemi një trashëgimi borxhesh financiare, që fëmijët tanë në një farë mënyre mund t’i menaxhojnë, sesa të dorëzojmë një katastrofë të mundshme të pakontrollueshme mjedisore.

Rreth 90 vjet më parë, presidenti amerikan Franklin D. Roosevelt iu përgjigj Depresionit të Madh me Marrëveshjen e tij të Re, një paketë e guximshme reformash që preku pothuajse çdo aspekt të ekonomisë amerikane. Por është më shumë sesa simbolizmi i Marrëveshjes së Re që po thirret tani. Është qëllimi i tij frymëzuese: t’i kthejmë njerëzit në punë, në atë mënyrë që Franklin D. Roosevelt bëri për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me papunësinë dërrmuese të asaj kohe. Në atë kohë, kjo nënkuptonte investime në elektrifikimin rural, rrugë dhe diga.

Ekonomistët kanë debatuar se sa efikase është Marrëveshja e Re – shpenzimet e saj ndoshta ishin shumë të ulëta dhe nuk mbaheshin mjaftueshëm për të gjeneruar një lloj rimëkëmbjeje të ekonomisë së nevojshme. Megjithatë, ajo la një trashëgimi të qëndrueshme duke e transformuar vendin në një kohë tepër të rëndësishme.

Pra, gjithashtu, për një Marrëveshje të Re të Gjelbër: ajo mund të sigurojë transportin publik, duke lidhur njerëzit me vendet e punës, dhe të rrisë ekonominë për të përmbushur sfidën e ndryshimit të klimës. Në të njëjtën kohë, vetë këto investime do të krijojnë vende pune.

Është pranuar prej kohësh se dekarbonizimi, nëse bëhet siç duhet, do të ishte një krijues i madh vendesh pune, ndërsa ekonomia përgatitet për një botë me energji të rinovueshme. Natyrisht, disa vende pune – për shembull, ato të 53 mijë minatorëve të qymyrit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – do të humben dhe nevojiten programe për të rimarrë punëtorë të tillë për punë të tjera. Por për t’iu rikthyer refrenit: renditja dhe ritmi kanë rëndësi. Do të kishte më shumë kuptim të fillohej me krijim vendesh të reja pune para se të shkatërroheshin punët e mëparshme, për të siguruar që fitimet e kompanive të naftës dhe qymyrgurit ishin të tatueshme dhe subvencionet e fshehura që ato merrnin të eliminoheshin, përpara se t’u kërkohej atyre që mezi mbyllin muajin të paguajnë më shumë.

Marrëveshja e Re e Gjelbër dërgon një mesazh pozitiv për atë se çfarë mund të bëjë qeveria, për këtë brez qytetarësh dhe tjetrin. Ajo mund të japë sot atë që u nevojitet më shumë atyre që po vuajnë, vende të mira pune. Dhe mund të ofrojë mbrojtje nga ndryshimet klimatike që nevojiten për të ardhmen.

Marrëveshja e Re e Gjelbër do të duhet të zgjerohet dhe kjo është sidomos e vërtetë në vende si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku shumë qytetarë të thjeshtë nuk kanë qasje në një arsimim të mirë, kujdes shëndetësor adekuat ose strehim të mirë.

Lëvizja bazë pas Marrëveshjes së Re të Gjelbër ofron një rreze shprese për establishmetin e keq; ata duhet ta përqafojnë atë, ta zgjerojnë dhe ta bëjnë pjesë të axhendës progresive. Ne kemi nevojë për diçka pozitive që të na shpëtojë nga vala e shëmtuar e populizmit, nativizmit dhe proto-fashizmit që po përfshin të gjithë botën. /Project Syndicate /Gazeta Ekonomia/

Autor: Joseph E. Stiglitz – Është fitues i Çmimit Nobel në Shkencat Ekonomike në vitin 2001. Libri i tij i fundit është ‘Globalizimi dhe pakënaqësitë e tij të reviduara: anti-globalizimi në Epokën Trump’.

Përgatitur dhe botuar ekskluzivisht nga Gazeta Ekonomia, me autorizim të Project Syndicate. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

8 + two =