Search

Nga lufta verbale në takimin historik Trump-Kim

Takimi në samitin historik mes Donald Trump dhe Kim Jong-Un, më 12 qershor në Singapor, do t’i kushtohet paqes në botë, sipas Presidentit amerikan edhe pse në nisje të mandatit të tij, kreu i Shtëpisë së Bardhë nuk kishte asnjë fije shprese për një çtensionim kaq të fortë të marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Koresë së Veriut.

Kërcënimet bërthamore

Më 2 janar 2017, përpara marrjes së detyrës, Presidenti i ri amerikan pohoi se Koreja e Veriut nuk do të ishte kurrë në gjendje të zhvillonte një armë bërthamore të aftë për të goditur territorin amerikan.

Mundësia diplomatike dukej fillimisht e përshtatshme me kontekstin. Në maj të vitit 2017, para fillimit të përshkallëzimit të tensioneve, Donald Trump u shpreh i gatshëm për të takuar liderin koreanoverior.

“Nëse kushtet do të ishin të përshtatshme për t’u takuar me Kim Jong-Un, do ta bëja absolutisht. Do ta isha i nderuar ta bëja”, deklaronte ai.

Por gjatë verës, Pheniani lëshoi dy raketa ndërkontinentale dhe Kim siguroi se i gjithë territori amerikan ishte në rrezen e tyre. Kjo u pasua me një krizë mes dy shteteve, kryesisht shënuar nga sanksione financiare amerikane dhe premtimi i Trumpit se do të përgjigjej me ‘zjarr dhe tërbim’ ndaj çdo sulmi koreanoverior.

Këta të fundit iu përgjigjen me kryerjen e testit të gjashtë bërthamor, pas së cilit ata pohuan se kanë testuar me sukses bombën ‘H’.

Ofendime personale

Retorika luftarake e dy liderëve mori shpejt një kthesë mjaft agresive personale.

Në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në shtator 2017, Trump e cilësoi Kim si ‘burri i vogël raketë’. Dy ditë më vonë, koreanoveriori iu kundërpërgjigj me fjalët “Do ta disiplinoj me zjarr palën amerikane.”

Otto Warmbier i torturuar

Në shtator të vitit 2017, ish-manjati i pasurive të patundshme akuzoi Phenianin për tortura që shkojnë përtej së imagjinueshmes ndaj Otto Warmbier. Ky student amerikan i burgosur në Korenë e Veriut në janar të 2016-së për vjedhjen e një posteri propagandistik, iu dorëzua amerikanëve në gjendje kome në qershor të vitit 2017. Ai vdiq një javë pas riatdhesimit.

Uashingtoni vendosi atëherë t’i ndalonte shtetasit amerikanë për të udhëtuar në Korenë e Veriut dhe të rivendoste atë në listën e shteteve që mbështesin terrorizmin.

Kthesa olimpike

Në shkurt të vitit 2018, gjatë Lojërave Olimpike Dimërore në Pyeongchang të Koresë së Jugut, dy Koretë u afruan në mënyrë simbolike duke parakaluar së bashku në ceremoninë e hapjes dhe në aspektin diplomatik me takimin e dy të dërguarve të posaçëm të Veriut dhe Jugut.

Trump përshëndeti në atë kohë fillimin e çtensionimit të marrëdhënieve.

Vizita e papritur e Pompeo

Në cilësinë e drejtorit të CIA-së dhe përpara se të merrte drejtimin e diplomacisë amerikane, Mike Pompeo udhëtoi drejt Phenianit gjatë fundjavës së Pashkëve për të takuar Presidentin Kim.

Më 8 maj, Trump bëri të ditur se Sekretari i ri i Shtetit është sërish rrugës për në Korenë e Veriut. Ai u takua edhe një herë me liderin koreanoverior dhe u kthye në Shtetet e Bashkuara të Amerikës së bashku me tre ish-të burgosur amerikanë, të cilët Uashingtoni kishte kërkuar nga Pheniani që t’i lironte.

Samiti historik

Më 7 mars, këshilltari për Sigurinë Kombëtare të Presidencës koreanojugore, Chung Eui-Yong, befasoi mbarë planetin duke njoftuar se Kim Jong-Un kishte ftuar në takim Presidentin Donald Trump.

Samiti mes dy liderëve më 12 qershor do të futet në analet e historisë.

Ky do të jetë takimi i parë mes një presidenti amerikan në detyrë dhe një udhëheqësi koreanoverior. /ATSH