Search

Një ide e mirë gjermane për vitin 2018

Në fund të vitit 2016, thuajse të gjithë evropianët e kishin kuptuar se reforma radikale politike dhe institucionale ishin thelbësore për rigjallërimin e projektit evropian. Megjithatë, ky reformim serioz u pengua nga mosmarrëveshja e zakonshme rreth asaj që duhet bërë – një mosmarrëveshje që Emmanuel Macron, Presidenti i ri i Francës, dikur këtë e përshkroi si një ‘luftë të shenjtë’ mes elitave gjermane dhe franceze.

Viti sapo përfundoi, i theksuar nga zgjedhja e një presidenti francez të pëlqyer nga Kancelarja gjermane Angela Merkel, gjë që tregoi se në fund të fundit, nuk ka më rëndësi kush drejton në Berlin dhe Paris, apo se sa pëlqehen ata. ‘Lufta e shenjtë’ vazhdon edhe nëse predhat me të cilat secila anë shkatërron propozimet e tjetrës janë tashmë të mbështjella me petk diplomatik.

Në zemër të kësaj lufte franko-gjermane është përplasja mes angazhimit gjerman për ‘drejtësi’ kundrejt dëshirës franceze për ‘rishpërndarje’. Zyrtarët gjermanë përshëndesin çdo propozim të qeverisë franceze duke llogaritur me mend koston për taksapaguesit gjermanë. Dhe pas çdo kundërpropozimi gjerman, zyrtarët francezë shohin një dredhi për t’u fshehur pas rregullave që elitat gjermane të marrin pjesën e tyre. Vazhdimësia e rrëshqitjes së Evropës në stagnacion dhe diskreditim është rezultat i natyrshëm.

Mbase këmbëngulja gjermane në ndershmëri është e drejtë, megjithëse jo në atë drejtim që zyrtarët gjermanë do ta vlerësonin domosdoshmërish. Nuk mundem, me vetëdije të plotë, të pajtohem me çdo ithtar francez, italian apo grek për rishpërndarje nëse propozimet e tyre shkelnin parimet e ndershmërisë. Të bësh çfarë është e drejtë është, sigurisht më e mirë sesa të bësh çfarë është e gabuar, por e volitshme. Por pastaj shtrohet çështja: cila është gjëja e duhur për të bërë? Dhe si mund të biem dakord për ndonjë përgjigje, duke marrë parasysh interesat tanë të ndryshëm, dispozitat dhe prejardhjet kulturore?

Një gjë është e sigurt: nuk do ta zbulojmë kurrë ku çon e ndershmja nëse drejtohemi vetëm nga ‘interesat’ tanë. Rruga qorre e Evropës vjen kryesisht prej një ngërçi mes dëshirave, objektivave dhe synimeve të kundërta: gjermanët tremben se përthyerja e rregullave nga greko-latinët do të trumpetojë frikën franceze të ndërtimit të një perandorie gjermane dhe e anasjella. Por nëse dëshirat e dëmshme çojnë në një fund pa krye dhe dështojnë të zbulojnë drejtimin e duhur të veprimeve, ku ndodhet çelësi i ndershmërisë?

“Duhet të bëjmë të gjithë punën tonë” – një përgjigje tipike gjermane – e cila thjesht e dërgon mosmarrëveshjen në një aspekt tjetër, ku debatojmë për detyrime konkurruese. Të gjithë të çmendurit në detyrë besonin se po bënin punën e tyre. Ndaj shtrohet pyetja “Si mund ta di çfarë përfshin detyrimi im?” Një përgjigje teiste është po aq e papranueshme, duke qenë se krime monstruoze janë kryer nga fanatikë të bindur se po përmbushnin detyrën e tyre hyjnore.

Përgjigjja më e mirë që kam gjetur është gjermane, e Emanuel Kant për të qenë i saktë. Për Kantin, i cili u mundua të përkufizonte etikën në një epokë të re të shoqërive të tregut, detyra jonë mund dhe duhet të vijë nga kapaciteti ynë për racionalitet. Ndryshe nga shijet personale, që janë të ndryshueshme dhe nuk ofrojnë rrugë të sigurt drejt lumturisë dhe virtytit, detyrimet mund të shquhen nga një mekanizëm logjik i të gjithë njerëzve.

Të jesh i arsyeshëm nënkupton më shumë se të jesh në gjendje të shpërndash mjetet e tua me efikasitet për të arritur maksimumin tënd. Të gjithë kafshët janë në gjendje të përdorin mjete për synimet e tyre. Por njerëzit janë unikë, këmbëngul Kant, sepse ndryshe nga qentë dhe macet, ne mund t’ia kalojmë gjykimin racional dëshirave tona. Mund ta pyesim veten “Më pëlqen X, por a është mirë kështu?” Dhe mund të themi, “Është detyra ime të bëj Y edhe pse Y do të çojë me gjasa në rezultate që nuk më pëlqejnë, duke marrë parasysh pritshmëritë se çfarë do të bëjnë të tjerët”.

Por nëse një person është i arsyeshëm bazuar te aftësia për të vepruar mbi arsyetime që e kalojnë analizën kosto-përfitim, si mund të rezultojë e paanshme detyra jonë racionale, jashtë ndikimit të interesave personalë dhe paragjykimeve?

Kant ofron një shembull të famshëm: gjuha është ajo që na ndan nga speciet e tjera; pa të, ne jemi thjesht përbindësha. Ndërsa gënjeshtra sjell përfitime, nëse ne të gjithë do të gënjenim gjithë kohës, gjuha do të bëhej e venitur. Njerëzit e arsyeshëm, përfundon Kant, duhet ta kuptojnë se kanë detyrim të përmbahen nga një praktikë (gënjeshtra) që, nëse merrej nga të gjithë të tjerët, do të prishte shpikjen tonë më të çmuar (gjuhën).

Nuk është i nevojshëm Zoti, as moralizmi për të demonstruar detyrën tonë për të treguar të vërtetën. Arsyetimi praktik është gjithçka që duhet: një botë ku kushdo gënjen është një botë ku arsyetimi njerëzor, që varet tërësisht mbi gjuhën, vdes. Pra, detyra jonë racionale është të tregojmë të vërtetën, pavarësisht nëse përfitimet e gënjeshtrës mund të sjellin prakticitet.

I aplikuar te shoqëritë e tregut, ideja e Kant sjell përfundime mbresëlënëse. Pakësimet strategjike në çmim për të goditur një konkurrent e kalojnë testin e arsyetimit racional (për sa kohë çmimet nuk bien nën kosto). Në fund të fundit, prodhimi i sasive të mëdha me çmime minimale është arritje e çdo ekonomie. Por pakësimet strategjike të pagave në nivele më të ulëta, (uberizimi i shoqërisë) nuk mund të jetë racional, sepse rezultati do të ishte një kolaps katastrofik, për shkak të zhdukjes së kërkesës totale.

Për t’u kthyer te Evropa, parimi i Kant nënkupton detyrime të rëndësishme për qeveritë dhe politikat. Dhe Gjermania e Franca do të duhej të bënin detyrën e tyre për të pasur një Evropë funksionuese.

Nëse tepricat aktuale të Gjermanisë, që përbëjnë 9 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto, do të universalizoheshin, me çdo qeveri të shteteve anëtare, sektor privat dhe kursimtar, euro do të ngrihej shumë, duke shkatërruar shumicën e prodhimit në Evropë. Po ashtu, universalizimi i deficiteve greko-latine do ta kthenin Evropën në të pavlerë.

Sekreti dhe detyrimi ynë racional është të përqafojmë politika dhe të ndërtojmë institucione që janë konsistente me tregtinë dhe lëvizjen e kapitalit. E thënë ndryshe, ndershmëria autentike gjermane nuk mund të arrihet pa një formë të rishpërndarjes që duhet të përplaset me interesat e të themi oligarisë franceze apo greke, që është shumë përtace për të pranuar destabilitetin e vet.

Një kritik i kësaj ideje gjermane për reformimin e Evropës mund të pyesë pse duhet dikush të kryejë detyrimin racional, në vend që t’i qëndrojë rrugës tradicionale të interesave vetjake të ngushta? E vetmja përgjigje e fortë është: sepse nuk ka alternativë tjetër racionale. Ose, alternativat janë të gjitha hipokrite. /Gazeta Ekonomia

Autor: Dani Rodrik – Profesor i ekonomisë dhe politikës ndërkombëtare në Shkollën e Qeverisë ‘John F. Kennedy’ të Universitetit të Harvardit. Është autor i ‘Paradoksi i Globalizimit: Demokracia dhe e ardhmja e ekonomisë botërore’ dhe ‘Rregullat e ekonomisë: Të drejtat dhe gabimet e shkencës së ekonomisë’.

Përgatitur dhe botuar ekskluzivisht nga Gazeta Ekonomia, me autorizim të Project Syndicate. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate.