Search

Një shekull i Shteteve të Bashkuara të Amerikës – nga Woodrow Wilson tek Donald Trump

Në fillim të vitit 1918 presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Woodrow Wilson doli para dy dhomave të Kongresit amerikan dhe prezantoi planin e tij me 14 pika. Tezat e famshme të tij, kishin të bënin me synimet amerikane në Evropë dhe Lindjen e Mesme, por kishin të bënin kryesisht edhe me riorganizimin e botës së shteteve. E drejta e popujve për vetëvendosje ishte linja drejtuese. Por 14 pikat e Wilsonit shkonin dhe më tej. Ai kërkonte tregti të lirë dhe dhënien fund të diplomacisë së fshehtë, si dhe krijimin e Lidhjes së Kombeve.

Kështu në vija të përgjithshme më 1918 u pa sistemi liberal botëror, i cili u ndërtua pas Luftës së Dytë Botërore nën drejtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një sistem botëror, që u vu në jetë sepse gjithnjë e më shumë vende iu bashkuan idesë. Ky sistem duket të jetë tani në rrezik, prej një presidenti amerikan.

Largim nga kolonat themelore të politikës së jashtme amerikane?

Donald Trump është rast i veçantë. Në njëqind vjetët e fundit asnjë kryetar shteti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk i ka vënë në pikëpyetje bazat themelore të politikës së jashtme amerikane, siç i ka vënë presidenti i 45-të.

Natyrisht që në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka pasur gjithnjë forca që kanë përkrahur izolacionin. Edhe presidenti Wilson dështoi në politikën e brendshme me konceptin e tij për një sistem ndërkombëtar paqeje. Por refuzimi i programit të tij 14 pikësh nuk u bë nga Shtëpia e Bardhë, por nga një Kongres me frymë izolacioniste, prandaj Wilson vazhdon të shihet si udhërrëfyesi i internacionalizmit amerikan. Deri në futjen në Luftën e Parë Botërore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin munduar t’i qëndronin larg konflikteve ndërkombëtare, sidomos atyre në Evropë.

Wilson – politikë e jashtme kooperative

Wilson nxori nga tmerret e luftës një përfundim, që Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të përpiqej për politikë të jashtme multilaterale dhe të karakterizuar nga bashkëpunimi. Kjo duket qartë edhe në fjalimet e luftës, që ai ka mbajtur më 1917. Atje Wilson, thekson se bota duhet të bëhet vend i sigurt për demokracinë.

Shpesh Wilson citohet gabimisht, sikur ai të ketë thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet ta bëjë botën të sigurt për demokracinë. Ky është një ndryshim i qartë dhe me rëndësi, sepse Wilson nuk besonte se e vetme do të ishte në gjendje ta arrinte këtë, por që mund të arrihej në bashkëpunim me të tjerët dhe nën udhëheqjen amerikane. Një ‘Lidhje e Kombeve’ duhet të krijonte kuadrin për një politikë kooperative ndërkombëtare. Wilson kërkonte të krijonte një organizatë, në të cilën të veprohej vetëm me aprovimin e të gjithëve, ku praktikisht çdo komb të kishte një të drejtë vetoje. Sa kontroverse ka qenë ideja e Wilsonit e tregon fakti që ‘Lidhja e Kombeve’ pati jetë vetëm tre dekada dhe që Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk u bë asnjëherë anëtare e saj.

Trump – vendime të njëanshme

“Nën presidencën e Trumpit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka dalë nga shumë pakte të sanksionuara nga Kombet e Bashkuara dhe nga shumë organizata të saj, prandaj për shkak të qëndrimit të tij nacionalist, Trump me të drejtë mund të shihet si antipodi i Wilsonit”, thotë John Cooper, profesor emeritus në Universitetin e Viskonsit.

Ai ka shkruar disa libra për Wilsonin. Për Trumpin ai thotë se “Ai do që të veprojë i vetëm në botë, të tregojë burrin e fortë dhe të marrë vendime njëanshme sipas dëshirës”.

Trump dhe Wilson nuk janë pole të kundërta vetëm në rolin ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Edhe në qëndrimin ndaj emigracionit, një temë e diskutuar shumë si në atë kohë edhe tani. Wilson kishte qëndrim të qartë kundër armiqësisë ndaj të huajve, që gjatë Luftës së Parë Botërore ishin kryesisht refugjatë lufte nga Evropa. Kur Kongresi amerikan nxori më 1917 një ligj për kufizimin e emigracionit, Wilson vendosi veton. Kongresi vendosi me dy të tretat e votave kundër vetos së tij, një shenjë që tregon sa të mëdha kanë qenë në atë kohë rezervat kundër emigrantëve.

“Wilson i urrente demagogët”

Paralelet me aktualitetin janë edhe në këtë pikë të dukshme. Me ndryshimin që me Trumpin si president në post ka ardhur dikush që nuk i lufton armiqësitë ndaj të huajve, përkundrazi i ndezi edhe më shumë që ditën e parë të kandidimit si president. Për më tepër, Trump nuk është verbalisht kundër, por përdor edhe pushtetin që i jep posti kundër emigrantëve pa pasaportë, duke i ndarë familjet dhe dëbuar nga vendi. Përveç kësaj ai kërkon të kufizojë emigracionin legal në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të ulë numrin e refugjatëve që pranohen në vend, në një nivel të ulët që nuk ka qenë kurrë më parë.

Është ende herët për të gjykuar si do të përfundojë kursi konfrontues i Trumpit ndaj politikës internacionaliste. Megjithatë dy vjet janë mjaft, sipas Cooper, për të qenë në gjendje që të thotë se çfarë do të thoshte Wilson për pasardhësin e tij në post.

“Ai do ta shikonte Trumpin me frikë dhe tmerr, sepse Trump kërkon vetëm të trazojë ujërat dhe Wilson i urrente demagogët”, shton Cooper.

Dhe ky është një ndryshim i dukshëm midis dy presidentëve, që kanë lënë gjurmë në shekullin amerikan midis 1918 dhe 2018. /Deutsche Welle/