Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

Oda Ekonomike Amerikane: Ligji për Paga kërcënon stabilitetin financiar të vendit

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, ka shprehur shqetësimet e saj lidhur me kalimin e Ligjit për Paga dhe rritjen e shpenzimeve buxhetore për paga.

Oda përsërit se rritja e mëtejme e pagave për sektorin publik rrit dallimet në nivelet e pagesave ndërmjet sektorëve publikë dhe privatë, në disfavor të sektorit privat, i cili në të njëjtën kohë është shtylla e mbushjes së buxhetit, si dhe zhvillimit ekonomik.

Oda Ekonomike Amerikane beson se veprimet si këto të institucioneve shtetërore, pa konsideratë për ngarkesat mbi sektorin privat, janë në kundërshtim me diskursin e zyrtarëve më të lartë të shtetit për fuqizim të sektorit privat dhe nxitje të investimeve.

Ngritja e pagave për sektorin publik është goditje direkte për ndërmarrjet private, e posaçërisht për sektorin edhe ashtu të brishtë të prodhimit, por edhe për rritjen e investimeve të huaja direkte, për shkak se fuqia punëtore, nuk do të mund të promovohet më tej si përparësi konkurruese e Kosovës.

Kalimi i Ligjit për Paga kërcënon stabilitetin financiar të vendit, për shkak të rritjes enorme të shpenzimeve për paga dhe skema sociale, në dëm të investimeve kapitale, por edhe për shkak se rrezikon të thellojë deficitin buxhetor.

Në të njëjtën kohë, siaps tyre, marrja e vendimeve me efekte afatgjata, në kushte të presionit, pa dialog gjithëpërfshirës, përfshirë këtu edhe përfaqësuesit e sektorit privat, cenon prospektet e zhvillimit të qëndrueshëm të vendit.

Institucionet e vendit, Qeveria dhe Kuvendi, duhet të përmbahen nga vendimet si këto, por edhe paralajmërimet për vendime të tjera, të cilat Oda Ekonomike Amerikane i konsideron si ndërhyrje në sektorin privat, në kundërshtim me dispozitat kushtetuese dhe ligjore, si dhe orientimin e Kosovës për fuqizimin e ekonomisë funksionale të tregut.