Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

Paga minimale lë qytetarët në pragun e varfërisë

Paga minimale në Kosovë, ndonëse sipas Ligjit të Punës do të duhej të përcaktohej çdo vit, që nga viti 2011 vazhdon të jetë 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeç.

Këshilli Ekonomiko-Social i cili përfshinë përfaqësuesit e punëtorëve, bizneseve dhe institucionet e vendit, qysh në vitin 2017 kishin propozuar që paga minimale të rritet, por që propozimet e dhëna deri më tani nuk kanë hyrë në fuqi.

Lidhur me pagën minimale, Grupi Parlamentar i Partisë Socialdemokrate, së fundi ka dorëzuar një kërkesë për interpelancë ndaj kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Nënkryetari i Partisë Socialdemokrate, Visar Ymeri, në një konferencë ku është diskutuar për pagën minimale në Kosovë, tha se një numër i madh i të punësuarve në Kosovë që marrin pagë minimale, nuk arrijnë të mbulojnë shpenzimet elementare për jetë.

“Nga të gjitha raportet dhe analizat që bëhen është evidente se paga minimale në Kosovë është më e ulëta në rajon dhe është e ulët jo vetëm në vlerën e vet nominale, por është e ulët veçanërisht në fuqinë blerëse që kjo pagë minimale mund të krijojë në ekonominë e Kosovës. Kjo pagë nuk e mbulon as minimumin e nevojshëm për jetë. Paga minimale i lë gati nën pragun e varfërisë”, thotë Ymeri.

Derisa, paga minimale në Kosovë ka mbetur e njëjtë që nga viti 2011, çmimet e konsumit kanë shënuar rritje.

Në raportin e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, për Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve, thuhet se shkalla vjetore e inflacionit e matur në muajin janar 2019 me muajin janar 2018 ishte 3.1 për qind.

Qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë thonë se e kanë të pamundur që me një pagë minimale që ata marrin t’i përmbushin nevojat elementare për jetesë.

“Në një familje me katër anëtarë dhe me një pagë që unë kam 175 euro është e pamundur t’i mbulosh shpenzimet. Çmimet çdo ditë janë më të larta dhe kjo pagë të pamundëson t’i blesh artikujt e domosdoshëm ushqimor”, thotë Hamdi Kastrati.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Avni Ajdini, njëherësh përfaqësues i punëtorëve në Këshillin Ekonomiko-Social, bën të ditur për Radion Evropa e Lirë se fillimisht të gjithë ishin pajtuar që paga minimale të jetë 250 euro, por se kjo ka mbetur vetëm si propozim.

“Këshilli Ekonomik-Social në dhjetor të vitit 2017, unanimisht kishte marrë vendim që paga minimale të jetë 250 euro, por ka kaluar viti 2018 dhe asgjë nuk është realizuar. Ende edhe sot nuk e kemi të aprovuar këtë shumë për pagën minimale. Ka pasur premtime se do të aprovohet ky vendim, por që jo. Qeveria e Kosovës po arsyetohet me atë se nuk ka buxhet për pagë minimale më të lartë”, thotë Ajdini.

Sipas tij, paga minimale e propozuar në vitin 2017 që të jetë 250 euro, përsëri duhet të rishikohet pasi që tani, siç thotë ai, ka pasur rritje të çmimeve të konsumit.

Në anën tjetër, Doruntina Gashi përfaqësuese nga Oda e Afarizmit në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se për të pasur një rritje të pagës minimale do të duhet të ketë edhe përmirësim të ambientit afarist në vend.

“Bizneset hasin në shumë pengesa të mëdha. Për shkak të problemeve që po krijojnë institucionet në vendet po ndikon që bizneset t’i mbyllin kompanitë e tyre dhe rrjedhimisht të mbyllin edhe vende pune. Duhet të përmirësohet infrastruktura ligjore dhe ambienti afarist në mënyrë që bizneset të rrisin punësimin dhe të krijojë paga të mira. Paga minimale aktuale është e ulët dhe ajo nuk plotëson nevojat elementare, por që të rritet kjo duhet që bizneseve të ju krijohen lehtësia”, thekson Gashi.

Qeveria e Kosovës në fund të çdo viti kalendarik, sipas ligjit do të duhej të përcaktojë pagën minimale, sipas propozimit të Këshillit Ekonomiko-Social.

Sipas Ligjit të Punës, paga minimale duhet të përcaktohet duke marrë parasysh koston e shpenzimeve jetësore, përqindjen e shkallës së papunësisë, si dhe gjendjen e përgjithshme në tregun e punës dhe përcaktohet për periudhën njëvjeçare.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2017, tregojnë se konsumi për ekonomi familjare, ka qenë 7,803 euro, kurse për kokë banori 1,551 euro.

Pjesa më e madhe e këtyre mjeteve janë shpenzuar për ushqim dhe banim. /REL/