Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

Pagat në Kosovë – të punësuarit në sektorin publik ‘më të privilegjuar’ se ata në sektorin privat

Paga mesatare bruto në Kosovë për vitin 2018 është 558 euro, ndërsa ajo neto 498 euro. Nga viti 2012, niveli i këtyre pagave është rritur me rreth 30 për qind.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, paga bruto në vitin 2012 ishte 431 euro, kurse ajo neto 384 euro.

“Në vitin 2012, pagat mesatare bruto në Kosovë ishin 431 euro, derisa në vitin 2018 ishin 558 euro, një rritje prej 127 euro ose 29.6 për qind. Ndërsa, paga neto nga 384 euro sa ishte në vitin 2012, është rritur në 498 euro në vitin 2018 – me 114 euro më shumë ose 29.8 për qind”, thuhet në raportin “Niveli i pagave në Kosovë, viti 2012-2018”, prezantuar nga ASK, shkruan Telegrafi.

Sektori publik vazhdon ta ketë nivelin më të lartë të pagës krahasuar me atë privat.

Në vitin 2018, paga bruto në sektorin privat është 364 euro, ku sipas ASK-së kjo pagë është rritur për rreth 10 për qind që nga viti 2012, ndërsa kjo rritje në sektorin publik ishte mbi 40 për qind.

“Paga mesatare bruto në sektorin publik në vitin 2012 ishte 407 euro, derisa në vitin 2018 ishte 573 euro, që është një rritje për 166 euro ose 40.8 për qind. Kurse, paga mesatare neto nga 353 euro, sa ishte në vitin 2012 u rrit në 509 euro apo një rritje prej 156 eurosh ose 44.1 për qind. Sektori privat kishte një pagë bruto mesatare prej 367 eurosh, në vitin 2012, ndërsa në vitin 2018 ishte rritur në 401 euro, një rritje prej 34 eurosh ose 9.3 për qind. Derisa, paga neto nga 333 euro, sa ishte në vitin 2012, u rrit në 364 euro, një rritje prej 31 eurosh ose 9.3 për qind”, thuhet në raport.

Për sa i përket nivelit të pagës bruto dhe asaj neto për aktivitet ekonomik, ASK tregon se ata që punojnë me energji elektrike kanë pagë më të lartë, ndërsa ata që merren me bujqësi paguhen më pak.

“Paga mesatare bruto në vitin 2018, sipas aktiviteteve ekonomike më e lartë ishte te furnizimi me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar me 843 euro, informimi dhe komunikimi me 717 euro, xehetaria dhe gurëthyesit me 639 euro, derisa paga më e ulët ishte te bujqësia, pylltaria dhe peshkataria me 256 euro. Paga mesatare neto në vitin 2018, sipas aktiviteteve ekonomike ka të njëjtën renditje, furnizimi me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar me 743 euro, informimi dhe komunikimi me 635 euro, xehetaria dhe gurëthyesit me 569 euro, derisa paga më e ulët ishte te bujqësia, pylltaria dhe peshkataria me 237 euro”, përfundon raporti.

Lidhur më nivelin e pagës minimale, një punëtor në Kosovë që është i moshës nën 35 vjeç paguhet me 130 euro, kurse ata që janë mbi këtë moshë paguhen me 170 euro.

Kjo pagë nuk ka ndryshuar qysh nga viti 2011, atëherë kur ishte vendosur për këtë nivel. Mirëpo, në muajin prill të 2019-së, PSD kishte propozuar që paga minimale të rritet me 250 euro.

Krahasuar me vendet e rajonit, Kosova vazhdon ta ketë pagën më të ulët minimale.

Sipas Zyrës së Statistikave të Bashkimit Evropian, për të cilën mungojnë të dhënat për Kosovën, jo larg këtij niveli të pagës qëndron edhe Mali i Zi, ku një punëtor nuk duhet të paguhet më pak se 193 euro, ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 203 euro, si dhe Bosnja e Hercegovina me 208 euro. Në Shqipëri ky nivel i pagës është 211 euro, ndërsa në Serbi është 231 euro, shkruan Telegrafi.

Pagën më të lartë minimale për vendet e Ballkanit e ka Sllovenia prej 625 euro, pasuar nga Greqia me 546 euro, Kroacia me 406 euro, si dhe Bullgaria me 222 euro.

Ndryshe, deputetët e Kuvendit të Kosovës më 2 shkurt të këtij viti, kanë miratuar Ligjin për Pagat në sektorin publik, i cili pritet të rregullojë pagesën e të punësuarve që marrin rroga nga buxheti i shtetit, ku koeficienti më i lartë është 10 dhe më i ulëti është 1.

Sipas Ligjit, vlera monetare e koeficientit për vitin e parë do të jetë 239 euro.