Search

Paqja Trump

Presidenti Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, po bëhet serioz në lidhje me përkthimin e përçmimit të tij ndaj sistemit ndërkombëtar në politika konkrete. Vendimi i tij për të vendosur 50 miliardë dollarë tarifa ndëshkuese në shumë mallra kineze mund të përçajë thellë tregtinë botërore. Dhe ndërsa ai mori vendimin e minutës së fundit të përjashtojë mallrat e Bashkimit Evropian nga tarifa të tilla, Evropa mund të përfundojë gjithsesi e prekur.

Qasja ‘Amerika e Para’ e Trumpit nuk do të lërë pa prekur rendin ndërkombëtar të bazuar te rregullat. Shtetet e Bashkuara të Amerikës krijuan një rend pas-lufte dhe e kanë fuqizuar rregullat e tij për dekada. Por ky nuk është më rasti. Në fakt, veprimet e fundit të Trump nuk janë vetëm për tregtinë, por për largimin e Amerikës nga vetë Pax Americana (Paqja Amerikane).

Disa vende janë më të lidhura me rendin post-luftë, se Gjermania ashtu si Japonia i detyrohet për rigjallërimin e vet ekonomik pas vitit 1945 sistemit tregtar të bazuar te rregullat. Ekonomia e Gjermanisë mbështetet fuqishëm në eksporte, që do të thotë se është shumë e pambrojtur ndaj barrierave tregtare dhe tarifave ndëshkuese të imponuar nga partnerë të mëdhenj tregtarë.

Politikat protektioniste të Trump kështu sfidojnë të gjithë modelin ekonomik gjerman që ka ekzistuar që prej vitit 1950. Fakti që Trump ka përjashtuar vazhdimisht Gjermaninë, një nga aleatët më të ngushtë të Amerikës në Evropë, është diçka serioze. Ndërsa, optimistët thonë se të lehurat e Trump janë më të këqija se kafshimet e tij – se prononcimet e tij për tregtinë, ashtu si kërcënimet ndaj Koresë së Veriut janë thjesht strategji negociatash – pesimistët mund të përgjigjen me një pyetje të arsyeshme: Po sikur Trump ta ketë me të vërtetë atë që thotë?

Në Gjermani, nuk duhet të ketë iluzione për nënkuptimin e luftës tregtare. Pavarësisht përkatësisë së gjatë në BE dhe në tregun e saj të përbashkët, Gjermania do të ishte një nga humbësit më të mëdhenj, prej varësisë së saj tregtare dhe gjendjes aktuale të marrëdhënieve transatlantike.

Sigurisht, shtetet anëtare në BE që kanë akuzuar Gjermaninë për arrogancë mund ta shohin këtë rezultat duke u kënaqur. Por një dobësim në ekonominë më të madhe të Bashkimit Evropian do të kishte pasoja negative direkte në të gjithë bllokun. Dhe tani nuk është koha për përçarje. Tërheqja nga Bashkimi Evropian e Mbretërisë së Bashkuar po shkakton tashmë disonancë politike mes shteteve anëtare dhe populistët anti-evropianë sapo kanë fituar një shumicë të kombinuar parlamentare në Itali.

Për t’i bërë gjërat më keq, as Gjermania dhe as Komisioni Evropian, që merret me çështjet e tregtisë në emër të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, nuk është aktualisht në një pozicion superior ndaj Trump. Budallallëku i politikëbërësve gjermanë që zgjodhën të shpëfillin kritikat afatgjata ndaj suficitit të vazhdueshëm është bërë e qartë. Po ta kishte pakësuar qeveria e fundit gjermane suficitin – që arriti një rekord të ri të lartë vitin e kaluar – duke shtuar investimin në vend, Gjermania do të ishte në një pozicion më të mirë për t’iu përgjigjur kërcënimeve të Trump.

Kur mendojmë për mundësinë e një lufte tregtare transatlantike, duhet të kujtojmë gjithashtu shprehjen që i atribuohet zakonisht Mahatma Gandit se “një sy për një sy përfundon duke e bërë të gjithë botën qorre”. Një luftë transatlantike kokë më kokë prodhon humbës nga secila palë dhe mund të nxisë një periudhë të re izolimi dhe proteksionizmi. Nëse përparon shumë, mund edhe të çojë në një rënie të ekonomisë botërore dhe në disintegrim të Perëndimit. Për këtë arsye, BE-ja nuk ka zgjidhje tjetër veçse të negociojë edhe kundër dëshirës.

Një nga pasojat e parashikueshme të Revolucionit Tregtar të Trump është se do ta afrojë më shumë Evropën me Kinën, që tashmë i është qasur Bashkimit Evropian përmes Iniciativës së Investimit të Rripit dhe Rrugës, si dhe projekteve të infrastrukturës kudo në Euroazi. Teksa alternativat e orientuara nga lindja të transatlanticizmit rriten në vitet e ardhshme, arritja e një balance mes Lindjes dhe Perëndimit do të jetë një nga sfidat më të vështira të Evropës. Evropianët tani duhet të shqetësohen jo vetëm për Rusinë, por edhe për një superfuqi të re kineze.

Shkatërrimi apo shqetësimi i marrëdhënieve tregtare transatlantike nuk është në interes as të SHBA-së dhe as të Evropës. Liderët kinezë me gjasa po e festojnë premtimin e administratës Trump për ‘ta bërë Amerikën madhështore përseri”, sepse deri më tani ka penguar interesat amerikane dhe premton ta bëjë Kinën madhështore sërish. Në fakt, pavarësisht tarifave të sapolajmëruara të Trump ndaj Kinës, në përgjigje të supozimeve për shkelje të pronësisë intelektuale, dikush mund të justifikohej nëse mendonte se synimi kryesor i politikës së jashtme të Trump është të ndihmojë kinezët në përpjekjen e tyre për ndikim botëror.

Me të marrë pozicionin, një nga lëvizjet e para të Trump ishte të tërhiqte SHBA-në nga Partneriteti Transpaqësor, një marrëveshje tregtare që do të krijonte një mburojë kundër Kinës në rajonin Azi-Paqësor. Tani, Kina ka një shans për të vënë rregullat e tregtisë në një zonë që përbën rreth 60 për qind të ekonomisë botërore. Po ashtu, pasojat e tarifave të Trump ndaj aluminit dhe çelikut do të ndihmojnë kryesisht Kinën, ndërsa dëmtojnë aleatët evropianë të Amerikës. Nëse kinezët kërkojnë të kapitalizojnë mundësinë e papritur që u është dhënë, nuk mund t’u hedhësh fajin.

Në muajt e ardhshëm, dobësia thelbësore e Evropës do të bëhet gjithnjë e më e dukshme. Begatia e Evropës varet në gatishmërinë e Amerikës për të ofruar garanci sigurie dhe kujdestari të rendit ndërkombëtar liberal. Me Shtetet e Bashkuara të Amerikës që po braktis pozicionin e vet në ndjekje të nacionalizmit atavik, evropianët janë vetëm. Shpresa mbetet që evropianët të veprojnë shpejt për të ruajtur unitetin e tyre dhe të rikuperojnë sistemin ndërkombëtar që i ka ofruar atyre paqe dhe begati për breza. /Gazeta Ekonomia

Autor: Joschka Fischer – Ishte ministër i Jashtëm dhe Zëvendëskancelar gjerman nga 1998-2005. Një mbështetës i fortë për ndërhyrjen e NATO-së në Kosovë në vitin 1999 dhe kundërshtar në Irak. Fischer hyri në politikën garuese pas pjesëmarrjes në protesta anti-elitë të viteve 1960-ta dhe 1970-ta dhe luajti një rol kyç në themelimin e Partisë së Gjelbër të Gjermanisë, të cilën ai e udhëhoqi për pothuajse dy dekada.

Përgatitur dhe botuar ekskluzivisht nga Gazeta Ekonomia, me autorizim të Project Syndicate. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate.