Para për asgjë – një eksperiment në Gjermani shtron sërish pyetje për të ardhmen e të ardhurave

Në Gjermani ka nisur një eksperiment me 250 marrës të asistencës sociale të përzgjedhur rastësisht. Ata do të vazhdojnë ta marrin asistencën edhe nëse i shkelin kushtet e vëna nga shteti.

Zakonisht marrësit e asistencës sociale në Gjermani duhet të përmbushin disa kushte për të përfituar nga asistenca sociale. Ata duhet të paraqiten rregullisht te Agjencia e Punës dhe të dëshmojnë se po kërkojnë punë dhe të aplikojnë për vendet e punës që i sugjeron agjencia. Nëse nuk e bëjnë këtë, atyre mund t’u shkurtohet asistenca, pra, të sanksionohen.

Por 250 të përzgjedhurit nuk kanë nevojë t’i nënshtrohen më këtyre rregullave, se paku për tre vjet. Aktivistët e organizatës Sanktionsfrei, do t’ua rimbursojnë atyre çdo sanksion që u imponohet. Ky eksperiment do të provohet te 250 përfituesit e parë, të cilëve do t’u garantohet një e ardhur bazike prej 416 euro në muaj.

Pjesëmarrësit do të plotësojnë formularë në të cilën do të dokumentojnë efektet që do të ketë ky status i ri i tyre. Një grup tjetër prej 250 veta që merr asistencë sociale do të shërbejë si grup kontrolli për këtë eksperiment. Ata do të mbushin të njëjtat formularë, por do të vazhdojnë të trajtohen si të tjerët, pra, nëse nuk shkojnë në takime, ose nuk kërkojnë punë, do të sanksionohen.

Ky eksperiment quhet ‘Hartz Plus’ dhe nuk bëhet në kuadër të lëvizjes për të Ardhurën Universale Bazë. Ai financohet nga një organizatë private dhe nuk përkrahet nga qeveria gjermane, por mesazhi është i njëjtë në të dyja rastet: të ardhura të pakushtëzuara.

Të ardhura bazike, instinkte bazike?

Në vitin 2016, Zvicra zhvilloi një referendum për t’u ofruar shtetasve të vet të Ardhurën Universale Bazike. Referendumi sigurisht dështoi. Qeveria finlandeze gjithashtu bëri një eksperiment dy vjeçar (2017-2018), duke u siguruar dy mijë shtetasve të papunë një të ardhur mujore të pakushtëzuar.

Ideja mbështetet nga shumë politikanë të majtë. Edhe Hillary Clinton, e cila nuk mund të thuhet se është një socialiste e mirëfilltë, premtoi gjatë fushatës zgjedhore si kandidate për presidente të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në vitin 2016, se do t’i jepte një platformë serioze nocionit të Ardhurës Universale Bazë.

Para për asgjë

Në epokën kur automatizimi dhe inteligjenca artificiale po përhapen gjithnjë e më me shpejtësi, lind pyetja se si do të jetë e ardhmja e punës, pra, se a do të ketë punë për të gjithë. Debati për një pagë të përgjithshme të pakushtëzuar është i pashmangshëm.

Për Daniel Feher-in, kryetari i degës evropiane të Lëvizjes për të Ardhurat e Pakushtëzuara Bazike, me qendër në Berlin, një grup që bën fushatë për të zbatuar politikat e të ardhurës bazë në të gjithë Evropën, eksperimenti ‘Hartz Plus’ është një shembull tjetër pozitiv që flet për nevojën e trajtimit të kësaj çështjeje.

“[Hartz Plus] e ndryshon situatën e përfituesve, sepse ua heq pasigurinë dhe presionin e plotë të burokracisë për një periudhë kohe. Do të jetë shumë interesante të shihet se si do të ndikojë kjo në jetën e tyre”, tha ai për Deutsche Welle.

Gjithsesi, disa vëzhgues thonë se ‘Hartz Plus’ nuk është një Ardhurë Universale Bazike pasi ajo skadon kur përfituesi gjen një punë, prej së cilës merr më shumë të ardhura se asistenca sociale.

Hilmar Schneider, drejtor i Institutit të Ekonomisë së Punës, thotë se përveç kësaj ‘Hartz Plus’ funksionon vetëm nëse personat që marrin kompensim, nuk do ta deklarojnë atë në agjencinë lokale të punësimit të tyre, sepse kjo automatikisht do të trajtohej si e ardhur dhe do t’u ulte asistencën.

“Hartz Plus konsiderohet më shumë si një instrument politik për të protestuar kundër asaj që përkrahësit e saj, që vijnë nga spektri i majtë, e quajnë politikë të ‘kërbaçit dhe kulaçit’ që përdorin agjencitë e punësimit”, i shpjegoi ai Deutsche Welle.

E Ardhura Universale Bazike ende e patestuar

Tema e të ardhurave bazë në Gjermani nuk është e re, por fokusi në elementin universal të pakushtëzuar është rritur që nga reformat e fundit të tregut të punës, të iniciuara nga kancelari i atëhershëm socialdemokrat, Gerhard Schroeder, në vitin 2003.

Ata që janë për mekanizmat e të ardhurave bazike argumentojnë me nivelin e lartë të varfërisë në Gjermani, por, përveç disa skemave si Mein Grundeinkommen, ku përfituesit e fitojnë me short një pagë të pakushtëzuar prej një mijë euro në muaj: ka pak skema konkrete.

Qeveria e Landit të Berlinit ka në plan të vendosë në kryeqytet një skemë me të ashtuquajturat ‘Të Ardhurat Bazike të Solidaritetit’. Kjo është planifikuar për vitin 2019, por projekti, i cili rrjedh nga ideja e të ardhurave universale bazë, do të kërkonte njerëz që janë në marrëdhënie pune.

Megjithëse nuk është një eksperiment i të Ardhurës Universale Bazike, sikurse ishte në Finlandë, rezultatet e eksperimentit ‘Hartz Plus’ do të shikohen nga afër për të parë nëse ato përkojnë me rezultatet e para në Finlandë. Qeveria finlandeze vendosi të mos e zgjasë më eksperimentin përtej një periudhe dyvjeçare dhe tani do të kërkojë modele të tjera asistence. Grupi i parë i rezultateve, i bërë publik javët e fundit, nxori në pah se sigurimi i të ardhurave bazë të garantuara nuk kishte efekt në tregun e punës dhe nuk i kishte rritur gjasat që përfituesit të gjenin punë.

Feher thotë se këto rezultate duhet të shihen ‘me kujdes’ pasi eksperimenti nuk ishte zbatuar ashtu siç e kishin parashikuar propozuesit e tij.

Merr punë për të mos punuar

Kritika më e vazhdueshme me të cilën përballen mbështetësit e idesë së të ardhurave universale është çështja e kostos. Për shembull, nëse afërsisht 70 milionë të rritur në Gjermani do të merrnin të gjithë nga një shpërblim të pakushtëzuar dhe universal prej 416 euro në muaj (niveli aktual i asistencës sociale ‘Hartz IV’), kostoja vjetore për qeverinë gjermane do të shkonte në 350 miliardë euro. Në një vend të pasionuar pas kursimeve kjo nuk është e lehtë të shitet.

Daniel Feher thotë se organizata të tilla si Lëvizja për të Ardhurat e Pakushtëzuara Bazike nuk përkrahin modele specifike të financimit, por duan të promovojnë temën e të Ardhurave Universale Bazike, si një debat i gjerë politik.

Feher mendon se që politikat e të Ardhurës Universale Bazike të jenë të qëndrueshme, do të duhet një rishpërndarje themelore e pasurisë përmes politikave tatimore.

Për Hilmar Schneider, këto janë qiqra në hell.

“Unë dyshoj se njerëzit do të vazhdojnë ta mbështesin AUB-në kur ta marrin vesh se sa duhet të paguajnë për të”, thotë Schneider.

Ai thotë se kostoja e një pagese bazike universale është një nga problemet më të mëdha të saj.

“Me qëllim të kursimit të të ardhurave për potencialisht 15-20 për qind të popullsisë, duhet të subvencionohet 100 për qind e popullsisë në mënyrë të barabartë edhe pse 80-85 për qind nuk kanë nevojë”, thotë ai.

Schneider vetë nuk beson se automatizimi do të sjellë atë katastrofë që parashikohet.

“E Ardhura e Pakushtëzuar Bazike do t’i bënte edhe më pak atraktivë vendet e punës me paga të ulëta, do të sillte rritjen e çmimeve dhe do të ulte në përgjithësi standardin e jetesës, pa e ulur nivelin e varfërisë”, shprehet Schneider.

Megjithatë, polarizimi gjithnjë në rritje i politikave, në të dy anët e Atlantikut, dëshmon se debati për të ardhurat bazë do të mbetet. Rezultatet e ‘Hartz Plus’ do të shikohen me vëmendje. /Deutsche Welle/

0 Reviews

Write a Review

Read Previous

Kostoja mesatare e punës në Kosovë është 505 euro

Read Next

Kriza e punësimit – shkollimi profesional përballë universitetit, paradoks që po vazhdon