Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

Paradoksi i shtetit të mirëqenies sociale

Shtetet e mirëqenies përballen me një paradoks të pashmangshëm: niveli i prodhimit që nevojitet për mbarëvajtjen e një shteti të mirëqenies sociale nuk mund të mbështetet nga një shtet i mirëqenies. Ky paradoks krijohet nga politikat që inkurajojnë rishpërndarjen dhe konsumin e pasurisë, ndërsa dekurajojnë krijimin e saj.

Përballë këtyre incentivave të çoroditura, standardet e jetesës bien edhe pse për një afat kohor, ato mund të mbijetojnë nëpërmjet huamarrjes. Paradoksi nuk është unik për Greqinë ose Kaliforninë, por edhe përgjegjësia nuk bie drejtpërsëdrejti mbi to.

Shteti i mirëqenies sociale është paradoksal në vetë natyrën e tij

Termi ‘shteti i mirëqenies’ përcaktohet këtu si një politikë që merr përgjegjësinë primare për kujdesin e një numri të madh të qytetarëve të saj, duke ofruar përfitime të tilla si strehimi publik, kujdesi shëndetësor, arsimi, paga minimale, sigurimi në rast papunësie dhe mbështetja financiare për institucionet, bizneset dhe industritë e varfra, të moshuarit, të paaftët, etj.

Mirëqenia materiale e çdo shoqërie mbështetet në sasinë dhe cilësinë e mallrave dhe shërbimeve që ato prodhojnë. Të gjitha mallrat dhe shërbimet e konsumuara nga anëtarët joproduktivë të shoqërisë duhet të merren ose paguhen nga sektori prodhues. Politikat e mirëqenies shtetërore sigurojnë që radhët joproduktive do të rriten dhe ato të popullsisë prodhuese do të tkurren dhe se produktiviteti i numrit të zvogëluar të prodhuesve do të bjerë. Si rezultat, sasia dhe cilësia e mallrave dhe shërbimeve në dispozicion do të bien dhe varfëria do të rritet. Mekanizmat e kësaj rënieje janë të drejtpërdrejta dhe të parashikueshme.

Politikat e mirëqenies së shtetit dekurajojnë kursimin. Kur qeveria ndihmon të paguajë për faturat e qytetarëve të saj, ata kanë pak nevojë për të kursyer për të ardhmen. Për këtë arsye, bankat do të kenë më pak para për të dhënë hua, duke çuar në uljen e investimeve kapitale dhe si pasojë ekonomia do të pësojë rënie.

Taksat për të paguar përfitime publike reduktojnë aftësinë dhe nxitjen e bizneseve për të ruajtur dhe zgjeruar kapacitetet prodhuese. Në masën që taksat paguhen nga konsumatorët, ose u kalojnë atyre nëpërmjet kostove më të larta, ata do të kenë më pak para për të kursyer, duke ulur më tej kapitalin privat. Inovacioni në mënyrë të ngjashme dekurajohet nga taksat që zvogëlojnë ose eliminojnë çdo fitim që një inovacion i tillë mund të krijojë.

Ligjet mbi pagën minimale, sigurimi në rastin e papunësisë, mandatet e punëdhënësve dhe rregulloret që e bëjnë të vështirë nxitjen e punëtorëve për të kërkuar punë shkaktojnë ulje të produktivitetit. Taksat e larta të korporatave do t’i nxisin bizneset të operojnë jashtë vendit dhe disa të tjerë do të falimentojnë , duke shtuar më tej individët e papunë. Si rrjedhojë do të kemi ulje të shumës totale të taksave të mbledhura nga taksapaguesit dhe një kosto më të lartë të mirëqenies sociale.

Legjislacioni do të jetë më proteksionist dhe kështu do të vazhdojë rritja e papunësisë. Ndërsa, numri i qytetarëve joproduktivë rritet, ose nëpërmjet humbjes së punës ose nëpërmjet plakjes, sektori publik do të rritet gjithashtu për të përmbushur këtë nevojë në rritje. Përveç kësaj, me rritjen e taksave për të paguar për sektorin publik dhe programet që administrojnë, agjencitë qeveritare të mbledhjes së taksave duhet të zgjerohen gjithashtu. Kjo zvogëlon sektorin e prodhimit, duke e zhvendosur atë nga prodhimi i pasurisë thjesht në rishpërndarjen e tij.

Nëpunësit civilë zakonisht paguhen më shumë sesa homologët e tyre privatë dhe përgjithësisht janë në gjendje të dalin në pension më herët dhe në pensionet më bujare sesa punonjësit në sektorin privat, duke shtuar më tej ngarkesën e punëtorëve produktivë. Për më tepër, radhët në rritje të punonjësve publikë formojnë një bllok të fuqishëm votimi, duke favorizuar fuqimisht rritjen e shpenzimeve qeveritare dhe kontrollin e qeverisë mbi ekonominë.

Imagjino për një moment sesa e rrezikshme është bota për dikë që nuk ndjen dhimbje, epo ky është një paralelizëm i mirëfilltë që tregon pasojat e shtetit së mirëqenies sociale. Vetë filozofia e shtetit të mirëqenies sociale ju nënshtrohet nevojave të ndryshme individuale por kjo i demotivon njerëzit. Ndërsa, qeveria rritet, gjithnjë e më shumë do të shihet si përgjigje për të gjitha vështirësitë, dhe njerëzit do të kërkojnë zgjidhje nga qeveria për shqetësime gjithnjë e më të vogla. Centralizimi dhe burokracia do të dëmtojë vetëbesimin, sipërmarrjen dhe komunitetin lokal. Nëse qeveria nuk merr masa ajo do të degradojë deri në falimentim.

Mirëqenia sociale është një program i cili mbron individët nga përballja me ‘fatin e tyre të keq’. Arsyeja kryesore se pse shteti arriti të merrte këto përmasa gjigante ishin sigurimet sociale.

Qasja liberale argumenton se shteti duhet të kufizohet vetëm në garantimin e një rrjeti sigurie i cili do ta mbronte individin nga rrënimi ekonomik.

Milton Friedman argumenton se taksa negative është një mënyrë më efektive për të inkurajuar të varfrit që të dalin nga varfëria dhe jo mirëqenia sociale. Këto politika janë të orientuara drejt një filozofie që mbështet tregun e lirë.

Mirëqenia sociale ngadalëson zhvillimin ekonomik pasi njerëzit nuk vendosen përpara stimujve real të tregut por mjaftohen me asistencën sociale. Në ketë formë nuk zbaton logjikën e pastër të efikasitetit ekonomik por krijon një fryrje të sektorit publik. Kjo qasje ushqen pikëpamjen se një qeveri e madhe moderne është e domosdoshme për të garantuar zgjidhjen e problemeve sociale në botën reale të tilla si papunësia, mungesa e strehimit etj.

Këto probleme sociale në fakt nëse nuk zgjidhjen mund të kthehen si një bumerang për sistemin e fryrë burokratik , i cili sërish do të investojë më tepër në mirëqenien sociale duke krijuar pasoja edhe më negative për tregun. Ndoshta argumenti më i mirë për ketë çështje është dhënë nga Friedrich Hayek i cili pohon se në një botë komplekse veprimet tona shpesh kanë pasoja të papritura.

Tregu i lirë dhe garancia e suksesit të tij i atribuohet veprimeve të kryera nga individi dhe jo nga planifikimi i centralizuar.