Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

Pare pa bereqet

Fabrikat, hotelet, tokat bujqësore e gjithçka tjetër shoqërore në Kosovë, është shitur për rreth 600 milion euro në procesin e privatizimit.

Uzinat që punësonin rreth 60 mijë punëtorë në vitet e 90’ta, tani janë bërë rrafsh me tokë dhe janë zëvendësuar me objekte banimi kolektiv e depo gjigante për mallra të importit.

Paratë nga shitja mbahen në Fondin e mirëbesimit të themeluar që nga koha kur ka nisur privatizimi në Kosovë në vitin 2002, që ishte udhëhequr njëherë nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit, e tani nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Ato nuk mund të futen në buxhetin e shtetit para se të zgjidhen të gjitha kërkesat pronësore, kredituese apo juridike ndaj ndërmarrjeve të privatizuar. Kështu e thotë ligji me të cilin funksionon AKP.

Por edhe ato para që janë gati të derdhen në buxhet, nuk ka kush ta nënshkruaj vendimin.

Janë plotë 170 milion euro të ndërmarrjeve shoqërore për të cilat kanë përfunduar të gjitha procedurat e likuidimit dhe në mungesë të bordit të Agjencisë mbahen të bllokuar në Bankën Qendrore të Kosovës.

Nismat për shfrytëzimin e parave të privatizimit

Kjo shumë duket se nuk po i mjafton krerëve të shtetit.

Së fundi është riaktualizuar ideja për ti hapur rrugë ti hapë rrugë vënies së mjeteve të privatizimit në funksion të ekonomisë së vendit.

Nismat e mëhershme kanë dalë të pa suksesëshme shumë herë për shkak se pengesa kryesore ka dalë të jetë baza ligjore, e cila thuhet se do të ndryshoj këtë vit.

Në Buxhetin e vitit 2015 janë paraparë edhe të hyrat nga Fondi i Privatizimit, ndërkaq, ministri i Financave Avdullah Hoti ka paralajmëruar se në 3 vitet e ardhshme do të marrin nga fondi rreth 200 milion euro.

Një plan të tillë do ta realizojë duke ndryshuar ligjin për AKP-në. Ministri i Financave, ka thënë se këto fonde janë të parapara me Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2016-2018, nga të cilat këtë vit do të harxhohen 70 milionë euro.

Spas tij, me ligjin e ri, AKP-ja si agjenci do të mbyllet dhe me çështjet e mbetura do të merret një zyrë që do të funksionojë në kuadër të zyrës së kryeministrit.

Plani për mbylljen e AKP-së dhe ndryshimin e ligjit nuk është diçka e re.

Gjatë fushatës parazgjedhore Partia të cilës i takon Hoti, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe partneri qeverisës Partia Demokratike e Kosovës patën deklaruar se do të shfrytëzojnë mjetet nga Fondi i privatizimit për të krijuar një Fond për punësim, përkatësisht Fond për mbështetjen e bizneseve.

Madje patën filluar edhe procedurat për ndryshim të ligjit dhe krijimit të mundësive për të themeluar Fondin e ri.

Por gjithçka mbeti vetëm një nismë të cilën njohësit e ekonomisë patën tërhequr vërejtjen se Qeveria nuk duhet të llogarisë këto mjete vetëm si një burim i njëhershëm i të hyrave, për shkak të mundësisë së kërkesave nga kreditorët.

Neglizhenca e shtetit për paratë e privatizimit

Me legjislacionin aktual mundësia e vetme e shfrytëzimit të këtyre parave është pasi të kenë përfunduar të gjitha procedurat e likuidimit.

Ushtruesi i detyrës zëvendësdrejtor menaxhues i AKP-së, Avni Jashari, në prezantimin e aktiviteteve përmbledhëse të AKP-së gjatë vitit 2014, pati bërë të ditur se janë rreth 170 milion euro të gatshme që mund ti jepen Qeverisë së Kosovës por nuk ka kushte marr vendim për to.

Ai tha se Fondi tepricë sipas definimit të Ligjit të agjencisë, që janë të gatshme t’i transferohen Qeverisë së Kosovës posa të kompletohet bordi në muajt e parë, janë diku rreth 170 milionë euro.

Ndërkaq, në vitin 2012 AKP i ka transferuar Qeverisë edhe 28.9 milionë euro.

Ky agjencion në shtator i bën plot një vit që ka mbetur pa bord funksional dhe Agjencia nuk mund të marr asnjë vendim për privatizimin në vend, raporton Gazeta Fjala.

Prioritet i partive në pushtet gjatë fushatës elektorale ishte funksionalizimi i bordeve të ndërmarrjeve publike dhe agjencive të pavarura, por as tani kur ka kaluar gati një vit nga qeverisja e tyre, bordet nuk janë kompletuar.

Ministri i financave të Kosovës, Abdulla Hoti në një prononcim të mëhershëm ka thënë se shpejt konstituohet bordi i AKP-së dhe një pjesë e mjeteve mund të hyjnë menjëherë në buxhetin e Kosovës.

Sipas tij, vendimet e para të bordit mund të jenë për të kthyer ato mjete në qeveri janë mjete prej ndërmarrjeve që janë privatizuar për të cilat janë kryer të gjitha procedurat sa i përket përmbushjes së kërkesave të kreditorëve të agjencionit.

Ibrahuim Rexhepi, drejtor i STRAS pati shpjeguar se Ligji për privatizim, apo ligji për Agjencinë Kosovare të Privatizimin thotë që ‘mjetet, të cilat mbesin nga likuidimi i ish- ndërmarrjeve shoqërore, derdhen në buxhetin e Kosovës’.

“Çka do të thotë se ajo është një mbetje, e cila mund të shkojë drejt në buxhet, dhe buxheti nuk ka obligim për kthimin e tyre. E kjo do të ishte një formë më e lehtë, nuk do të krijonte barrë për fondin, mirëpo do të ishte një lehtësi për shfrytëzuesit e fundit, ta zëmë bizneset apo ekonomia, në përgjithësi”.

E, kjo, sipas tij, kërkon tash që vetëm të përshpejtohet procedura për likuidimin e ish-ndërmarrjeve shoqërore në përgjithësi.

“Meqenëse në Fondin e Mirëbesimit janë grumbulluar diku 700 milionë euro vetëm për shkak të mospunës së odës së veçantë dhe në momentin kur paguhet 20 përqindëshi për punëtorët, paguhen kreditorët realë, të cilët kanë qenë dhe mbetjet janë para të buxhetit”.

Pengesat e likuidimit

Në raportin përfundimtar të punës së AKP-së evidentohen dy pengesat kryesore për përmbylljen e procesit të likuidimit të Ndërmarrjeve Shoqërore deri më 10 Korrik 2016, kur është paraparë të përfundoj ky proces.

“1. Agjencia ende nuk i ka shitur rreth 1500 asete të NSH-ve; dhe 2. Janë një numër prej rreth 10,000 ankesa të kreditorëve të NSH-ve dhe 6780 ankesa me 9980 ankues në listat e punëtorëve të NSH-ve që ende janë në shqyrtim e sipër në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës (DHPGJS)”

Investimi i parave të privatizimit në Letrat me vlerë

Në raportin e AKP-së thuhet se nuk është bërë ende ndonjë investim ose pjesëmarrje në ofertim të letrave me vlerë të Qeverisë për shkak se nuk është përfunduar me sukses përpjekja e Agjencisë për këto investime për arsyet të cilat nuk i janë të njohura Agjencisë.

“Në muajin Gusht 2014, është mbajtur takimi me Bankën Qendrore të Kosovës në lidhje me përmirësimin e kushteve dhe krijimin e mundësive për të gjithë akterët e rëndësishëm të kapitalit në Kosovës. Iniciativë kjo e këshilltarit të Gurvenatorit të Bankës Qendrore të Kosovës. Krijimi i mundësi i përket asaj që të ndryshohen kushtet teknike dhe legjislative për pjesëmarrjen në këtë treg. Agjencia është konsideruar një akterë shumë i rëndësishëm për qarkullimin e kapitalit në tregun e letrave me vlerë të emetuara nga Qeveria”.

Në këtë raport thuhet se Agjencia ka shprehur gatishmërinë që të jap kontributin e saj në mënyrë që t’i krijohen dhe Agjencisë mundësitë për pjesëmarrje në këtë treg kjo sepse plotëson një nga objektivat themelore për rritjen e vlerës së NSh-ve.