Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

Pas vendosjes së taksës 100 për qind, prodhimi vendor rritet për 20 për qind

Vendosja e taksës prej 100 për qind për prodhimet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, është e treguar hap i qëlluar për rritjen e konsumit të prodhimeve të Kosovës. Këto janë bërë të ditura në hapjen e panairit të agrobiznesit ‘Shporta jonë’, organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës.

Po ashtu, u tha se disa prodhime vendore kanë shënuar rritje deri në 20 për qind.

Kryeministri Ramush Haradinaj, me këtë rast, tha se është këtu për të inkurajuar krijimin e lidhjeve biznesore mes ndërmarrjeve të mëdha, të mesme, por edhe të vogla, për të promovuar produktet vendore.

“Qëllimi ynë është zvogëlimi i importit ose zëvendësimin e produkteve nga importi në produkte në prodhimit vendor”, tha Haradinaj, duke shtuar se me zbatimin e politikave të reja fiskale të Qeverisë së Kosovës, është inkurajuar rritja e ndërmarrjeve të sektorit të prodhimit dhe të sektorit të informacionit.

Ai tha se taksa e vendosur prej 100 për qind për produktet serbe dhe atyre të Bosnjës e Hercegovinës, nuk duhet të shihet si rast për të përfituar nga ngritja e çmimeve, por për të rritur prodhimin dhe cilësinë.

“Edhe pse ende në fillim, taksa ka ndikuar në rritjen e prodhimit vendor”, tha ai duke shtuar se këto zhvillime duhet të sjellin edhe rritjen e Produktit të Brendshëm Bruto, rritjen e numrit të të punësuarve dhe njëkohësisht kompensohet tatimi që e humb buxheti i Kosovës me zvogëlimin e importit nga këto vende.

Haradinaj tha se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar në përmbushjen e obligimeve ndaj CEFTA-së, por vetëm si palë e barabartë dhe ndihet i lumtur që Qeveria ka përmbushur obligimet e saj që ndërlidhen me protokollin e V-të të CEFTA-së dhe ka reflektuar pozitivisht marrëveshjen që ndërlidhet me protokollin VI-të.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, tha se kjo ditë e ka një rëndësi të veçantë për shkak të një momentumi të ri që është krijuar, ku ka një ngritje të vetëdijes për potencialin e ekonomisë tonë dhe se këto ditë do ta shfaqin potencialin e ekonomisë që është zhvilluar me shumë mund.

Një fjalë rasti në këtë panair, mbajti edhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ndërsa të pranishëm ishin edhe ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj dhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi. /Gazeta Ekonomia/