Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

Përgatitet ligji që integron Shqipërinë në tregjet e kriptovalutave

Deri sa në Tiranë është duke u zhvilluar Konferenca e 41-të Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Dhënave, e cila ka sjellë përfaqësues të kompanive të teknologjisë si Microsoft, Facebook apo MasterCard, Qeveria e Shqipërisë ka përgatitur një ligj që do të sjellë rregullimin në tregun dixhital.

Projektligji për Tregjet Financiare të bazuara në Teknologjinë e Regjistrave të Shpërndarë, pritet të dërgohet shumë shpejt në Kuvend, duke rregulluar një sektor që në vitet e fundit ka marrë një hov zhvillimi edhe në Shqipëri.

Ligji përcakton metodat e licencimit të operatorëve vendas apo të huaj, duke i hapur rrugë regjistrimit të kompanive që operojnë me teknologjinë më të avancuar të teknologjisë Blockchain edhe në vend.

Një teknologji e tillë e pathyeshme përdoret aktualisht edhe nga kriptovalutat më e famshme në botë Bitcoin, por kjo teknologji mund të gjejë zbatime në shumë fusha.

Sipas ekspertëve, deri në vitin 2030, shumica e transaksioneve tregtare në botë do të realizohen përmes teknologjisë së Blockchain, e cila për herë të parë fut konceptin e një kontrate të vetënegociueshme dhe vetëzbatueshme nga ana e biznesit.

Në fjalë të tjera, në momentin e pajtimit të një kontrate, mbi bazën e kësaj teknologjie ajo bëhet ‘smart’ dhe si e tillë, e vetëekzekutueshme.

Aktualisht, teknologjia Blockchain po gjen një përhapje të madhe jo vetëm në fushën e tregtisë, por edhe në shëndetësinë e avancuar, e-learning, energjinë e rinovueshme, mbrojtjen e mjedisit, zhvillimin e bujqësisë, etj.

Projektligji i hartuar në përputhje me modelet më të avancuara në botë dhe rekomandimet e Bashkimit Evropian, synon që duke hapur tregun shqiptare ndaj kësaj teknologjie të re, të nxisë formimin e bizneseve fillestare shqiptare në fushën e Hi-Tech, duke rritur punësimin, veçanërisht tek të rinjtë.

Një qëllim i dytë i këtij ligji është përshpejtimi i revolucionit dixhital, sidomos për sa i përket pagesave dixhitale, të cilat falë rritjes së transparencës dhe gjurmës shërbejnë për të luftuar direkt evazionin fiskal apo fenomenin e pastrimit të parave.