Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

Përtej të majtës dhe të djathtës

Kohët e fundit duket se amerikanët edhe një herë tjetër kanë filluar të interesohen për sistemet ekonomike dhe politike që udhëheqin vendin. Ndoshta shumica e tyre mendonte se socializmi në përgjithësi kishte marrë fund me rënien e Bashkimit Sovjetik, por kandidati presidencial i vitit 2016 Bernie Sanders, socialist i vetëshpallur, rihapi përsëri debatin rreth kapitalizmit dhe socializmit. Kështu që amerikanët filluan të shfaqin interes për politikën.

Për fat të keq, debati i risjellë në fokus është ende i pashpresë! Kjo pasi secila palë sigurisht do të japë shembujt dhe evidencat për të mbrojtur idenë respektive dhe kushtet nuk janë fort të barabarta. Kapitalizmi sot është një forcë e përhapur, ndërkohë që pa një bllok sovjetik për të siguruar një alternativë zyrtare ndaj kapitalizmit, socialistët po përpiqen të ndikojnë masat me idetë e riformuluara në mënyrë më ‘demokratike’.

Mbrojtësit e kapitalizmit tregojnë nga njëra anë dështimet ekonomike të Bashkimit Sovjetik, Kinës dhe Koresë së Veriut, ose katastrofës më të fundit ekonomike në Venezuelë si dëshmi pozitive për defektet e socializmit. Socialistët nga ana tjetër, tentojnë të hedhin poshtë këto akuza duke treguar sukseset e vendeve skandinave.

Sanders për shembull rregullisht vlerëson Danimarkën dhe herë pas herë Suedinë, si shembuj si duhet të jetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërkohë që ka plot të tjerë që marrin në konsideratë Norvegjinë gjithashtu. Megjithatë në 2015, pikërisht për të hedhur poshtë gjithë shembujt me Danimarkën si sukses socialist, kryeministri danez Lars Rasmusen deklaroi hapur se Danimarka është ekonomi tregu dhe jo produkt sistemi socialist.

Pra, kush ka të drejtë, Sanders apo Rasmusen? A janë vendet skandinave socialiste apo kapitaliste? E vërteta, për fat të keq, është shumë komplekse dhe nuk do të ketë kurrë një përkufizim të qartë dhe të thjeshtë të socializmit apo kapitalizmit, sepse ekzistojnë mënyra të shumta që një qeveri mund të përpiqet të ndërhyjë në tregje.

Tregjet nuk janë perfekte. Ato gjenerojnë rezultate jo të barabarta dhe shpesh ato të padrejta. Si rrjedhim, qeveritë mund të përpiqen t’i korrigjojnë këto probleme në një numër mënyrash. Ato mund të ofrojnë shërbime të drejtpërdrejta, si në rastin e Shërbimit Shëndetësor Kombëtar në Britani të Madhe ose mund të vendosin ndërmarrjet në pronësinë e shtetit si në rastin e Kinës. Gjithashtu janë pikërisht qeveritë ato që nënshkruajnë rregullore për të ndaluar ose promovuar forma të ndryshme të aktivitetit të tregut. Si pasojë pikërisht shteti mund të sanksionojnë dhe fuqizojnë institucione të ndryshme siç janë sindikatat. Po ashtu, megjithëse në thelb jo dukshme qartësisht, janë pikërisht qeveritë që me anë të taksave dhe shpenzimeve rishpërndajnë të ardhurat dhe pasurinë. Por qeveritë nuk duhet të bëjnë t’i gjitha këto në të njëjtën kohë!

Në një raport të kohëve të fundit, hulumtuesi i Menaxhimit të Aseteve në J. P. Morgan, Michael Cembalest përçmon modelin nordik duke përdorur tregues të ndryshëm nga Banka Botërore dhe Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik.

Sipas tij, vendet nordike, përfshirë edhe Holanda, në përgjithësi kanë më pak kontrolle kapitale dhe pengesa tregtare sesa Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Treguesit janë hartuar nga Fondacioni Heritage, një institucion konservator që mund të ketë arsye të dëshirojë renditjen e lartë të vendeve të pasura në mënyrë që liria e biznesit të duket më tërheqëse. Por të dhënat e mëhershme nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik konfirmojnë pamjen e vendeve skandinave si të mirë-rregulluara. Megjithatë, tregjet e punës janë një çështje tjetër: sindikatat dhe marrëveshjet kolektive atje janë më të forta.

Kështu, sipas të dhënave, Cembalesti thekson se puna në vendet nordike gjeneron më pak të ardhura kombëtare sesa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke sugjeruar se në terma monetare ndikimi i politikave pro-biznesit mund të tejkalojë ndikimin e ndërhyrjes së shtetit në rregullimin e tregut të punës. Nga ana tjetër ama vendet skandinave natyrisht, kanë taksa shumë më të larta dhe shpenzojnë më shumë në shërbimet sociale.

Sigurisht që dallimet midis sistemeve dhe përqasjeve të ndryshme politike, janë fillesa e debateve të shumta. Disa ekonomistë i konsiderojnë të gjitha thjesht varietete të ndryshme të kapitalizmit, por realiteti bëhet më i komplikuar nga fakti se vendet ndryshojnë politikat e tyre me kalimin e kohës. Për shembull, në vitet 1970, Suedia kishte një sasi shumë të madhe të rishpërndarjes së të ardhurave, por që nga fundi i viteve 1990 sistemi i saj fiskal u bë shumë më pak progresiv. Madje edhe modeli aktual skandinav, ai i cili merret rëndom si shembull edhe nga Bernie Sanders, ka ndryshuar në mënyrë dramatike, që prej shekullit XX-të.

Kështu, vlen të thuhet se debatet rreth socializmit dhe kapitalizmit janë kryesisht të padobishme. Ato injorojnë dhe errësojnë dimensionet e shumta të politikës, si dhe faktin se sistemet ndryshojnë e formësohen me kalimin e kohës. Si rrjedhim, duke u përqendruar tek to, gjetja e zgjidhjeve konkrete që nevojiten bëhet më e vështirë.

Në këtë rast do të ishte vërtet e nevojshme të kishte një terminologji të re për të përshkruar sistemet ekonomike vendet e industrializuara – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Japonia, Kina dhe vendet skandinave – si dhe mënyrën se si ato kanë evoluar dekadat e fundit. Megjithatë, në mungesë ose mangësi të saj, një gjë është e sigurt: dikotomia e kapitalizmit kundrejt socializmit, e trashëguar nga betejat ideologjike të dy shekujve të kaluar, është shumë e vjetruar. /Bloomberg/