Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

Plani për ringjalljen e Eurozonës, pika ku dështoi Emmanuel Macron

Nëse BREXIT tregoi se të lësh Bashkimin Evropian nuk është e lehtë, siç kishin premtuar euroskeptikët, situata e tanishme e Emmanuel Macronit tregon se besnikëria e plotë ndaj Bashkimit Evropian është po aq e vështirë për t’u mbajtur. Arsyeja është se vetë arkitektura e Bashkimit Evropian është e vështirë si për t’u prishur, për t’u mbajtur dhe për t’u reformuar.

Ndërkohë që klasa politike e Britanisë së Madhe është në qendër të vëmendjes për shkak të rrëmujës që u bë me BREXIT-in, Bashkimi Evropian është në një situatë të ngjashme, për shkak të dështimit kolosal për të civilizuar Eurozonën, si dhe prej rritjes së të djathtës ksenofobe.

Macroni ishte shpresa e fundit për Bashkimin Evropian. Si kandidat presidencial, ai tha se nëse nuk përparojmë me reforma, ne po vendosim ta shpërbëjmë Bashkimin Evropian, që është hapi i parafundit para shpërbërjes së plotë. Macroni nuk i ka kursyer detajet, duke përcaktuar kështu një plan reformash për të shpëtuar projektin evropian, si një skemë e përbashkët për sigurimet e depozitave bankare [për të mbyllur boshllëkun midis shteteve dhe bankave në prag falimentimi] dhe një parlament hibrid, të përbërë nga anëtarë të parlamenteve kombëtare si dhe të atij evropian, duke huazuar legjitimitetin demokratik nga të parët.

Që pas zgjedhjes si president, Macroni është përpjekur të bëjë një strategji me dy faza: gjermanizimi i tregut të punës dhe buxhetit të Francës, që praktikisht e bëri më të lehtë për punëdhënësit të pushojnë personelin nga puna gjatë krizave ekonomike. Kështu, në fazën e dytë ai mund të bindte Angela Merkelin qa t’ia mbushte mendjen klasës politike gjermane për të marrë përsipër reformën e tij për Eurozonën. Ishte një gabim spektakolar, ndoshta më i madh se i Theresa Mayit, e cila pranoi qasjen me dy faza ndaj negociatave për BREXIT-in.

Pasi Berlini merr atë që do në fazën e parë të negociatave, kancelarët gjermanë pastaj ose e kanë të pamundur të vazhdojnë të japin ndonjë gjë thelbësore në fazën e dytë, ose nuk duan. Ashtu siç përfundoi Theresa May pa asgjë konkrete në fazën e dytë apo deklarata politike, me të cilën të mundej të kompensonte zgjedhësit për gjithçka që kishte lëshuar në fazën e parë apo deklarata e tërheqjes, edhe Macroni pa t’i avullonte axhenda e Eurozonës menjëherë pasi u përpoq të gjermanizojë tregun e punës në Francë, bashkë me buxhetin. Rënia e turpshme që erdhi më pas, nga duart e ‘Jelekëve të Verdhë’, ishte e pashmangshme.

Historianët do ta shënojnë dështimin e Macronit si një pikë kthese në Bashkimin Evropian, ndoshta një që është më domethënëse se BREXIT-i, pasi i jep fund ambicies franceze për të krijuar një union fiskal me Gjermaninë. Rënien e ambicies reformiste të Francës mund ta lexojmë që tani në ‘Manifesti për të shpëtuar Evropën’, të shkruar së fundmi nga ekonomisti Thomas Piketty dhe mbështetësit e tij.

Profesor Piketty ka vite që punon fort për të krijuar reforma të Bashkimit Evropian. Manifest i parafundit u botua në vitin 2014. Është interesante të shohësh se si kanë ndikuar zhvillimet e fundit evropiane në propozimet e reja.

Në vitin 2014, Piketty solli tre propozime kryesore: një buxhet të përbashkët të Eurozonës, të financuar nga taksat të harmonizuara korporatash, të cilat do të zhvendoseshin drejt vendeve më të varfra, në formë investimi, kërkime dhe shpenzime shoqërore; mbledhje e borxhit publik, që do të thotë se vende si Gjermania e Holanda do të ndihmojnë vende si Italia e Greqia për të ulur borxhin; si dhe një dhomë parlamentare hibride. Me pak fjalë, diçka të ngjashme me axhendën e Macronit, që tani u tërhoq.

Katër vite më vonë, manifesti i Pikettyt ruan dhomën hibride parlamentare, por heq dorë nga ambiciet evropiane. Të gjitha propozimet për mbledhjen e borxhit, ndarjen e rreziqeve dhe të transferimeve fiskale janë hequr. Në vend të tyre ka sugjeruar që qeveritë kombëtare të mbledhin 800 miliardë euro, ose 4 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto të Eurozonës, nëpërmjet taksave të harmonizuara të korporatave, në nivel 37 për qind, nëpërmjet taksave më të larta mbi të ardhurat për një përqindshin e pasur; një taksë të re pasurie për ata që kanë më shumë se 1 milionë euro në asete; një taksë të re mbi dyoksidin e karbonit, në nivelin 30 euro për ton. Këto parà mund të shpenzohen brenda secilit komb që i ka mbledhur, pa bërë transferime drejt vendeve të tjera. Por nëse paratë vendase mblidhen dhe shpenzohen në vend, për çfarë duhet dhoma hibride në parlament?

Evropa vazhdon të mbajë si barrë banka të rritura tej mase, nga shtete të stresuara financiarisht dhe nga kursimtarët e zemëruar gjermanë, të cilëve u janë shkatërruar depozitat nga interesat negative, si dhe nga popullsia e futur në depresion. Këto janë pasojat e një krize financiare dhjetë vjeçare që është prodhuar nga mbajtja pa lëvizur e kursimeve, ndërkohë që borxhet vetëm shtoheshin. Vendosja e taksës ndaj të pasurve dhe ndaj atyre që ndotin, për të financuar rinovimin, emigrimin dhe tranzicionin drejt masave më të gjelbra, është vërtet për t’u admiruar. Por nuk mjafton për të zbutur krizën e Evropës.

Evropës i duhet një Marrëveshje e Re e Gjelbër. Kjo është ajo që do t’u jepet votuesve në zgjedhjet e Parlamentit Evropian nga Lëvizja Demokracia në Evropë, themelues i së cilës jam dhe unë.

Përparësia e madhe e Marrëveshjes së Re të Gjelbër është që po merret si shembull Marrëveshja e Re e Rooseveltit, në vitet 1930. Ideja jonë është të krijojmë 500 miliardë, çdo vit, me tranzicione të gjelbra përmes Evropës, pa i shtuar taksat as edhe një euro.

Kështu duhet të funksionojë. Banka Evropiane e Investimeve emeton bono të asaj vlere, duke pasur Bankën Qendrore Evropiane në gatishmëri për të blerë sa më shumë bono që të nevojiten nga tregjet dytësore. Bonot do të shiten shumë shpejt, pa dyshim, pasi tregu ka etje të dëshpëruar për asete të sigurta. Likuiditeti i tepërt që i mban interesat negative, e që po shkatërron sistemin gjerman të fondeve për pensione, do të përdoret menjëherë dhe Marrëveshja e Re e Gjelbër do të jetë e financuar plotësisht.

Pasi të jetë kthyer shpresa dhe zhvillimi i shpërndarë për të gjithë në Evropë, atëherë mund të debatohet për taksa të reja mbarë-evropiane mbi dyoksidin e karbonit, mbi kompanitë e pasura teknologjike, e kështu me radhë. Si dhe mund të krijohet stabiliteti që meriton zgjedhësi evropian.

Ndoshta Marrëveshja e Re e Gjelbër mund të krijojë klimën e duhur për një referendum të dytë të Britanisë së Madhe, që njerëzit atje të zgjedhin t’i bashkohen një Bashkimi Evropian më të mirë, më të gjelbër e më demokratike. /The Guardian/

Autor: Yanis Varoufakis – Është profesor i ekonomisë në Universitetin e Athinës dhe ish-ministër i Financave të Greqisë.