Search

Populli kundër Demokracisë

Rezultati i zgjedhjeve në Itali, ku partitë populliste dhe të ekstremit të djathtë fituan zgjedhjet, pas katastrofave – BREXIT në Mbretërinë e Bashkuar dhe zgjedhjes së Trump në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duket se do të forcojë me siguri një mendim të përhapur: populli ia shkaktoi vetes këto katastrofa. ‘Qytetarët e zakonshëm’, sipas kësaj pikëpamjeje, janë aq të irrituar dhe të keqinformuar sa bëjnë zgjedhje të tmerrshme. Disa shkojnë edhe më tej dhe ia atribuojnë atyre preferencat bashkëkohore për liderët anti-demokratikë. Në fakt, një libër i ri vlerëson se problemi është i këtillë – Njerëzit kundër Demokracisë.

Diagnoza të tilla janë shumë të gabuara. Duke u përqendruar te besimet individuale të njerëzve, ato nuk shohin arsyen strukturore për kërcënimet e demokracisë së sotme. Si rezultat, ato gjithashtu mësojnë gabim nga këto praktika. Nëse dikush beson vërtet se votuesit janë të paaftë apo joliberal, hapi i radhës i qartë është t’u hiqet më shumë fuqi vendimmarrëse atyre. Por, në vend që të kthehemi te teknokracia, duhet të zgjidhim problemet specifike në strukturë që kanë ndihmuar në triumfimin e politikanëve popullistë.

Ka shumë prova se shtetasit nuk ishin të mirinformuar siç do të donte teoria demokratike të ishin. Veçanërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, studiuesit politikë kanë treguar në mënyrë të përsëritur se një pikëpamje realiste e njerëzve dallon ndjeshëm nga dijet në librat civilë. Por zgjedhjet nuk janë as teste shtetësie dhe as provime në programe masteri të administratës publike. Votuesit nuk kanë nevojë për dije të detajuara dhe preferenca mbi çdo pyetje politike; orientimi i gjerë dhe kapaciteti për t’u udhëzuar nga autoritetet e besuara, politikanët, gazetarët apo mos e dhëntë Zoti, ekspertët – mund të mjaftojë.

Problemi fillon kur shtetasit e shohin çdo çështje si thelbësore të identitetit, duke bërë për shembull që besimi i shkencës klimatike të varet nëse dikush është republikan apo demokrat. Përkeqësohet kur identiteti partizan bëhet aq i fortë sa argumentet për legjitimitetin e tij hidhen poshtë kategorikisht.

Trump nuk u zgjodh si kandidat i një lëvizje vendore të humbësve të bardhë të globalizimit, por si lider i një partie tradicionale. Përpara Trump, kjo parti – dhe mbështetësit e saj në medien e krahut të djathtë – kishin filluar të demonizonin kundërshtarët e tij dhe efektivisht i thanë mbështetësve të tij se nuk mund të zgjidhnin kurrsesi ‘socialistë të stilit evropian’ apo kandidatë të tjerë jo-amerikanë. Kështu, republikanët që e pranonin tashmë se Trump nuk ishte i kualifikuar të ishte president, votuan për të gjithsesi.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, polarizimi nuk është objektiv reflektimi i diferencave të caktuara kulturore; ka qenë të paktën pjesërisht një projekt i vetëdijshëm elite për të përçarë popullin për avantazh politik dhe ndonjëherë edhe përfitim vetjak. Në fund të fundit, polarizimi është gjithashtu biznes i madh, siç tregojnë shifrat e mëdha të fitimit të Fox News dhe radios.

Vëzhguesit që mund të pretendojnë se Evropa është tani e ndarë në Perëndimin liberal-demokratik dhe një Lindje ku elektoratet shumë joliberale kanë sjellë në pushtet popullistë, bëjnë të njëjtin gabim kur shpjegojnë të gjithë rezultatet politike në terma kulturor. Ata gjithashtu, ia atribuojnë rezultatet autoritare asaj që dyshohet se ishte ‘ajo që votuesit donin’.

Por të kujtojmë zgjedhjet thelbësore në Hungari në 2010 dhe në Poloni në 2015: siç ka theksuar dhe kolegu im Kim Lane Scheppele, votuesit bënë pikërisht atë që teoria demokratike u thoshte atyre që duhet të bënin në një sistem dypartiak. Në Hungari, një rekord ekonomik në rënie dhe korrupsioni diskredituan partinë kryesore të majtë, ndaj qe koha për të votuar palën tjetër. Në Poloni, Platforma Civile e qendrës së djathtë kishte një rekord ekonomik të shkëlqyer por perceptohej gjerësisht se e kishte mbajtur pushtetin për shumë gjatë.

Në vitin 2010, Viktor Orban nuk bëri fushatë se premtimi për të hartuar një kushtetutë të re, dobëson kontrollet dhe balancat dhe ul pluralizmin në media. Në vend të kësaj, ai e prezantoi veten si një kristian-demokrat të aftë. Në Poloni, partia Ligj dhe Drejtësi doli nga roli i vet për t’u portretizuar si një parti konservatore e arsyeshme që donte të sillte më shumë përfitime për familjet me fëmijë.

Shumë njerëz i mbanin mend performancat e zymta dhe polarizuese të liderit të kësaj partie Jarosław Kaczyński si Kryeministër nga 2006 deri në 2007. Por Kaczyński u largua nga vëmendja dhe la dikë tjetër të drejtonte qeverinë. Edhe sot ai është thjesht një anëtar i parlamentit – ndonëse kontrollon administratën nga prapa skenës.

Me të marrë pushtetin, popullistët si Orban janë angazhuar në mirëqenien kulturore. Në emër të ‘bashkimit kombëtar’ ata kanë përçarë shoqëritë e tyre, shtuar këtu marrjen në kontroll të medies, duke manipuluar opinionin publik për të mbajtur pushtetin.

Sa për Amerikën, ideja nuk është të vajtohet për tendencat autoritare të njerëzve, por të zgjidhen problemet strukturore që kanë nxitur popullistët të ecin përpara. Për shembull, jo gjithçka që popullistët thonë rreth atyre që janë ‘lënë pas’ është e gabuar; nuk është as e gabuar përherë të dyshohet se pjesë të shtetit janë kapur nga interesa të veçanta. Por këto përkeqësime të nivelit të parë duhen artikuluar dhe përfaqësuar me ndihmën e medies dhe partive politike. Është media dhe sistemet partiake që po dështojnë fuqishëm në shumë vende dhe që kërkojnë rindërtim sistematik.

Sigurisht duhet arsim civil më cilësor që mund të ndihmonte edhe më tej. Arsim i tillë ka qenë në rënie për dekada, sepse nuk përputhet me kurrikulën që bazohet kryesisht te testimi standard. Nëse bëhet siç duhet, merr shumë kohë dhe dallon nga lëndët që aktualisht shihen si të dobishme, por në kuptimin afatgjatë do të kontribuojë më gjerësisht në suksesin ekonomik. Arsimi civil mund të jetë thelbësor për të ndihmuar të rinjtë të menaxhojnë mosmarrëveshjet dhe të shohin shtetasit e tjerë si të rëndësishëm në konfliktet demokratike. Ndryshimet kulturore nuk duhet të zhduken, por nëse njerëzit vetë mësojnë të bashkëjetojnë me to, popullistët nuk do t’ia dalin t’i përdorin si armë politike. /Gazeta Ekonomia

Autor: Jan-Werner Muller – Është profesor i politikës në Universitetin Princton. Libri i tij i fundit është ‘Çfarë është Populizmi?’

Përgatitur dhe botuar ekskluzivisht nga Gazeta Ekonomia, me autorizim të Project Syndicate. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate.