Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

Pse Kina nuk është më shpëtimtarja e madhe e ekonomisë botërore?

Treguesit e recesionit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po rriten edhe më shpejt dhe aktualisht ka një arsye më të madhe pse bota duhet të shqetësohet: Kina nuk duket se është më shpëtimi i ekonomisë botërore.

Vetëm javën e kaluar, indeksi i prodhimit të në këtë vend ra papritur në vlerën e tij më të ulët në një dekadë dhe pagat në ndërmarrjet private u rritën më pak se parashikimi. Kjo situatë i ka shtyrë ekonomistët të pyesin madje, pse kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës i është afruar ritmit më të ngadaltë të rritjes, ende nuk po merren mjaftueshëm masa për t’u kujdesur për recesionin. Fondi Monetar Ndërkombëtar, ndërkohë, ka të ngjarë të minimizojë vlerësimet e rritjes botërore këtë muaj.

Por duke hedhur vështrimin drejt rasteve të ngjashme të së kaluarës, një nga motorët që riktheu mjedisin botëror pas vitit 2001 dhe katastrofës ekonomike që filloi në vitin 2007, ishte pikërisht Kina. Asokohe, ndërsa kriza financiare u përshkallëzua, Pekini uli normat e interesit, të cilat ngjallën kërkesën për gjithçka, që nga qymyri australian deri tek makinat gjermane. Ama diçka e tillë nuk ka gjasa të shihet këtë herë. Pekini ka treguar pak interes për një raund tjetër stimujsh masivë fiskalë.

Ndërsa, ekonomia kineze është zvarritur me vështirësi, që pas fillimit të konflikteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendosjes së tarifave monetare, autoritetet kanë qenë shumë të kujdesshëm për mënyrën se si po a trajtojnë këtë.

Ekonomistët vazhdojnë të parashikojnë ulje të normës bazë të interesit, por deri tani kjo nuk ka ndodhur në të njëjtën linjë me homologet e tjera botërore, që tashmë kanë arritur në fazën e uljes së normave. Banka Popullore e Kinës ka preferuar të frenohet ndaj kërkesave të huamarrësve, pasi zyrtarët përqendrohen në mënyrën më të mirë për të kanalizuar kredinë për sektorë të caktuar të botës së biznesit. Thënë kjo, lehtësim të qartë monetar ende nuk ka pasur!

Por për perspektivat e një rimëkëmbjeje botërore, kjo nuk është diçka pozitive. Kriza financiare ka parë uljen e koordinuar të normave nga bankat qendrore në botë, me pjesëmarrjen e vakët të Kinës, në një kohë kur përfshirja e Pekinit e bën vendin një lojtar serioz në rendin monetar botëror.

Kështu natyrshëm lind pyetja, sa të ngjarë ka që Banka Popullore e Kinës të nënshkruajë përsëri një ujdi me Rezervën Federale? Trump ka krahasuar kryetarin e Rezervës Federale, Jerome Poëell me presidentin Kinez Xi Jinping dhe kjo, megjithëse si shenjë dëshpërimi në ndjekje të qëllimeve afatshkurtra, ka shkaktuar jo pak tensione.

Nga ana tjetër ekonomia kineze, megjithëse së fundi me shenja dobësimi, përgjatë viteve ka pasur një ecuri shumë pozitive. Aq më tepër që, në kushtet aktuale, ekonomia kineze është shumë më e fortë se sa në krizat botërore të viteve më parë. Produkti i Brendshëm Bruto aktualisht rezulton rreth 14 trilionë dollarë, krahasuar me pothuajse më shumë se një trilion dollarë në vitin 2001 dhe rreth katër trilionë dollarë në 2007. Firmat kineze vazhdojnë investimet në vendet fqinje dhe huadhënësit e financuar nga Pekini si Banka e Investimeve për Infrastrukturën Aziatike mund të sigurojnë mjaftueshëm para për ekonomitë në vështirësi.

Ama le të mbajmë të dhënat në perspektivë! Tani Kina po regjistron një rritje ekonomike tremujore prej rreth 6 për qind, jo 15 për qind sa shënonte në vitin 2007 dhe afërsisht 10 për qind në vitin 2001.

Vërtet jo çdo recesion është si i vitit 2007, pasi ato nuk shoqërohen gjithmonë me kolaps financiar. Ama rënia tjetër, kurdo që të vijë, do të jetë akoma më e dhimbshme, kështu që Shteteve të Bashkuara të Amerikës do i duhet të kërkojë një partner tjetër botëror, për të mundur të përballojë kostot e një krize madhore. Veçse këtë herë ndoshta është gabim të presësh që të jetë Kina – ajo nuk është vetëm më pak e gatshme, por edhe më pak e aftë! /Bloomberg/