Search

Pse pati rëndësi Kupa e Botës ‘Rusia 2018’?

Filozofi dhe satiristi i shekullit të XVII-të, Jean de La Bruyère, dikur thoshte se “Corneille i portretizon burrat ashtu siç ata duhet të jenë, Racine i përshkruan ata ashtu siç ata janë”. Për evropianët, e sidomos për francezët, Kupa e Botës ‘Rusia 2018’ ishte një ngjarje Corneilliane, turneu një mujor i futbollit ofroi një pushim nga një botë e trazuar dhe zbuloi engjëjt më të mirë të natyrës sonë.

Në kundër-realitetin e turneut, mbizotëroi një gjendje e vetëbesimi, altruizmi dhe të qenit i hapur ndaj ‘tjetrit’. Të paktën për pak kohë, shovinizmi, tjetërsimi dhe dëshpërimi që kanë dominuar këtë epokë nacionalizmi populist duket se u harruan.

Gjeografikisht, të katër gjysmë finalistët – Franca, Kroacia, Belgjika dhe Anglia – vinin nga kontinenti i vjetër. Denoncojeni sa të doni Evropën për dobësinë dhe dekadencën e saj të supozuar. Kur bëhet fjalë për sportin më popullor në botë, Evropa është më e mira.

Për më tepër, është e qartë se Afrika është kontinenti i futbollit të së ardhmes, ndërsa Amerika Latine është kontinenti i së kaluarës. Pasi fitoi Kupën në vitin 1930 dhe përsëri në vitin 1950, Uruguai dikur ishte vendi më i vogël (nga popullsia) që arriti në finale. Por ky nder tani ndahet tani nga ekipi i guximshëm dhe i vendosur nga Kroacia, shteti më i ri i Bashkimit Evropian.

Në kontrast të thellë me ‘botën reale’, dy fuqitë kryesore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kina, nuk luajtën asnjë rol në turne. Ëndrra e ish-Sekretarit amerikan të Shtetit, Henry Kissinger, për t’i kthyer Shtetet e Bashkuara të Amerikës në një fuqi të madhe futbolli vërtetoi të ishte më e vështirë nga sa shpresonte ai. Dhe Kina nën drejtimin e presidentit Xi Jinping mbetet një peshë e lehtë, pavarësisht se ka investuar miliarda dollarë në sport. Në vend të kësaj, Amerika e Veriut u përfaqësua nga Meksika dhe Azia nga Japonia dhe Koreja e Jugut.

Divergjenca e çuditshme midis botës reale dhe botës së futbollit këtë vit ishte gjithashtu e dukshme në shprehjet e emocioneve nacionaliste. Shkrimtari i madh argjentinas Jorge Luis Borges dikur e dënoi sportin për rolin e tij në nxitjen e formave toksike të nacionalizmit, siç ishte Lufta e shkurtër e Futbollit midis Hondurasit dhe El Salvadorit në vitin 1969. Por në Kupën e Botës 2018 – një shekull pas përfundimit të kasaphanës nacionaliste që ishte Lufta e Parë Botërore – mbizotëroi një nacionalizëm ‘i butë’ dhe madje i qetë.

Rusia zor se është një eksponent i fuqisë së butë, megjithatë ajo meriton merita për mungesën e dhunës gjatë turneut. Raportet e shtypit ndërkombëtar treguan tifozët ukrainas dhe rusë që u bashkuan si miq të vjetër. Ndërsa festivali Woodstock i epokës së luftës së Vietnamit ilustroi sloganin “Bëni dashuri, jo luftë”, slogani de-facto i Kupës 2018 duket se ka qenë “Topa, jo bomba”.

Përveç kanalizimit të një forme më konstruktive të nacionalizmit, gjysmëfinalistët dhe tifozët e tyre gjithashtu mishëruan veprim efikas kolektiv, altruizëm, sinqeritet dhe tolerancë. Interesante është se ekipet që mbështeteshin tek një lojtar i vetëm i madh – qoftë ky Cristiano Ronaldo i Portugalisë, Lionel Messi i Argjentinës apo Neymar i Brazilit – nuk arritën të shkonin më larg sesa deri në çerekfinale.

Në botën rele të ditëve të sotme, njerëzit gjithnjë e më shumë janë të tunduar të ngrenë mure dhe ta izolojnë veten nga ‘të tjerët’. E megjithatë, forca e ekipit fitues, Franca, ishte në diversitetin e tij. Brohoritja e këtij viti e “Liberté, Egalité, Mbappé”, për 19-vjeçarin francez Kylian Mbappé, ishte një version më iluminues i sloganit të fitores së Francës në vitin 1998: “Zidane president”.

Në prag të zgjedhjeve presidenciale franceze të vitit 2017, shumë komentatorë politikë përsëritën mantrën “asnjëherë dy pa tri”. Pas referendumit të BREXIT-it të Britanisë së Madhe dhe zgjedhjes së presidentit amerikan Donald Trump, ata paralajmëruan se një fitore për Marine Le Pen të Fronti Kombëtar i ekstremit të djathtë mund të përfundonte treshen. Në mënyrë të ngjashme, në fillim të vitit 2018, shumë komentatorë francezë dukej se mendonin se po i afroheshim një tjetër ‘Maj 1968’ ose ‘Dhjetor 1995’, kur sulmet masive dhe protestat në rrugë paralizuan të gjithë vendin.

Megjithëse ka pasur sulme të kufizuara kundër axhendës së reformës së presidentit francez, Emmanuel Macron, këta komentatorë e kanë kuptuar gabim. Paralelja më i afërt me këtë vit nuk është viti 1968 ose 1995, por viti 1998, kur Franca fitoi për herë të parë Kupën e Botës.

Brenda vendit, fitorja e Francës mund të ketë pak efekt, në mos edhe aspak. në popullaritetin e Macronit. Emocionet e futbollit janë të mëdha, por në përgjithësi janë të shkurtra. Në skenën ndërkombëtare, megjithatë, fitorja e Francës mund të ketë një ndikim më të gjatë. Askush nuk mund ta mohojë se ‘Franca u rikthye’, të paktën në aspektin e futbollit. Vendi është shfaqur si një oazë dinamizmi, realizmi dhe entuziazmi rinor, shumica e të cilave reflektohen edhe te vetë Macroni.

Një pikë e dobët e dukshme është Gjermania. Zakonisht një fuqi e madhe në futboll, ekipi gjerman u eliminua në raundin e parë të turneut të këtij viti, ashtu si edhe politika e saj po hyn në një sëmundje më të thellë. Në terma gjeopolitikë, nëse dikush do të duhet të përmente dy fitues këtë vit, titujt do të duhet të shkonin për Rusinë dhe Francën. /Gazeta Ekonomia/

Autor: Dominique Moisi – Është profesor në L’Institut d’Ètudes Politiques de Paris dhe këshilltar i Lartë në Institutin Francez të Çështjeve Ndërkombëtare.

Përgatitur dhe botuar ekskluzivisht nga Gazeta Ekonomia, me autorizim të Project Syndicate. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate.