Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

Revista ‘Entrepreneur’ rendit shqiptaren Rudina Seseri në 100 gratë më me ndikim në botë

Revista “Entrepreneur” ka renditur ish-deputeten shqiptare Rudina Seseri si një ndër 100 gratë më me ndikim në botë.

Seseri u zgjodh deputete e Kuvendit të Shqipërisë në vitin 2009 dhe e mbajti postin për dy vite, teksa dha dorëheqje për arsye personale, që me siguri lidhen me planet e saj në fushën e ndërmarrësisë.

“Inteligjenca artificiale po riformulon jetën tonë. Çfarë na pret tashmë? Kjo është ajo çfarë po përpiqet të zbulojë Rudina Seseri”, shkruan revista në arsyetimin e saj, përcjell Telegrafi.

Ajo në vitin 2016 themeloi Glasswing Ventures, një kompani kjo që po ndihmon në ndërtimin e gjeneratës tjetër të kompanive teknologjike dhe inteligjencës artificiale. Kompania me bazë në Boston prezantoi fondin e saj të parë prej 112 milionë dollarësh në vitin 2018 dhe që atëherë ka investuar në 19 biznese.

Në muajin qershor 2019, Glasswing Ventures prezantoi një platformë përshpejtuese për të ndihmuar themeluesit të ecin më shpejt me ndihmën e 34 këshilltarëve dhe me një bazë të dhënash nga 16 mijë individë që firmat e reja përdorin për të gjetur talentin.

Teksa themeloi kompaninë, Seseri thotë se i kushton çdo javë kohë të menduarit.

“Diçka që mund të neglizhohet lehtësisht është koha e të menduarit. Bëni një hap pas dhe reflektoni: Ku jam? Ku po shkojmë?”, vijon shkrimi.