Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

Rifillojnë bisedimet tregtare ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës

Kanë rifilluar përsëri bisedimet mes zyrtarëve të lartë të tregtisë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kinës, në lidhje me arritjen e një marrëveshjeje, pas valës së sanksioneve që degradoi në një luftë tregtare, e cila prej muaj ka goditur tashmë ekonominë në rang botëror.

Kështu, vetëm një ditë pasi palët u ulën përsëri në tryezë, presidenti amerikan Donald Trump ka theksuar se dita e parë e negociatave, mbajtur të enjten, shkoi shumë mirë dhe se vetë ai po planifikon të takohet me negociatorin e lartë kinez.

“Bisedimet midis zëvendëskryeministrit kinez Liu He, përfaqësuesit amerikan Robert Lighthizer dhe sekretarit të Thesarit, Steven Mnuchin pritet të vazhdojnë të premten”, u tha Trump gazetarëve ndërsa largohej nga Shtëpia e Bardhë.

Megjithatë, pavarësisht frymës pozitive gjatë këtyre dy ditëve, ende asgjë nuk është e sigurt. Bisedimet e para të nivelit të lartë, gjatë fundit të korrikut nuk pate sukses dhe aktualisht lufta tregtare 18-mujore, po rezulton në një kosto thellësisht negative për ekonominë botërore dhe prodhimin amerikan.

“Sapo kemi përfunduar një takim me Kinën. Po shkon shumë mirë dhe kemi një tjetër nesër. Unë po mendoj të takohem me zëvëndëskryeministrin kinez në Shtëpinë e Bardhë dhe mendoj se do të shkojë vërtetë mirë edhe me të”, shtoi Trump.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kina janë shfaqur të gatshëm të punojnë të paktën drejt një marrëveshje të pjesshme, për të lënë çështjet më të rëndësishme për diskutime të mëvonshme.

Sidoqoftë, Trump përsëriti se ai do të preferonte një marrëveshje të plotë. Pa zhvillime pozitive nga bisedimet tregtare, Shtetet e Bashkuara do të rrisin përsëri tarifat ndaj importeve kineze në 30 për qind nga 25 për qind, brenda 15 tetorit dhe shuma pritet të arrijë mbi 250 miliardë dollarë.

“Pavarësisht zhurrmave të deritanishme nga takimi, njoftimi i një takimi të premten është i rëndësishëm. Unë kam qenë në atë dhomë në të kaluarën dhe përfshirja e drejtpërdrejtë e presidentit ka ndihmuar gjithmonë që procesi të ecë përpara”, është shprehur Clete Willems nga Akin Gump, më parë këshilltar tregtar i Trump, me shpresën se e premtja do sjellë zhvillime edhe më pozitive.

Pas zhvillimeve në dukje pozitive nga tryeza e bisedimeve, indeksi S&P 500 i bursës e mbylli sesionin më lart për të dytën ditë rradhazi, duke u rritur me 0.6 për qind. Edhe rezervat në Azi fituan shumë pike nisur nga optimizmi se mund të arrihet një armëpushim. /Gazeta Ekonomia/