Search

Rifillon prodhimi i xehes në ‘Ferronikel’

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të ‘Ferronikelit’, Fehmi Nika, ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet për rifillimin e mbarë të prodhimit në gjigantin e madh ekonomik kosovar, ndërkohë që drejtori për Zhvillim Ekonomik në Drenas, Skender Hasi, tha se Komuna ka marrë konfirmimin nga ‘Ferronikeli’ për rifillimin e prodhimit nga dita e hënë.

Pas një pushimi të gjatë mbi 6 muaj, duket se prodhimi në ‘Ferronikel’, në gjigantin e dytë më të madh kosovar, pas ‘Trepçës’, do të rifillojë nga dita e martë. Kështu të paktën ka lënë për t’u kuptuar kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të ‘Ferronikelit’, Fehmi Nika, ndërkohë që është konfirmuar edhe nga drejtori i Drejtorisë për Bujqësi dhe Zhvillim Ekonomik në Komunën e Drenasit, Skender Hasi.

Derisa Nika ka qenë shumë i paqartë, drejtori Hasi ka thënë se ka marrë një lajm të mirë nga ndërmarrja ‘Ferronikeli’, sipas të cilit prodhimi atje ka filluar të hënën.

“Është një lajm i mirë që kemi marrë nga ‘Ferronikeli’, prodhimi atje ka filluar që nga sot (e hënë), u bë mirë sepse në të kundërtën mbi 1 mijë punëtorë do të kishin humbje të mëdha”, ka thënë Hasi, i cili ka precizuar se mbi 1 mijë punëtorë duke llogaritur edhe kontraktuesit do të kishin humbje vjetore prej mbi 4 milionë eurosh.

Drejtori i Drejtorisë për Bujqësi dhe Zhvillim Ekonomik në Komunën e Drenasit, Skender Hasi, tha se Komuna ka marrë konfirmimin se punëtorët i janë kthyer punës, se atyre u janë dhënë kontratat dhe se gjithçka është mirë, ashtu edhe siç ka konfirmuar menaxhmenti i ‘Ferronikelit’.

“Gjithçka është mirë, edhe vetë punëtorët e thonë këtë dhe ata janë të kënaqur që prodhimi do të rifillojë”, ka thënë mes tjerash drejtori për Bujqësi dhe Zhvillim Ekonomik në Komunën e Drenasit, Skender Hasi.