Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

Rihapet debati i ndërhyrjes së Facebookut në zgjedhjet amerikane

Me afrimin e zgjedhjeve presidenciale amerikane të vitit të ardhshëm, është rihapur përsëri debati, lidhur me vendimin e Facebookut për të lejuar fushatën e presidentit Donald Trump të paguajë për reklama në platformë.

Kjo tingëllon akoma më serioze pas fushatës së vitit 2016, kur rrjeti social mendohet se ka përdorur pa leje të dhënat personale të përdoruesve, për ndërhyrjen në zgjedhje, duke favorizuar Presidentin Trump.

Facebook duke argumentuar vendimin është shprehur se, si kompani private, ajo nuk ka fuqinë për të censuruar udhëheqësit që paguajnë për të qenë atje edhe nëse ata gënjejnë.

Sipas perspektivës së tyre, jo detyrimisht gënjeshtrat shpërndahen me dijeni të plotë, por përhapen përmes ligjërimit politik të liderëve.

Nga kjo pikëpamje, argumenti i Facebookut mund të jetë bindës, pasi kompania ka ndihmuar në krijimin dhe forcimin e masave, me anë të të cilave përdoruesi e zgjedh vetë çfarë do të shohë apo dëgjojë në llogarinë e tij. Kështu përdoruesit e Facebookut mund të ndjekin dhe angazhohen vetëm përmbajtjet me të cilat pajtohen.

Por duke pasur parasysh se Feed News në Facebook përcaktohet nga një algoritëm dhe mënyrën se si reklamat synohen drejt një grupi të caktuar përdoruesish kur janë të sponsorizuara, është plotësisht e mundur që një përdorues i Facebookut të mund të shohë një reklamë false nga një fushatë edhe pa e zgjedhur me dëshirë atë.

Demokratët nga ana tjetër, kritikë të ashpër të përqasjes së Facebook në lidhje me politikën, që pas fitores së Donald Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë, po i bëjnë thirrje Facebookut që të ushtrojë edhe më shumë kontroll kur bëhet fjalë për vendime e fjalime politike. /Gazeta Ekonomia/