Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

Rreth 352 mijë ndërtime nuk e kanë të trajtuar aspektin sizmik

Në Kosovë janë rreth 352 mijë ndërtime pa leje, thonë në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH). Ky numër i madh i ndërtimeve pa leje, ndër vite është ngritur si shqetësim, jo vetëm për shkak të dëmtimit të infrastrukturës urbane, por edhe për shkak të sigurisë së qytetarëve, pasi që ndërtimet janë zhvilluar pa mbikëqyrjen e organeve gjegjëse.

Më 5 shtator të 2018-së, ka hyrë në fuqi Ligji i ri për Trajtimin Ndërtimeve Paleje. Por, edhe pas më gjatë se një viti që kur ka hyrë në fuqi, legalizimi ka mbetur vetëm si një proces, ngase ende nuk ka legalizime me ligjin e ri.

Ky Ligj e kishte shfuqizuar Ligjin paraprak, i cili kishte afatin kohor për tre vjet – nga 4 shkurti 2014 deri në datën e njëjtë të vitit 2017.

Florin Grajçevci, ekspert i inxhinierisë së ndërtimit dhe profesor në Fakultetin e Ndërtimtarisë, tha për Radion Evropa e Lirë, se në Kosovë ndërtimet ndahen në dy kategori, ato formale dhe joformale.

“Ndërtimet formale i konsiderojmë si objekte që nuk kanë projekt, nuk kanë llogari dhe nuk janë të trajtuara nga aspekti sizmik. Ndërkaq ato joformale janë të trajtuara në kuptimin e efekteve të goditjeve sizmike”, tha Grajçevci.

Sipas tij, për të bërë një vlerësim të situatës organet e pushteti lokal duhet të ngrenë trupa për të bërë vlerësime të gjendjes së objekteve formale se në çfarë kushte janë ato, në aspektin e sigurisë.

“Pra, duhet bëhet vërtetësia e sigurisë pasi ka njerëz që jetojnë në to”, theksoi ai.

Në anën tjetër Servet Spahiu, drejtor i departamentit të ndërtimit në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, bëri të ditur se çështja e legalizimit në Kosovë ka filluar si proces dhe tashmë janë dorëzuar qindra aplikacione nga ana e qytetarëve.

Por, sa janë të sigurta në aspektin sizmik, zoti Spahiu jep një qëndrim.

“Unë nuk mund të them se sa janë të sigurta objektet sepse nuk kemi bërë një vlerësim. Pa e pasur një vlerësim nuk mund të flasim. Ndryshe për dy javë kemi pasur 144 aplikime. Legalizimi bëhet në dy forma, objektet familjare, pra shtëpitë që janë procedura më të lehta për legalizim dhe ato që i tejkalojnë shtëpitë familjarë si kategori e dytë. Kategorisë së dytë i bëhet inspektimi në aspektin e qëndrueshmërisë, kërkohet dokumentacion shtesë dhe kërkohet certifikim nga një ekspert se a mund të legalizohet”, tha Spahiu.

Në Komunën e Prishtinës, zëdhënësja Miranda Mullafazliu tha se në fazën e inspektimit nuk mund të dihet se sa janë të sigurta objektet, pasi ajo bëhet në fazën para se tu jepet leja e ndërtimit kontraktorëve.

“Kur pala ndërtuese pajiset me leje ndërtimi, në bazë të lejes kryhen edhe inspektimet. Inspektimet kryhen në punishte nga fillimi deri në fund se a janë duke u përmbushur standardet në bazë të projektit që pronari e ka marrë lejen. Aty ku evidentohen shkeljet, ndëshkohen sipas procedurave të parapara me ligj. Nëse nuk përmbushen kushtet për të marrë lejen, iu refuzohet leja e ndërtimit”, tha Mullafazliu.

Derisa Ilir Gjinolli, arkitekt, duke folur për Radion Evropa e Lirë, tha se në Kosovë për çdo projektim që i bëhet objektit të banimit nga ana e arkitektëve, zbatohet edhe rregulla e euro kodit 8, i cili e parasheh stabilitetin sizmik.

Euro kodi 8 nënkupton rregull teknik të projektimit të ndërtimeve rezistente ndaj tërmeteve.

Por, ai thotë se më pas duhet të ketë inspektime të vazhdueshme nga ana e inspektorëve (organeve kompetente) për të parë nëse këto kode aplikohen gjatë punimeve.

“Prej përvojës që ne kemi në projektim të ndërtimeve të banimit, në Kosovë zbatohen rregullat e euro kodit i cili trajton stabilitetin e ndërtesave me forcat sizmike, pra të tërmeteve. Dhe po besoj që secili që merret me ndërtim e di që tërmetet kanë gjasa të ndodhin dhe të gjithë i kushtojnë rëndësi kësaj. Nuk lihet anash dhe besoj ndërtesat janë të sigurta. Mirëpo duhet të ketë inspektim të rregullt gjatë ndërtimit, sigurisht nga ana e Komunës”, tha Gjinolli.

Sipas Regjistrit Kombëtar të Ndërtimeve Pa Leje, ku janë të regjistruara ndërtimet ilegale deri në shtator të vitit 2015, Prishtina ka numrin më të madh të ndërtimeve ilegale apo më shumë se 46 mijë.

Në pesëshen e komunave më së shumti ndërtime pa leje hyjnë edhe Ferizaj e Gjilani me nga 32 mijë ndërtime ilegale, Prizreni me 27 mijë dhe Malisheva me 19 mijë sosh.

Ndërsa nga 15 mijë ndërtime ilegale janë evidentuar në Lipjan dhe Suharekë, nga 14 mijë në Drenas dhe Rahovec, 13 mijë në Pejë, nga 12 mijë në Dragash dhe Klinë, 11 mijë në Deçan, ndërsa komunat tjera më pak se 10 mijë ndërtime pa leje. /REL/