Search

Rreziku nga koncepti i cekët për demokracinë

Në dekadat e fundit, shumë në Perëndim kanë pranuar një koncept të ngushtë të asaj se për çfarë shërbejnë ekonomia dhe demokracia. Ekonomia është që të na pasurojë neve, ose më e pakta të na paguajë faturat. Ajo mendohet të qëndrojë pas rritjes së tregut të aksioneve dhe Produktit të Brendshëm Bruto. Demokraci është të votosh për dikë që është në anën tënde. Këto të dyja lidhen kur voton për dikë që premton se do të të pasurojë ose të paktën të reduktojë taksat.

Me rrezikun e deklarimit të asaj që është bërë e dukshme në vitet e fundit, kjo pikëpamje materialiste e ekonomisë dhe demokracisë është në rastin më të mirë e dobët dhe e rrezikshme në rastin më të keq. Pakënaqësia ekonomike e tejzgjatur apo koncepti ynë i cekët për demokracinë kanë lënë pas një boshllëk shpirtëror, që i ka çuar votuesit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Evropë dhe Amerikën e Jugut drejt populistëve të zemëruar dhe nacionalistëve që ofrojnë një qasje tjetër, të bazuar te kombi.

Por ka edhe një traditë demokratike, pothuajse e zhdukur, sipas të cilës synimet e një demokracie dhe një qytetërimi të denjë janë të lidhura në mënyrë të pakthyeshme me zhvillimin e shëndetshëm të qytetarëve të tij përgjatë dimensioneve sociale, intelektuale dhe shpirtërore.

Sipas një konceptimi të vjetër, një demokraci e madhe është ajo që shërben si ena ku ‘gatuhet’ karakteri i mirë dhe individi që ndjek një jetë të vlefshme që përfshin, por gjithashtu edhe shkon përtej asaj që është thjesht siguri materiale.

Ky version i demokracisë nuk e vendos fokusin në kutinë e votimit apo në kasetën e faturave, por në cilësinë e jetës së qytetarëve. Duke vepruar kështu, ai njeh që rritja e shëndetshme personale kërkon njëkohësisht liritë dhe siguritë që bëjnë të mundur zhvillimin njerëzor.

Parë në këtë këndvështrim, të gjithë qytetarët duhet të kenë sigurinë për të tejkaluar betejat e për t’u ndier të sigurt, si edhe të kenë lirinë për të kërkuar më shumë. Siç është shprehur njëherë juristi amerikan, Louis Brandeis se “e drejta për jetën, e garantuar nga Kushtetuta jonë, duhet të kuptohet si e drejta për të jetuar dhe jo thjesht për të ekzistuar”.

Opinioni i Brandeis ka ndikime radikale për atë se si duhet të jetë një vend dhe ekonomia e tij. Në veçanti, kjo pikëpamje kërkon që ne të pranojmë, të kufizojmë dhe të balancojmë rreziqet e shtypjes së qeverisë dhe të shtrëngimit privat në jetën tonë. Kjo do të thotë mbrojtje kundër censurës qeveritare dhe shtypjes, për të qenë të sigurt. Por kjo gjithashtu nënkupton liri nga dominimi industrial, shfrytëzimi, apo shumë pasiguri ekonomike për ata që vazhdimisht i frikësohen papunësisë ose varfërisë.

Siç shkruan Brandeis, askush nuk është me të vërtetë i lirë “nëse varet industrialisht nga vullneti arbitrar i një tjetri”.

Që nga revolucioni industrial, ne na është dashur të merremi me rritjen e fuqisë private, dikur në formën e trusteve apo karteleve, tani në formën e korporatave gjigante, monopoleve dhe kompanive shumëkombëshe. Fuqia dhe pasuria e këtyre subjekteve mund të tejkalojnë edhe ato të qeverive. Sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ato i kanë pretenduar shumë nga të drejtat politike të qytetarëve për veten e tyre: të drejtën e fjalës së lirë, të shpenzojnë para për të ndikuar në politikë dhe për ushtrimin e lirë të fesë së korporatave, pothuajse çdo gjë, përveç se, deri më tani, të drejtën për të votuar.

Për shumicën e njerëzve në vendet e industrializuara sot, ndjesia jonë e autonomisë dhe sigurisë është njësoj, nëse jo më shumë, e ndikuar nga forcat dhe strukturat ekonomike private sesa nga qeveria. Kushtet e punës – nga madhësia e pagës dhe gjatësia e orëve të punës, deri te kërcënimet për heqje nga puna, ngacmimet ose keqtrajtimi nga pronarët, madje edhe për sigurinë personale – tani në masë të madhe këto përcaktojnë se sa nga jeta jonë ne jetojmë me të vërtetë.

Jashtë punës, jetët tona të përditshme formësohen thellësisht nga çështjet ekonomike si qiraja, qasja në transport ose produktet ushqimore, sigurimi shëndetësor edhe më shumë sesa nga ndonjë liri abstrakte. Prandaj, liria e vërtetë duhet të kuptohet si liria nga detyrimi publik dhe privat, një pikë që është harruar plotësisht nga të ashtuquajturit libertarianë, konservatorët dhe madje edhe shumica e neoliberalëve.

Kjo çon në një zbulim thelbësor të mëtejshëm, se pushteti i të mëdhenjve – dominimi i ekonomisë dhe politikës nga firmat gjigante – është një mallkim.

Nga këndvështrimi i lirisë individuale, ekziston një dallim thelbësor mes një ekonomie të dominuar nga kompanitë gjigante shumëkombëshe dhe një ekonomie që ka shqetësime shumë më të vogla dhe është në gjendje konkurrence. Kur fuqia private është e përqendruar, korporatat mund të fillojnë t’i ‘nxjerrin nga rreshti’ ata që kanë kërkesa. Ka një rritje të asaj që konsiderohet çnjerëzore dhe ne harrojmë idenë që qëllimi kryesor duhet të jetë zhvillimi njerëzor.

Kushtet e punës e bëjnë këtë dinamikë veçanërisht të qartë. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, punëtorët janë rregullisht subjekt i shkeljeve që shkojnë nga shkelje invazive deri te tirania e drejtpërdrejtë. Punëtorët në punët e nivelit më të ulët ndalohen rregullisht të zhvillojnë qoftë edhe biseda të rastësishme ose të zgjatura përtej një kohe të caktuar [Walmart i quan këto ‘vjedhje kohe’], u është mohuar përdorimi i tualetit [zinxhiri i dyqaneve Tyson], ndiqen në forma të ndryshme edhe pas largimit nga puna [Amazon] u bëhen teste të drogës edhe për punë rutinë.

Më gjerësisht, rritja e punës me kohë të pjesshme ka pasur efekte thellësisht të dëmshme dhe gërryese mbi mënyrën se si punonjësit e jetojnë jetën në të vërtetë. Ndoshta më e keqja, fuqia private, siç përjetohet në formën e një pune të padurueshme, mund të shkatërrojë jetën familjare. Kjo ka efekte të thella ndër breza, duke penguar zhvillimin dhe kufizimin e mundësive të ardhshme për fëmijët e prindërve që nuk mund t’u japin atyre kohën dhe vëmendjen për të cilën kanë nevojë.

Për të mbrojtur lirinë njerëzore dhe për të garantuar siguri në përputhje me kërkesat e zhvillimit njerëzor jo vetëm për rregullimin e kushteve të punës, por edhe një ekonomi të hapur të përbërë nga firma më të vogla që në fakt u binden ligjeve, për të arritur këtë, ne duhet të thyejmë, ose të paktën të kufizojmë rrënjësisht, fuqinë e monopolit.

Siç thotë Brandeis, liria e vërtetë nënkupton një mosbesim ndaj të dyjave njëkohësisht: biznesit të madh dhe qeverisë së madhe. Parimi unifikues është se pushteti i përqendruar në çdo formë mund të jetë i rrezikshëm, institucionet duhet të ndërtohen në shkallë njerëzore dhe duhet, mbi të gjitha, të ndjekim qëllimet njerëzore. /The Guardian/

Autor: Tim Wu