Search

Rreziku i sektorit të energjisë nga vendimet populliste

Udhëzimi i fundvitit të kaluar i lëshuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për zbritjen e tarifave, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) nuk është dashur të zbatohet në formën që është lëshuar, e cila më shumë mund të quhet këshillë sesa udhëzim i rregullatorit. Përderisa, Bordi i ZRRE-së nuk është funksional, institucioni i Rregullatorit nuk mund të lëshojë udhëzime, në të cilat ndryshohen tarifat e sistemit. Sidomos jo pa një qartësim të situatës se kush do t’i paguajë borxhet të cilat janë jashtë kontrollit të KOSTT-it.
Për më tepër, tarifat e KOSTT-it në asnjë mënyrë nuk mund të ndërlidhen me Vendimin 399, i cili është lëshuar për të detyruar Kompania për Shpërndarjen e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) të zvogëlojë humbjet (që shtjellohet më në detaje më poshtë). Zbatimi i këtij udhëzimi mund (do) të sjellë dëme të pariparueshme për sektorin e energjisë dhe për konsumatorët e vendit.

Nëse humbjet në veri nuk paguhen nga konsumatorët dhe as nga Qeveria e Republikës së Kosovës, atëherë vetëm KOSTT-i do të dëmtohet si operator i transmisionit. KOSTT-i ka tarifa të aprovuara me vendim për gjithë vitin tarifor 2017 nga ZRRE-ja, pasi që është ndryshuar legjislacioni primar dhe pasi që ZRRE-ja ka aprovuar rregulloren për përcaktimin e çmimeve për KOSTT.

Pra, duhet të ketë një vendim të ri, i cili e shfuqizon vendimin e marsit të 2017-së që të ndryshohen tarifat. Nuk ka legjislacion në fuqi, i cili e detyron KOSTT-in të ndryshojë tarifa në bazë të një udhëzimi të lëshuar në kohën kur ZRRE-ja nuk ka Bord funksional të marrë vendime tarifore.

Edhe po të kishte bord funksional, ZRRE-ja nuk mund të lëshojë udhëzim për të ndryshuar tarifat pa kaluar nëpër procese shqyrtuese tarifore. Është obligim ligjor i ZRRE-së që të hapë shqyrtime tarifore të hapura për të gjitha palët e interesit, para se të ndryshojë cilado tarifë në sektor. Në rastet e tilla duhet të ketë shqyrtim të jashtëzakonshëm tarifor, siç kishte ndodhur në vitin 2014.

Shqyrtimet tarifore janë llogaritje shumë komplekse dhe në asnjë mënyrë nuk duhet lejuar që presionet e publikut të shkatërrojnë kornizën ligjore dhe rregullative në Republikën e Kosovës.

Vetëm në rast së qeveria vendos të subvencionojë KOSTT-in dhe vetëm atëherë duhet lejuar që kjo të llogaritet në tarifa të konsumatorëve, mirëpo edhe atëherë duhet të bëhet përmes një shqyrtimi të rregullt tarifor. Duhet të kuptohet si duhet i gjithë sistemi energjetik dhe si funksionojnë tarifat për të kuptuar se rekomandimet e fundit, të cilat po dalin nga presione publike, mund të sjellin dëme të mëdha për të ardhmen energjetike të Republikës së Kosovës.

ZRRE është agjenci e pavarur, të cilës në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe ligjeve në fuqi, i është besuar mbrojtja e interesave shtetërore, interesave të konsumatorëve të energjisë.

Kosova ka zgjedhur të reformojë sektorin e energjisë sipas praktikave më të mira të Bashkimit Evropian dhe në bazë të këtyre praktikave, Kosova përmes ligjeve ka forcuar rolin vendimmarrës të rregullatorit.

Në shumë situata kjo pavarësi nënkupton pavarësi të plotë në vendimmarrje, mbi çështjet për të cilat ka kompetenca edhe nga institucionet e tjera të vendit përveç gjykatave përkatëse, të cilat janë të vetmet institucione në Republikën e Kosovës që kanë autoritet për të revokuar apo ndryshuar vendimet e rregullatorit.

Huqja e Avokatit të Popullit dhe gjykatës

Janë bërë shumë pyetje për bazën ligjore mbi të cilën ZRRE-ja ka vendosur për t’i mbuluar humbjet teknike dhe komerciale dhe ato në veri. Ligjet e sektorit të energjisë e obligojnë rregullatorin për të pranuar shpenzimet për humbjet e arsyeshme të operatorëve të rrjetit KOSTT dhe KEDS. Pra, këto humbje t’u faturohen të gjithë konsumatorëve në faturat e energjisë. Do të ishte shumë e mirëseardhur për rregullatorin dhe konsumatorin që humbjet komerciale dhe ato të veriut të paguhen nga Qeveria e Kosovës, e jo nga konsumatori i energjisë elektrike, sepse në të shumtën e rasteve humbjet komerciale ndodhin si pasojë e mosfunksionimit të shtetit ligjor në Republikën e Kosovës. Në fund të fundit, çdo humbje tjetër përveç humbjeve teknike janë dhe mund të quhen vjedhje të energjisë elektrike.

Kostot e humbjeve do të vazhdojnë të ekzistojnë deri në momentin kur të shtrijmë kontrollin në atë pjesë të vendit, pra të arrihet një zgjidhje politike për integrimin të plotë të veriut të vendit. Për më shumë, mosnjohja e këtyre kostove ndaj KOSTT-it nuk mundet në asnjë mënyrë të jetë e qëndrueshme, sepse herët apo vonë KOSTT-i do duhej të ndërpriste furnizimin e asaj pjese, gjë që nuk mund të lejojmë të ndodhë.

Mirëpo derisa nuk kemi zgjidhje tjetër, në Ligjin për Rregullatorin e Energjisë në nenin 48 specifikohet se “Gjatë miratimit apo caktimit të tarifave, rregullatori do të sigurojë që të licencuarve t’u mundësohet kthimi i të gjitha kostove të arsyeshme, duke përfshirë: kostot e niveleve të arsyeshme të humbjeve të energjisë në sistemet e transmetimit dhe shpërndarjes”.

Përveç këtij neni që specifikon humbjet, janë edhe nenet e tjera që specifikojnë se tarifat e energjisë elektrike nuk duhet të përcaktohen nën koston reale të ofrimit të shërbimit, duke përfshirë edhe një fitim për kompanitë, të cilat janë të parapara për të qenë të rregulluara. Përfshirja e të gjitha kostove të sistemit është parim fundamental i çdo rregullatori në çdo vend të botës, sepse vetëm ashtu mund të sigurohet një qëndrueshmëri financiare e sistemit elektroenergjetik. Nëse falimenton KOSTT-i, atëherë automatikisht sistemi i energjisë në Kosovë nuk funksion.

Çështjet e humbjeve teknike, komerciale, duke përfshirë këto që po quhen politike, janë komplikuar edhe më shumë nga gjykata, e cila si masë paraprake merr vendim për shtyrje të ekzekutimit të Vendimit 2012/399. Ky vendim nuk ka fuqi ligjore, sepse është shfuqizuar përmes rregullave për përcaktimin e çmimeve dhe vendimeve tarifore të reja për KOSTT-in, të marra pas aprovimit të ligjeve të sektorit të energjisë në vitin 2016.

Për më tepër, ai vendim nuk është dashur fare të atakohet nga Avokati i Popullit. Nëse dikush e lexon si duhet dhe e kupton ‘Vendimin 399’ të vitit 2012 të ZRRE-së, atëherë do të bindet se ai vendim ka kursyer me miliona euro për konsumatorët e vendit. Pa këtë vendim, ZRRE-ja sipas legjislacionit në fuqi do të ishte e detyruar të lejojë KEDS-in të gjitha humbjet komerciale. Falë këtij vendimi një pjesë e humbjeve duhet të mbulohet nga vetë KEDS-i në rast se nuk arrin të zvogëlojë humbjet ashtu siç është përcaktuar në Vendimin 399. Po të mos ishte Vendimi 399, në sektor operatorët nuk do të kishin asnjë iniciantivë për të zvogëluar humbjet. Para këtij vendimi humbjet kanë qenë diku rreth 38 për qind të konsumit total, ndërsa për shkak të këtij vendimi humbjet në sektor janë të lejuara vetëm rreth 21.5 për qind.

Atakimi i vendimit të shfuqizuar

Të gjithë të përfshirë në këtë ‘tren populist’ duke mos qenë aspak të interesuar për fakte dhe duke bërë presione publike që mund të ndikojnë edhe në kuptimin e kësaj çështjeje nga gjykatat, janë duke rrezikuar vendime, të cilat kanë detyruar KEDS-in të reduktojë humbjet. Kjo duhet të kuptohet plotësisht sepse duke aluduar në mbrojtjen e konsumatorëve, nëse ka ndonjë mundësi që ky vendim të anulohet nga gjykata, rezultati i vetëm do të konsistojë në rritje të kostove për konsumatorët.

Të gjitha shqyrtimet tarifore të bëra nga ZRRE-ja janë publike dhe mënyra se si funksionojnë tarifat është si një llogari rrjedhëse e pandalshme. Nëse gjykata vendos në shqyrtimin kryesor se fondet e paguara për veriun duhet t’u kthehen konsumatorëve, atëherë ZRRE-ja do të gjejë mekanizma për t’i kthyer ato fonde te konsumatorët, siç ka gjetur mekanizma për t’i paguar shpenzimet e humbjeve në KOSTT përmes dërgimit të energjisë nga KEK për vitin tarifor 2017 dhe atë 2018.

Pas miratimit të ligjeve të reja, ZRRE-ja u detyrua të hapte tregun e energjisë elektrike. Në udhëzuesin për liberalizimin e tregut është specifikuar se kostot e humbjeve në veri do të barten nga KOSTT-i dhe kjo është vendosur në rregulloren për përcaktimin e çmimeve të KOSTT-it. ZRRE-ja ka aprovuar tarifat e KOSTT-it për vitin 2017 duke përfshirë edhe humbjet në veri. Para aprovimit të ligjeve të reja ZRRE-ja ka rezistuar hapjen e tregut në mënyrë zyrtare te Sekretariati i Energjisë duke shpjeguar se mosnjohja e KOSTT-it dhe humbjet në veri janë jashtë kontrollit të ZRRE-së dhe para se të hapet tregu duhet së pari të rregullohen këto probleme. Mirëpo, Kuvendi i Kosovës miratoi ligjet e reja duke ia pamundësuar ZRRE-së të rezistojë në hapjen e tregut, sepse ZRRE-ja ka mandate ligjore të nxjerrë rregulloret e reja më së largu në afat prej 9 muajve për të implementuar ligjet e reja.

Në asnjë mënyrë nuk mundet që pezullimi i një vendimi të vitit 2012 (që tashmë është shfuqizuar) të ndryshojë çfarëdo vendimi të nxjerrë pas miratimit të ligjeve të reja. Me miratimin e rregulloreve dhe vendimeve të reja, pothuajse kemi ndryshuar çdo aspekt të funksionimit të sektorit në mënyrë që të implementojmë ligjet në fuqi.

Për të pasur sukses në ndonjë padi kundër ZRRE-së, duhet që padia të bëhet mbi vendimet e ZRRE-së që kanë të bëjnë me këtë çështje, pra humbjet në veri të vendit. Rregullorja e ZRRE-së për tarifat e KOSTT-it, Neni 13, paragrafi 9 thotë se “Humbjet në veri të Kosovës, do të inkorporohen në tarifat e transmetimit, për një kohë derisa të hiqen barrierat politike”.

Nëse Avokati i Popullit do të kishte ndonjë qëllim tjetër përveç se të fitojë poena të politikës ditore, atëherë do të duhej të padiste qeverinë për mos shtrirje të sovranitetit apo edhe ZRRE-në mbi bazën e Rregullores së nxjerrë për tarifat e KOSTT-it, e cila pastaj është implementuar në vendim për tarifa të KOSTT-it 2017.

Mungesa e leximit, sepse transparencë kishte

Gjatë gjithë kohës sa kam qenë pjesë e ZRRE-së prej vitit 2012, asnjëherë të vetme, asnjë zyrtar i ZRRE-së nuk ka fshehur informacion për çështje të tarifave, apo për ngarkesat për humbje duke përfshirë edhe humbjet në veri të vendit. Ka ndodhur e kundërta. ZRRE-ja dhe gjithë zyrtarët e saj në çdo takim gjithmonë kanë paraqitur humbjet në veri dhe mos anëtarësimin e KOSTT-it në ENTSO-E si problematikën kryesore për sektorin e energjisë në Republikën e Kosovës. Dhe të thuhet se ZRRE-ja nuk ka qenë transparente sa u përket këtyre humbjeve është thjeshtë një e pavërtetë.

E gjithë puna e ZRRE-së është e dokumentuar dhe çdonjëri nga ju me një kërkim të thjeshtë mund të ‘zbuloni’ se ZRRE-ja që nga viti 2012 ka raportuar në mënyrë transparente përmes raporteve vjetore dhe proceseve të shqyrtimit se të gjitha humbjet janë të inkorporuara në tarifa, duke përfshi humbjet në veri.

Pavarësisht të gjitha fakteve në të kundërtën, i gjithë shteti ngrihet në këmbë se kinse paska ‘zbuluar’ një ‘risi’, të cilën ZRRE-ja ka vite që e thotë. Dhe në gjithë këtë mes, ZRRE-ja etiketohet si fajtori kryesor. Është shumë e habitshme se si të gjitha institucionet mund të bien pre e presionit publik, i cili krijohet nga figura të cilat nuk e njohin sektorin e energjisë dhe të cilët promovojnë zgjidhje të përkohshme të problemeve, të cilat i kemi trashëguar me dekada të tëra.

Tantiema – tatimi i dyfishtë për konsumatorët

Pajtohem se konsumatorët nuk duhet të paguajnë për dështimin e shtetit ligjor në Republikën e Kosovës, por do të duhej përmes mekanizmave të tjerë të sigurohen fondet për këto dështime. Në fund të fundit prapë qytetarët do të taksohen për mbledhjen e këtyre fondeve, por prapë do të ishte më lehtë e kuptueshme për mua si qytetar i këtij vendi. Problemi kryesor është se qeveria, bashkë me Kuvendin e Kosovës përmes ligjeve, të cilat po na imponohen gjatë rrugës sonë drejt integrimit në sistemin energjetik europian, kanë vendosur që kjo barrë duhet të bartet nga sistemi elektroenergjetik.

Nëse këto dështime duhet të barten nga sistemi, atëherë ato automatikisht shndërrohen në kosto të operimit të sistemit, pra duhet të futet në fatura.

Me shumë të drejtë këto mund të quhen padrejtësi, mirëpo janë padrejtësi, të cilat i imponohen shtetit të Kosovës për shkak të rrugëtimit reformues tejet të komplikuar të pavarësisë energjetike.

Është e padrejtë si konsumator të paguajmë për vjedhje të energjisë elektrike në gjithë Kosovën, sepse shteti ligjor nuk funksionon në Kosovë.

Është e padrejtë që Kuvendi i Kosovës në vitin 2012 ka aprovuar ngritjen e tantiemës (tatimit) për thëngjill, e cila në vlerë është 5 herë më e lartë se tantiema më e lartë në rajon, e në disa raste edhe 10 herë me e lartë se tantiema e shteteve në rajon. Kjo tantiemë ka shtuar faturën vjetore për rreth 25 milionë euro, edhe pse ky tatim (tantiema) ka kuptim vetëm kur eksportohet energjia, sepse ashtu siç është tani më shumë i ngjan tatimit të dyfishtë të qytetarëve të vendit.

Është e padrejtë që qeveria që nga viti 2013 ndërpreu të gjitha subvencionet në sektorin e energjisë për shkak se vendosën se duhet të privatizohet shpërndarja dhe furnizimi.

Është e padrejtë që kostot e këtij viti do të mund të rriten më shumë se 50 milionë euro, për shkak se KEK-u nuk mund të gjenerojë energji elektrike për shkak të problemeve të zhvendosjeve.

Ka edhe shumë të padrejta të tjera, të cilat janë çështje tejet komplekse dhe kanë pasoja serioze për të ardhmen e sektorit, mirëpo në vazhdimësi ka qenë ZRRE-ja, e cila ka ngritur zërin për të gjitha këto padrejtësi ndaj konsumatorit dhe gjithmonë ka qenë mbrojtës i të drejtave të konsumatorit. Pavarësisht këtyre padrejtësive, furnizimi i gjithë qytetarëve me energji elektrike është tejet kompleks dhe vështirë të arrihet në mënyrë të kënaqshme për shkak se kemi trashëguar një sistem, në të cilin kemi shumë vështirësi. Mirëpo, askush nuk mund të mohojë se sektori i energjisë ka pasur zhvillime të mëdha pozitive gjatë kësaj dekade, si në gjenerim, si në rrjet, si në furnizim. /Kallxo

Autor: Krenar Bujupi – Ka qenë Kryesues i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).