Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

Rreziku i vërtetë që i kanoset ekonomisë është pabarazia në mundësi

Aktualisht pabarazia në të ardhura dhe rritja ekonomike janë dy elementë që shkaktojnë shumë diskutime në radhët e ekspertëve botëror të ekonomisë. Disa mendojnë se nevojitet një masë e caktuar pabarazie, pasi kjo do të nxiste konkurrencën dhe marrjen përsipër të riskut apo iniciativave.

Ndërkohë që ka edhe plot të tjerë që mendojnë se hendeku i madh në pagesa dhe pabarazia e thellë i bën njerëzit të stepen dhe ta shohin më me dyshim investimin në kapitalin njerëzor dhe fizik, që padyshim janë dy nga burimet kryesore të rritjes afatgjatë.

Megjithatë, sipas një hulumtimi të fundit nga Fondi Monetar Ndërkombëtar theksohet se faktori më serioz për t’u marrë në konsideratë, më tepër se sa pabarazia në pagesë, është pabarazia në mundësi. Kështu sipas përfundimeve theksohet se në shoqëritë ku mundësitë janë të pabarabarta, rritja e pabarazisë së të ardhurave ka tendencë të bëhet e qëndrueshme dhe afatgjatë. Por kjo nga ana tjetër kufizon potencialin dhe perspektivën e ardhshme të atyre që paguhen më pak se sa të tjerët.

Në fakt pabarazia e mundësive është thelbësore për të shpjeguar marrëdhëniet midis pabarazisë në pagesa dhe rritjes.

Sipas Fondit Monetar, sa më e lartë të jetë pabarazia e njerëzve në mundësi, aq më tepër ata kanë qasje të pabarabartë në arsim, tregjet e punës, të brendshëm apo të jashtëm qofshin ata, si dhe tregjet financiare.

Ndaj Fondi Monetar Ndërkombëtar, në përfundim të studimit gjithashtu ka rekomanduar që qeveritë të hartojnë politika adekuate për të zgjeruar qasjen e njerëzve në arsim me cilësi të lartë, për të zvogëluar dualitetin e tregut të punës dhe papunësinë strukturore, si dhe të zgjerojnë burimet financiare në dispozicion të ndërrmarrësve të rinj. Kjo pasi, të gjitha këto masa, pavarësisht se duket sikur thjesht promovojnë drejtësinë sociale, në fakt nxisin fuqishëm rritjen ekonomike dhe i bëjnë tregjet më konkurrente.