Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

Rriten rreziqet për ekonominë botërore për vitin 2019

Sipas parashikimit të fundit ekonomik të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim, rritja ekonomike botërore mbetet e fortë, por ka kaluar pikun e saj të fundit dhe rrezikon të përballet me rreziqe më të mëdha, duke përfshirë rritjen e tensioneve tregtare dhe shtrëngimin e kushteve financiare.

Parashikimet e rritjes për vitin 2019 janë rishikuar për shumicën e ekonomive më të mëdha në botë. Produkti i Brendshëm Bruto botëror pritet të rritet me 3.5 për qind në vitin 2019, krahasuar me 3.7 për qind në parashikimin e majit të kaluar dhe me 3.5 për qind në vitin 2020. Në shumë vende, papunësia është në nivele të larta dhe mungesat e shumta të vendeve të punës po fillojnë të bëhen më të mëdha.

Normat e larta të interesit dhe vlerësimi i dollarit amerikan kanë rezultuar në një rrjedhje të kapitalit nga ekonomitë e vendeve në zhvillim dhe duke dobësuar edhe monedhat e tyre. Stimuli monetar dhe fiskal po tërhiqet gradualisht në zonën e. Parashikimi jo fort i qëndrueshëm për 2019, pasqyron edhe perspektivat e përkeqësuara, kryesisht në tregjet e vendeve në zhvillim, si Turqia, Argjentina dhe Brazili. Ndërsa ngadalësimi i mëtejshëm i parashikuar në 2020 është më shumë një pasqyrim i zhvillimit në ekonomitë e vendeve të përparuara.

Duke prezantuar parashikimin, sekretari i përgjithshëm i Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim, Angel Gurría, tha se konfliktet e tregtisë dhe pasiguria politike po shtojnë vështirësitë me të cilat ballafaqohen qeveritë që rritja ekonomike të jetë e fortë, e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.

“Ne nxisim politikëbërësit që të mund të rikthejnë besimin në sistemin e tregtisë bazuar në rregulla ndërkombëtare dhe në zbatimin e reformave që nxisin rritjen dhe standardet e jetesës, veçanërisht ndaj më të prekshmëve”, tha Gurría.

Sipas vlerësimit në parashikim thuhet se tensionet tregtare janë duke e dëmtuar tashmë Produktin e Brendshëm Bruto dhe tregtinë botërore dhe nëse Shtetet e Baskuara të Amerikës rrisin tarifat për të gjitha mallrat kineze me 25 për qind dhe Kina t’i përgjigjet këtij veprimi me të njëjtën monedhë, atëherë aktiviteti ekonomik botëror mund të shkojë në nivele të ulëta.

Deri në vitin 2021, Produkti i Brendshëm Bruto në nivel botëror do të goditej me 0.5 për qind, me rreth 0.8 për qind në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me 1 për qind në Kinë. Një pasiguri më e madhe do të ndikonte më shumë negativisht mbi këto efekte duke shkaktuar investime më të dobëta në mbarë botën.

Parashikimi tregon se rritja vjetore e trafikut të anijeve në terminalet e kontejnerëve, që përfaqëson rreth 80 për qind të tregtisë ndërkombëtare të mallrave, ka rënë nën 3 për qind nga afërsisht 6 për qind në vitin 2017. Rritja në Kinë është lehtësuar në vitin 2018, në mes të rregullave më të rrepta mbi ndërmjetësit financiarë ‘të bankave hije’ jashtë sektorit bankar formal, një procesi më të rreptë miratimi për investimet e qeverisë vendore dhe tarifat e reja amerikane mbi importet kineze.

Masat nxitëse dhe kushtet më të lehta financiare nga banka qendrore mund të ndihmojnë për të nxitur më tej rritjen e ngadalësuar, por gjithashtu mund të përkeqësojnë stabilitetin financiar. Një ngadalësim më i mprehtë në rritjen kineze do të dëmtonte ndjeshëm edhe rritjen botërore, veçanërisht nëse do të godiste besimin e tregut financiar.

Me normat e ulëta të interesit në shumë vende, veçanërisht në Eurozonë dhe me nivelet historikisht të larta të borxhit ndaj Produktit të Brendshëm Bruto, si ai publik ashtu edhe ai privat, hapësira e politikëbërësve për manovrim në rast të një rënie më të dukshme botërore është e kufizuar.

Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim thotë se është e rëndësishme të ruhet kapaciteti për politikat e taksave dhe shpenzimeve për të nxitur kërkesën në rast se rritja dobësohet ndjeshëm. Megjithëse një hapësirë e tillë fiskale është e kufizuar, veprimi koordinuar do të jetë shumë më efektiv në krahasim me veprimin e vendeve në mënyrë individuale. Ai duhet të fokusohet në masat e rritjes ekonomike, si investimi në infrastrukturën fizike dhe dixhitale, duke synuar rritjen e shpenzimeve të konsumit më shumë drejt më të varfërve.

Kryeekonomistja e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim, Laurence Boone, tha se ka pak të dhëna të cilat tregojnë se ngadalësimi do të jetë më i ashpër sesa ai i parashikuar. Rreziqet janë të larta për ta konsideruar situatën alarmante dhe për t’u përgatitur për çdo stuhi që mund të dalë përpara.

Bashkëpunimi në politikën fiskale në nivel botëror dhe atë të Eurozonës do të jenë të nevojshme.

Ajo shtoi se mbështetja e ekonomisë botërore përfshin dhënien e përgjigjeve ndaj shqetësimeve të ndryshme të njerëzve, si për shembull, mosrritjes së pagave, rritjes së standardeve të jetesës dhe rritjen e mundësive të ndryshme. Nxitja e konkurrencës për të përmirësuar dinamikën e biznesit mund të ndihmojë, duke forcuar pozitat negociuese të punëtorëve dhe duke ulur çmimet për konsumatorët. Investimi tek aftësitë është po ashtu i rëndësishëm. Ai rrit produktivitetin dhe të ardhurat dhe zvogëlon pabarazitë midis punëtorëve.