Search

Rritet numri i veturave të regjistruara në Kosovë

Në vitin 2017, në Kosovë janë të regjistruara 334,440 mjete motorike dhe jomotorike, ku prej tyre 18,559 janë vetura nën 3.5 ton, ose 4.64 për qind më shumë sesa në vitin 2016, në këtë vit ishin regjistruar 260,291 vetura.

Kështu thuhet nga të dhënat e prezantuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) në raportin ‘Statistikat e Transportit dhe Telekomunikacionit, tremujori i katërt 2017’, me të dhëna mbi transportin ajror, hekurudhor dhe postë telekomunikimin.

Sipas ASK-së, në territorin e Kosovës ka 2 mijë e 43 kilometër rrugë, prej tyre 64 për qind janë rrugë rajonale, 31 për qind janë nacionale, ndërsa 5 për qind janë autoudhë.

Po ashtu, në vendin tonë ka gjithsej 333 kilometër binarë hekurudhorë për transport, ku në hekurudhat e Kosovës qarkullon një lokomotivë disel, e cila bart 10 vagonë për udhëtarë.

Numri i udhëtarëve, që kanë shfrytëzuar trenin si mjet udhëtimi gjatë tremujorit të katërt të vitit 2017 ishte 24 mijë, ku krahasuar me tremujorin e kaluar është një rritje për 7.7 për qind, ndërsa transporti i mallrave me tren në këtë tremujor ishte 55 mijë ton.

Sa i përket numrit të fluturimeve në këtë tremujor ka pasur 1,646 fluturime, që ishte një rritje prej 5 për qind, duke krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar.

Ndërkaq, numri i udhëtarëve që kanë shfrytëzuar aeroplanin si mjet transporti gjatë këtij tremujori ishte rreth 418 mijë, ku në raport me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar ka një rritje për 5.90 për qind. /Gazeta Ekonomia