Search

Rritet tregtia me pakicë

Në bazë të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) në raportin ‘Statistikat Afatshkurtra të Tregtisë me Pakicë, tremujori i dytë 2017’, vërehet se në këtë tremujor ka rritje të tregtisë me pakicë krahasuar me tremujorin paraprakë të këtij viti.

Rritja është vërejtur tek tregtia me pakicë e produkteve ushqimore, pijeve dhe duhanit në dyqane të specializuara me 13.9 për qind, tregtia me pakicë në dyqane jo të specializuara me 5.7 për qind, tregtia me pakicë e mallrave kulturore dhe të argëtimit në dyqane të specializuara me 4.2 për qind, tregtia me pakicë jo në dyqane, tezga ose tregje me 3.8 për qind, tregtia me pakicë e pajisjeve të tjera shtëpiake në dyqane të specializuara me 2 për qind dhe tregtia me pakicë e karburantit për automjete në dyqane të specializuara me 1.1 për qind.

Ndërsa, rënie është shënuar te tregtia me pakicë e pajisjeve informatike dhe të komunikimit në dyqane të specializuara me 13.9 për qind dhe te tregtia me pakicë e mallrave të tjerë në dyqane të specializuara me 13.3 për qind.

Ndërkaq, krahasuar tremujorin e dytë të vitit 2017 me tremujorin e dytë të vitit 2016, rritje ka pasur tregtia me pakicë e mallrave kulturore dhe të argëtimit, në dyqane të specializuara me 31.6 për qind, tregtia me pakicë e produkteve ushqimore, pijeve dhe duhanit në dyqane të specializuara me 21.3 për qind, tregtia me pakicë në dyqane jo të specializuara me 16.6 për qind, tregtia me pakicë e karburantit për automjete në dyqane të specializuara me 13.1 për qind dhe tregtia me pakicë jo në dyqane, tezga ose tregje me 0.6 për qind.

Kurse, rënie është shënuar te tregtia me pakicë e pajisjeve të tjera shtëpiake në dyqane të specializuara me 2.5 për qind, tregtia me pakicë e pajisjeve informatike dhe të komunikimit, në dyqane të specializuara me 2.3 për qind dhe tregtia me pakicë e mallrave të tjerë në dyqane të specializuara me 1.1 për qind. /Gazeta Ekonomia