Search

Rusia zhvillon sistemin për identifikimin e minatorëve të kriptovalutave

Ministria ruse e Komunikimit dhe Medieve njoftohet se po zhvillon një sistem për të identifikuar minatorët e kriptovalutave në mënyrë që ata të mund të tatohen.

Kjo ministri po përgatit një Projektligj për rregullimin e këtyre minierave, që thuhet se përfshin një ‘sistem të veçantë’ për zbulimin e minierave të kriptovalutave. Përveç kësaj, mund të ketë një pushim tatimor prej dy vitesh si tarifa speciale për konsumin e energjisë.

“Do të ketë një sistem të veçantë për zbulimin e minatorëve, sipas strukturës së konsumit aktual dhe trafikut të internetit, për të lidhur kapacitetin e pajisjeve të minierave me sasinë e kriptovalutës që minatori deklaron në shkëmbimin e tij”, njofton Vedomosti, përcjell Telegrafi.

Sipas njoftimit, dy persona që janë të njohur me këtë çështje kanë konfirmuar se ky informacion është përfshirë në rregulloren e minierave të përgatitur nga ministria. Projektligji pritet të dorëzohet në Parlamentin rus deri më 1 shkurt.

Kjo nuk është hera e parë që Rusia ka hulumtuar mënyrat për të identifikuar minatorët. Në tetor të vitit të kaluar, kryetari i Komitetit për Tregjet Financiare, Anatoli Aksakov, vuri në dukje mundësinë e ndjekjes sw minatorëve të kriptovalutave me anë të konsumit të energjisë elektrike.

Ministria ruse e Energjisë beson se “teknikisht kjo është e mundur, por është e nevojshme të kuptohet se proceset dhe aktivitetet e tilla duhet të jenë ekonomikisht të mundshme. Ndoshta vlen të monitorohen vetëm kyçjet e mëdha që ofrojnë këtë aktivitet në një shkallë industriale”.

Ekspertët thanë se “Pyetja kryesore është se si autoritetet do të zbulojnë llogaritë e konsumatorëve që fitojnë kriptovaluta, ata që shikojnë televizion apo ata që ngrohen me energji elektrike”.

“Zbulimi i minatorëve sipas profilit të konsumit të tyre të energjisë dhe trafikut të internetit do të jetë shumë vështirë për t’u realizuar. Praktikisht është e pamundur të bëhet dallimi midis asaj që konsumon energji elektrike për një minierë të kriptovalutave ose për ngrohje”, shpjegon Andrei Koptelov, drejtor i Qendrës për Kërkime Ekonomike në Universitetin Synergy.

Ministria ruse e Komunikimit dhe Medieve po konsideron përfitime të veçanta për minatorët.

“Për minatorët fillestarë do t’i jepet dy vite pushime tatimore me kontabilitet të detyrueshëm. Pastaj ata do të jenë të detyruar të paguajnë tatimin mbi fitim, por ata nuk do të paguajnë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”, thotë ministria.

Megjithatë, zëvendësministri i Financave, Alexei Moiseev, javën e kaluar u tha gazetarëve se ministria e tij “nuk e sheh të nevojshme të ketë pushime tatimore”.

Përveç kësaj, Ministria e Komunikimit dhe Medieve ka në plan t’u japë minatorëve të kriptovalutave “një tarifë dhe kuota të veçanta të energjisë”.

“Deri më tani askush nuk ka qenë në gjendje të shpjegojë pse duhet të ketë tarifa të veçanta për minatorët e kriptovalutave. Në Federatën Ruse, aktualisht tarifat ekzistuese janë ndër më të ulëtat në botë, të cilat tashmë i bëjnë objektet informatike në Rusi mjaft tërheqëse”, thuhet në njoftimin e ministrisë ruse të Energjisë.