Search

Samiti i Bashkimit Evropian për BREXIT-in pa rezultate

Takimi i liderëve të Bashkimit Evropian në Bruksel me kryeministren britanike Theresa May nuk shënoi asnjë progres. Ai që u përshkrua në mediat e huaja si ‘samiti më i shkurtër i të gjitha kohërave’, pati një darkë të përbashkët dhe pastaj secili u largua në punën e vet.

Ekspertët konsiderojnë megjithatë se ‘topi’ duket të jetë në anën e britanikëve pasi europianët këto javët e fundit e kanë zbutur ndjeshëm pozicionin e tyre mbi kufirin.

May praktikisht nuk prezantoi asgjë të re në këtë samit. Përfaqësuesit e vijës së ashpër në Britani kërkojnë që vendi të dalë nga Bashkimi Europian brenda natës, pa asnjë detyrim dhe pa asnjë pagesë përfundimtare.

Përkrahësit e unionit nga ana tjetër kërkojnë një referendum të dytë. Shefja e ekzekutivit britanik e pati sidoqoftë një njoftim pas takimit të Brukselit. Tranzicioni i shkëputjes, sipas saj, mund të zgjatet me disa muaj për t’u siguruar që nuk do të ketë një kufi fizik në Irlandën e Veriut.

Kryeministrja sqaroi se kjo ishte ideja e re që ka dalë në dritë gjatë negociatave. Largimi i Britanisë duhet të kryhet në mars dhe planet aktuale të periudhës së tranzicionit parashikojnë përfundimin e saj në fundin e 2020-së. Disa ligjvënësve konservatore megjithatë nuk i pëlqen ideja që Mbretëria e Bashkuar të lidhet me rregullat e BE-së për një kohë më të gjatë.