Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

Samiti i B20-së fokusohet te qeverisja ekonomike botërore

Në Tokio të Japonisë është zhvilluar Samiti i Biznesit të 20 vendeve më të industrializuara të botës, e njohur si B20. Personalitetet e qarqeve të biznesit diskutuan mbi qeverisjen ekonomike botërore, rregullat ndërkombëtare të tregtisë dhe investimeve, ekonominë dixhitale dhe tema të tjera.

Ministri japonez i Financave, Taro Asou, u shpreh në fjalimin e tij se mekanizmi i grupit të 20 vendeve ka luajtur rol të rëndësishëm pas krizës financiare ndërkombëtare dhe ka mbrojtur stabilitetin ekonomik të botës.

“Tani, përballë presionit të uljes ekonomike dhe rritjes së proteksionizmit tregtar, spikat më shumë rëndësia e G20-së dhe e bashkërendimit ekonomik ndërkombëtar”, është shprehur Asou, përcjell Telegrafi.

Në Samit është diskutuar edhe reforma e Organizatës Botërore të Tregtisë, përmirësimi i mjedisit për konkurrencë të barabartë dhe disa çështje të tjera.

Sa i përket çështjes së ‘taksave dixhitale’, mekanizmit të ri tatimor për shumëkombëshet në fushën e teknologjisë së informacionit, B20-ja propozon të përcaktohen rregulla të përbashkëta, për të shmangur fragmentarizimin.

Samiti është fokusuar në përdorimin e të dhënave, duke u bërë thirrje vendeve të ndryshme të krijojnë një kuadër që mund të ndihmojë qarkullimin e lirë ndërkufitar të të dhënave, duke mbrojtur privatësinë.