Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

Shkalla e inflacionit vjetor në Kosovë arrin në 3.2 për qind

Inflacioni mujor në muajin shkurt 2019 ishte 0.4 për qind, ndërkaq, shkalla vjetore e inflacionit ishte 3.2 për qind, kështu theksohet në raportin ‘Indeksi Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit, shkurt 2019’, prezantuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Sipas Agjencisë, kjo është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të bukës dhe drithërave me 0.5 për qind, pemëve me 4.9 për qind, perimeve me 5.7 për qind, veshjeve me 2.9 për qind, këpucëve me 1.7 për qind me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.5 për qind në indeks.

Në anën tjetër, ngritja u neutralizua nga rënia e çmimeve të energjisë elektrike, gazit dhe lëndëve djegëse të tjera me 1.6 për qind, rënia e çmimit të drunjve të zjarrit për ngrohje me një ndikim të këtij nëngrupi prej 0.1 për qind në indeks.

Indeksi i tërësishëm i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është më i lartë për 3.2 për qind në muajin shkurt 2019, krahasuar me muajin shkurt 2018.

Kjo rritje është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të bukës dhe drithërave me 10.5 për qind, mishit me 3.6 për qind, qumështit, djathit dhe vezëve me 6.2 për qind, perimeve me 29 për qind, pijeve alkoolike me 2.9 për qind, duhanit me 3.6 për qind, mallrave dhe shërbimeve për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake me 3 për qind, përdorimi i pajisjeve për transportin personal me 4.4 për qind, ngritja e çmimit të naftës dhe benzinës, shërbimet hoteliere me 1.5 për qind, kujdesi personal me 2.1 për qind, gjëra personale me 3.8 për qind, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 3.4 për qind në indeks.

Kures, ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve të pemëve me 11 për qind, apo me një ndikim të këtij nëngrupi prej 0.2 për qind në Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit. /Gazeta Ekonomia/