Search

Shkëmbimet tregtare Shqipëri-Kosovë ende në nivele minimale

Shpesh shkëmbimet tregtare ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës janë kritikuar për vëllimin e tyre.

Barrierat e vazhdueshme kufitare mes të dyja vendeve shqiptare kanë penguar rritjen e shkëmbimeve tregtare si dhe kanë penguar zhvillimin e bizneseve të të dyja vendeve.

Me gjithë pretendimin e të dy qeverive se ka pasur përparim, mbledhja e katërt e përbashkët, ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë që u mbajt në Korçë vitin e kaluar, duket si përsëritje e takimeve të mëparshme, të cilat nuk sollën një bilanc të qartë të arritjeve.

Në takimin e katërt, qeveritë e dy vendeve sërish premtuan heqje të barrierave kufitare për tregtinë dhe për këtë nënshkruan 12 Marrëveshje, Memorandume e Protokolle. Që prej janarit të vitit 2014 kur u realizua takimi i parë në Prizren, numri i marrëveshjeve të nënshkruara në këto takime arriti në 43.

Është e paqartë se sa kanë ndikuar këto marrëveshje për të përmirësuar bilancin tregtar ndërmjet dy vendeve, ku sipas statistikave nuk është vërejtur ndonjë ndryshim rrënjësor prej fillimit të takimeve.

Sipas të dhënave shkëmbimet mes dy vendeve mbeten minimale.

Raporti i fundi i Tregtisë së Jashtme, publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës për muajin shtator 2018, tregon një rritje të eksporteve nga të dyja vendet krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Vetëm në shtator, kompanitë kosovare në drejtim të tregut shqiptar eksportuan 6.3 milionë euro nga 5.8 milionë që ishte një vit më herët. Krahasuar me vendet e CEFTA-së, Shqipëria merr pjesë me 17 për qind të eksporteve, ndjekur nga Maqedonia me 11.2 për qind, Serbia me 6.9 për qind dhe Mali i Zi me 3.6 për qind, nga totali prej 41.1 milionë euro.

Gjatë vitit 2017, eksportet kosovare drejtë Shqipërisë kanë qenë 60.25 milionë euro.

E kundërta po ndodh me importet shqiptare drejt tregut të Kosovës. Gjatë vitit 2017, nga Shqipëria janë importuar 151.82 milionë euro. Importet nga vendet e CEFTA-së në këtë vit arritën në 856.1 milionë euro. Serbia vazhdon të mbetet vendi me pjesëmarrje më të lartë për import më 14.8 për qind, pasuar nga Maqedonia me 5.1 për qind, Shqipëria me 5 për qind dhe Bosnja dhe Hercegovina me 2.7 për qind.

Shufra hekuri dhe çeliku janë produktet kryesore e importeve nga Shqipëria në drejtim të Kosovës. Gjatë vitit 2017, vlera e tyre ka qenë 60.35 milionë euro, apo me një pjesëmarrje prej 39.8 për qind, pasuar nga importi i gëlqerës, cementit dhe materialit ndërtimor me një pjesëmarrje prej 11.3 për qind apo 17.12 milionë euro.

Për sa i përket eksporteve nga Kosova në drejtim të Shqipërisë, mbeturinat e hekurit përbëjnë përqindjen më të madhe të tyre, ku gjatë vitit 2017 janë shkëmbyer 19.6 për qind e totalit të eksporteve apo 11.83 milionë euro. Gjithashtu, pijet alkoolike zënë një pjesë të madhe të eksporteve kosovare në drejtim të Shqipërisë që përbëjnë 14.9 për qind të tyre me vlerë prej 8.9 milionë euro.

Krahasuar nga viti 2005 deri në fund të vitit 2017, bilanci tregtar i Kosovë me Shqipërinë ka një trend rritës, por njëkohësisht dhe negativ.

Në viti 2005, eksportet kosovare në drejtim të Shqipërisë ishin 5.78 milionë euro, ndërsa importet ishin 18.1 milionë euro, pra më një ndryshim prej 12.31 milionë euro, kurse në vitin 2017 ky ndryshim ishte 91.56 milionë euro. Kosova, bilancin më të lart tregtar kundrejt Shqipërisë e ka pasur në vitin 2015 ku arriti në 111.64 milionë euro.

Gjatë vitit 2017 eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-së arritën në shifrat e 183 milionë ose gati gjysma e eksporteve të përgjithshme, ku Shqipëria ka pjesëmarrjen më të madhe prej 15.9 për qind. /Konica/