Search

Shqipëri, mbi një miliard euro për ndërtimin e rrugëve

Gjatë vitit 2018, do të investohen për ndërtimin e rrugëve rreth 15.3 miliardë lekë nga Buxheti i shtetit, ku pjesa më e madhe e investimeve shkojnë për mbylljen e projekteve të nisura.

Në Projektbuxhetin e vitit 2018 parashikohet konkretisht financimi i punimeve në akset rrugore Fushë Krujë-Milot-Morinë, Plepa-Kavajë-Rrogozhinë, Lushnje-Berat, Qafë Thanë-Lin-Pogradec, rrugët lidhëse me bregdetin Jon, Unaza e Re e Tiranës, Rruga e Arbërit, Berat-Buzuq-Çorovodë, Elbasan-Banje, Kardhiq-Delvinë, Ura e Leklit-Këlcyrë, 3 Urat-Leskovik, Korçë-Ersekë, By-passi Shkodër, Librazhd-Qafë Stude, Skrapar-Përmet, Kodër Kamëz-Tapizë.

Në vitin që vjen pritet të nisë puna edhe për ndërtimin e rrugës së Arbrit. Ky projekt që do të financohet përmes skemës së partneritetit publik-privat, kosto e të cilit 33.7 miliardë lekë.

Për financimin e Unazës së Re të Tiranës, qeveria ka parashikuar një fond prej 4.1 miliardë lekësh vitin që vjen. Shuma është pjesë e kostos totale prej 12.3 miliardë lekësh. 1.3 miliardë lekë nga buxheti parashikohet të investohen për rrugën Fushë Krujë-Milot-Morinë, pjesë e rrugës së Kombit. Për vazhdimin e rrugës Qafë Thanë-Lin-Pogradec do të financohen mbi 1 miliard lekë, në vitin 2018. Po ashtu pritet të përfundojë rruga Kardhiq-Delvinë, e cila është një rrugë shumë e rëndësishme për zhvillimin e turizmit në këtë qark.

Ndërkohë, nga fondet e huaja, pjesa më e madhe e buxhetit prej 7.3 miliardë lekësh, do të shkojë për ndërtimin e tre lotëve të segmentit Qukës-Qafë Pllocë. Qeveria po ashtu planifikon të vijojë punën për të ndërtuar dy by-passet, atë të Fierit dhe Vlorës. Procedura është hapur nga e para dhe është drejt përfundimit. Financimet e BERZH-it për këto dy projekte llogariten 830 milionë lekë gjatë 2018-ës.

Për mirëmbjatjen e rrugëve gjatë 2018-ës pritet të investohen 1.5 miliard lekë.