Search

Shqipëria rregullon tregun e kriptovalutave?

Shqipëria duket se është në prag të një “ëndrre malteze” për një kuadër rregullator për kriptovalutat. Në një deklaratë publike, Kryeministri Edi Rama shpalosi ambicien e Shqipërisë për t’u kthyer, siç do ta quante ai, ‘në një pikë graviteti atraktive për tregjet financiare’.

Kryeministri Rama, në fund të tetorit ka thënë se Qeveria po punon për krijimin e kuadrit rregullator për kriptovalutat, për të tërhequr sa më shumë investime të huaja dhe për të hapur tregje të reja.

“Jemi duke eksploruar edhe mundësinë e krijimit të një kuadri rregullator për kriptovalutën, që është një risi shokuese në botën e sotme dhe ku mundësia për të qenë inovativë dhe për të krijuar një pikë graviteti atraktive për tregjet financiare në të gjitha vendet, pavarësisht nëse janë shumë të zhvilluara, apo janë më pak të zhvilluara. Për momentin jemi në një proces vlerësimi dhe pune për hartimin e kuadrit rregullator, pasi kemi bërë një analizë dhe një studim të thelluar. Nëse rezultatet e kësaj pune do të jenë të kënaqshme, atëherë ne do të promovojmë edhe përtej kufijve të Shqipërisë, gatishmërinë e vendit për t’u bërë një vend pritës për investitorët e shumtë potencialë, që synojnë të përfshihen në këtë revolucion të financave botërore”, tha Rama.

Rregullimi i kriptovalutave do ta vendoste Shqipërinë në linjë me veprimet e Bashkimit Evropian në këtë drejtim. Në datën 20 prill të këtij viti, Parlamenti Evropian mbështeti një propozim për të rregulluar kriptovalutat. Anëtarët e parlamentit votuan me një shumicë absolute për të mbështetur një marrëveshje të dhjetorit të vitit 2017 me Këshillin Evropian, mbi masat që synonin pjesërisht të parandalonin përdorimin e kriptovalutave në pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.

Legjislacioni i ri në Bashkimin Evropian synon të adresojë anonimitetin e teknologjisë financiare, duke zbatuar rregulla për agjencitë e këmbimit të kriptovalutave apo platformat e ndryshme.

Sipas këtyre masave, këto subjekte do të duhet të regjistrohen pranë autoriteteve dhe të zbatojnë të ashtuquajturat ‘procedurat e vigjilencës’, duke përfshirë edhe verifikimin e klientit. Direktivat e reja hynë në fuqi rreth fundit të muajit prill, ndërsa vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë 18 muaj afat, që nga data e publikimit në fletoren zyrtare të BE-së, për të adaptuar rregullat e reja në ligjet kombëtare. /Konica/