Search

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë largimin e taksës 100 për qind [Dokument]

Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Heather Nauert, ka thënë se Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo i ka konfirmuar presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi mbështetjen e palëkundur të Amerikës për Kosovën sovrane, të pavarur dhe të integruar në bashkësinë ndërkombëtare.

Në një deklaratë për media thuhet se Pompeo ka inkurajuar normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e që sipas tij shpie drejt integrimit të dy vendeve në bashkësinë ndërkombëtare.

Po ashtu, Pompeo ka inkurajuar Kosovën që të shfrytëzojë mundësinë e rrallë për arritje e një marrëveshje me Serbinë, ndërsa ka kërkuar nga autoritetet e Kosovës që të shfuqizohet taksa për importet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

“Sekretari ka inkurajuar Kosovën që të shfrytëzojë mundësinë e rrallë për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Ai ka kërkuar nga autoritetet e Kosovës që të shfuqizojnë tarifat e vëna për importet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina dhe të punojnë me shtetin serb për t’i shmangur provokimet dhe tensionet. Normalizimi i raportit Kosovë-Serbi është mënyra e vetme për të hapur rrugën e të dy shteteve drejt komunitetit perëndimor. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të gatshme që të mbështesë palët për arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme, të zbatueshme dhe të tillë që shton stabilitetin”, thuhet në deklaratë. /Gazeta Ekonomia/