Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nisin hetime ndaj kompanive më të mëdha të teknologjisë

Ligjvënësit amerikanë hapën hetime ndaj disa kompanive më të mëdha të teknologjisë në botë.

Komiteti për Drejtësi i Dhomës së Përfaqësuesve premtoi se do të rishikojë “nga fundi në krye fuqinë e tregut, që kontrollohet nga platformat gjigante të teknologjisë”.

Asnjë kompani nuk u përmend me emër, por ekspertët e industrisë konstatuan se hetimet, të parat e këtij lloji nga Kongresi, kanë në shënjestër kompanitë Facebook, Google, Amazon dhe Apple.

Raportet e publikuara në mediat amerikane thanë se Departamenti i Drejtësisë do të hetojë praktikat e konkurrencës në Google.

Sipas gazetës Wall Street Journal, Komisioni Federal i Tregtisë i ka siguruar të drejtat për të hetuar Facebookun.

Pas këtyre lajmeve, çmimet e aksioneve të të katër kompanive ranë ndjeshëm.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka pasur presion në rritje për hetimin e këtyre kompanive.

Ndërkaq, në Evropë hetimet e ngjashme kanë rezultuar deri më tash me miliarda dollarë gjoba për Google.