Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po hetojnë planin e Francës për tatimin e gjigantëve të teknologjisë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, urdhëroi një hetim mbi taksën e planifikuar të Francës për gjigantët e teknologjisë, një masë që mund të rezultojë me tarifa hakmarrëse.

Përfaqësuesi amerikan i tregtisë, Robert Lighthizer, tha se vendi i tij është “shumë i shqetësuar” se tatimi “synon padrejtësisht kompanitë amerikane”.

Të enjten, Franca pritet të miratojë një taksë prej 3 për qind për të ardhurat e bëra nga kompani si Google dhe Facebook, brenda vendit.

Franca argumenton se këto firma aktualisht i shfrytëzojnë vakuumet e taksave botërore.

Gjigantët e teknologjisë mund t’i vendosin selitë e tyre në vendet me taksa të ulëta, ku deklarojnë fitime të bëra në mbarë botën, duke minimizuar kështu faturën e tyre tatimore.

Me taksën e re në Francë, çdo kompani dixhitale me të ardhura prej më shumë se 750 milionë eurosh, prej të cilave së paku 25 milionë gjenerojnë në Francë – do të jetë subjekt i tatimit.

“Shtetet e Bashkuara janë shumë të shqetësuara se taksa e shërbimeve dixhitale, e cila pritet të aprovohet të enjten nga Senati francez, synon në mënyrë të padrejtë kompanitë amerikane. Trump ka urdhëruar që ne t’i hetojmë efektet e këtij legjislacioni dhe të përcaktojmë nëse është diskriminues apo i paarsyeshëm dhe ngarkon apo kufizon tregtinë e Shteteve të Bashkuara”, tha përmes një deklarate Lighthizer.

Hetimi i SHBA-së mund të hapë rrugën për tarifa ndëshkuese, që Trump i ka ndërmarrë në disa raste që nga marrja e detyrës, në janar të vitit 2017.

Hetimi “Seksioni 301” do të përcaktojë nëse taksa përbën një praktikë tregtare të padrejtë. Hetimet e mëparshme kanë mbuluar praktikat tregtare kineze dhe subvencionet e Bashkimit Evropian në avionët e mëdhenj komercialë.

Ministri francez i Financave, Bruno Le Maire, në muajin mars tha se një taksë prej 3 për qind mbi të ardhurat franceze të kompanive të mëdha të internetit mund të sjellë deri në 500 milionë euro në vit.

Le Maire tha se taksa do të synonte rreth 30 kompani, kryesisht amerikane, por edhe kineze, gjermane, spanjolle dhe britanike, si dhe një firme franceze dhe disa firma me origjinë franceze që janë blerë nga kompani të huaja.

Taksa do të prekë kompanitë me të paktën 750 milionë euro të ardhura vjetore dhe do të zbatohen për të ardhurat nga biznesi dixhital, duke përfshirë reklamimin online. /Telegrafi/