Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosin tarifa doganore për produktet evropiane

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, njoftoi se vendi i tij do të imponojë tarifa doganore për produktet e Bashkimit Evropian.

Trump në Twitter shkroi se Bashkimi Evropian në tregti ka përfituar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se kjo praktikë do të ndalet së shpejti.

“Organizata Botërore e Tregtisë konstaton se subvencionet e Bashkimit Evropian ndaj Airbus kanë ndikuar negativisht ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila tani do të vë tarifa në vlerë prej 11 miliardë dollarësh për produktet e Bashkimit Evropian. Bashkimi Evropian ka përfituar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në tregti për shumë vite. Kjo do të ndalet së shpejti”, shkroi Trump, përcjell Telegrafi.

https://tëitter.com/realDonaldTrump/status/1115578769518018560

Ky vendim i presidentit amerikan erdhi pasi Zyra e Tregtisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila funksionon në kuadër të Shtëpisë së Bardhë, krijoi një listë të produkteve ndaj të cilave do të vendosen tarifa, në kundërpërgjigje të subvencioneve ndaj kompanisë Airbus.

Ndërkaq, Departamenti i Tregtisë, duke cituar si arsyetim mbështetjen financiare që Bashkimi Evropian i ofron kompanisë Airbus, i paraqiti Shtëpisë së Bardhë listën e shumë produkteve të importuara nga Bashkimi Evropian, përfshirë produktet që kanë të bëjnë me aviacionin, produkte të qumështit dhe verëra.

Sipas departamentit, subvencionet e Bashkimit Evropian për Airbus dëmtojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 11 miliardë dollarë në vit.

Përfaqësuesi amerikan i Tregtisë, Robert Lighthizer, tha se qëllimi përfundimtar i tyre është “të arrihet pajtim me Bashkimin Evropian lidhur me ndalimin e subvencioneve të pabalancuara që ofrohen për prodhimin e avionëve të mëdhenj civilë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të heqë sanksionet shtesë kur Bashkimi Evropian t’u japë fund këtyre subvencioneve të dëmshme”.