Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

Si po përshtatet biznesi me realitetin e ri në Hong Kong?

Kompanitë e huaja po përballen me një realitet të ri biznesi në Hong Kong. Ka një ndjesi në rritje pasigurie që po përfshin botën e korporatave atje, teksa firmat përballen me një panoramë politikash që nuk pushojnë së ndryshuari prej muajsh. Miliona qytetarë të Hong Kongut kanë marrë pjesë në protesta pro-demokracisë dhe kanë tërhequr zemërimin e shumë njerëzve në ‘kontinentin’ e Kinës. Vetëm këtë fundjavë me mijëra njerëz morën rrugët për të shënuar 5 vjetorin kur Kina ndaloi zgjedhjet demokratike.

Biznesi po numëron kostot që këto protesta kanë shkaktuar në reputacionin e Hong Kongut si një treg botëror financiar, por më shqetësues për kompanitë është ndikimi i Kinës në Hong Kong.

Cathaty Pacific siguron shembullin më të fortë se si hapat e gabuar të ndërhyrjes nga Pekini mund të dëmtojnë biznesin në vend.

Të veshur me të zeza duke mbajtur banderola me qindra protestues u mblodhën javën e kaluar për të mbështetur stafin e linjave ajrore të cilët humbën punën sepse mbështetën protestat. Shumë nga protestuesit janë të shqetësuar se mund të humbin punën vetëm se thonë apo mendojnë diçka që Pekini mund të mos e pëlqejë.

“Po bëhet gjithnjë e më shumë si në Kinë. Këto taktika përdoren nga vendet komuniste për të heshtur njerëzit. Si për shembull kolegë që spiunojnë njëri-tjetrin sepse thonë diçka që nuk i leverdis qeverisë. Ata mund ta raportojnë tek autoritetet dhe të pushojnë një pjesë të stafit pa asnjë arsye tjetër”, më tha një grua.

Nuk është një frikë imagjinare. Më herët gjatë këtij muaji shefi ekzekutiv i Cathay Pacific, Rupert Hogg dha dorëheqjen sepse ai tha që duhej të merrte përgjegjësinë që disa nga nëpunësit e tij iu bashkuan protestave duke zemëruar Pekinin. Por shumë spekulojnë se Hogg u detyrua të bënte atë veprim sepse kjo ishte ajo çfarë Kina donte.

“Nuk kam parë kurrë diçka të tillë. Ne duhet të ecim me një litar të ngushtuar tashmë. Asnjë kompani ndërkombëtare nuk është larguar akoma, nuk kam parë asnjë provë rrjedhje të jashtme kapitali, por kompanive do u duhet t’u thonë stafit të tyre të jenë më të kujdesshëm për atë që thonë ose bëjnë. Shembulli i Cathay Pacific ishte një paralajmërim nga Pekini”, tha një biznesmen në Hong Kong, i cili nuk donte të identifikohej.

Rritet presioni

Shumë në këtë qytet nuk e shohin veten si pjesë e Kinës. Ata vlerësojnë të qënurit i largët dhe veçmas. Një vend me dy sisteme do të thotë që rregullat kanë qenë gjithmonë ndryshe atje dhe kjo e ndihmoi Hong Kongun të lulëzojë. Por ndjesia tashmë është se ajo gjë po ndryshon.

Shumë nga industria financiare jetike për Hong Kongun hezitojnë të flasin se si po reagojnë ndaj ndryshimeve politike, me frikën se do të veçohen nga Kina. Por nganjëherë veprimet flasin më shumë se sa fjalët. Për shembull reklamat me faqe të plotë nëpër gazeta të cilat u nxorën nga banka si HSBC dhe Standart Chartered që dënonin aktet e dhunës në Hong Kong.

Analistët thonë që për kompanitë që bëjnë shumicën e të ardhurave në Kinë, është më e rëndësishme se kurrë që të shihen si mbështetëse të qëndrimit të Pekinit mbi protestat.

Kolapsi në transport

Tashmë ka edhe prova që disa biznese po përkulen nga presioni i Pekinit. MTR Corp drejton sistemin e metrosë në qytetin e Hong Kongut. Përdoret nga shumica e Hong Kong-ut dhe shihet si një shërbim transporti i klasës botërore.

Gjithashtu është rruga kryesore të cilën kanë ndjekur protestuesit për t’i rënë rreth e përqark qytetit përgjatë demonstratave të fundjavës. Kjo ka nxitur editoriale të ashpra nga mediet qeveritare siç janë People’s Daily dhe Global Times, të cilat kanë kryqëzuar MTR Corp për faktin se i ka lejuar të përdorin metronë.

Menjëherë pas kësaj kompania mbylli dy stacione në linjat e saj kryesore gjatë fundjavës në të cilën protestat po zhvilloheshin, një lëvizje e cila u pa gjerësisht si një përgjigje ndaj kërkesave të Kinës, gjë e cila u mohua. Ndërkohë MTR Corp nuk bën aq fitime në tregun kinez sa Cathay Pacific, por operon në disa linja dhe të ardhurat nga Kina për vitin 2018 u rritën me 44 për qind.

“Realiteti i hidhur është se kompanive do u duhet të përkulen si një dru bambuje dhe të bëjnë çfarë do Pekini nëse duan që të vazhdojnë të shërbejnë në tregun Kinez”, thotë Steve Vickers i cili drejton një konsullatë mbi rreziqet politike në Hong Kong.

Ai thotë se në të ardhmen firmat me bazë në Hong Kong do u duhet të punësojnë ndërlidhës me qeverinë siç kanë në Kinë, për të vëzhguar situatën politike.

“Në fund të kësaj, unë mendoj se do të shohim më shumë kontroll nga Pekini”, shtoi ai. /Gazeta Ekonomia/