Search

Si të debaton me një popullist?

Në shumë vende Perëndimore sot, ndasitë shoqërore dhe politike janë zgjeruar deri në atë pikë sa përpjekja për të vendosur një urë mes tyre duket e kotë. Megjithatë dikush mund të duhet të besojë se e njëjta gjë ndodhi në vitet 1960, një epokë së paku po kaq konfliktuale sa edhe kjo e sotmja. Megjithatë ndasitë atëhere në fund u kapërcyen, diferenca ishte lloji i diskutimit.

Në vitet 1960, kujtimet e tmerreve të Luftës së Dytë Botërore vijonin të qëndronin pezull mbi Evropë. Në Gjermani, rendi ende i dobët demokratik u trondit nga radikalizmi si nga e majta (komunistët) ashtu edhe nga e djathta (nacionalistët), gjë që u reflektua në sfidat e jashtme, të tilla si Lufta e Ftohtë dhe në presionet e brendshme, përfshirë recesionin e parë të pasluftës dhe papunësia në rritje.

Më 1968-në, protestat studentore shpërthyen në qytetet nëpër të gjithë Evropën, si dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke reflektuar kundërshti jo vetëm ndaj Luftës së Vietnamit, por edhe – dhe gjithnjë e më shumë – ndaj ‘estabilishmentit’si të tillë.

Pak a shumë si sot, njerëzit me këndvështrime të kundërta në vitet 1960 e kishin të vështirë të komunikonin me njëri-tjetrin. Megjithatë kishte një lloj qytetarie në debatin politik të asaj kohe që sot nuk gjendet asgjëkundi. Në atë kohë, së paku një pjesë e kuptonte se refuzimi për të ndërvepruar e përforcon qasjen ‘ne kundër atyre’ dhe ushqen radikalizmin.

Kini parasysh përballjen publike mes Ralf Dahrendorfit, një anëtar të Partisë së Lirë Demokratike dhe studentit të të majtës radikale Rudi Dutschke jashtë një konference të kësaj partie në Freiburg. Dutschke u përpoq ta ‘demaskonte’ Dahrendorfin – intelektualin e estabilishmentit liberal – si një person shfrytëzues dhe jodemokratik; Dahrendorf iu përgjigj duke thënë se retorika revolucionare e Dutschke ishte naive, më shumë ajër i nxehtë se sa thelb dhe në fund, ishte e rrezikshme. Sado që ata nuk ishin dakord në mënyrë dërrmuese, që të dy i dhanë njëri-tjetrit mundësinë për të dhënë argumentet e tyre mbi revolucionin, lirinë dhe demokracinë.

Kjo përqasje mund të shihet gjithashtu në lidhje me radikalët e krahut të djathtë, të tillë si Partia Nacional Demokratike e Gjermanisë, e krijuar nga disa grupime të krahut të djathtë më 1964. Më 1967, kjo parti po ecte përpara në elektorat. Kështu, në një debat publik sot gjerësisht të harruar por shumë tronditës, dy mijë njerëz u mblodhën në Universitetin e Hamburgut për të dëgjuar diskutimet në panel mbi ‘radikalizmin në një demokraci’.

Ai panel përfshinte udhëheqësin e kësaj partie Adolf von Thadden; botuesin e të përjavshmes liberale Die Zeit, Gerd Bucerius; shkrimtarin konservator Rudolf Krämer-Bodoni; avokatin dhe politikanin gjermano-lindor Friedrich Karl Kaul; dhe sërish, Dahrendorf. Diskutimi u moderua nga Fritz Bauer, një ish person në ekzil që pati shërbyer si prokuror në gjyqet mbi Aushvicin ne Frankfurt, të zhvilluara mes viteve 1963 dhe 1965.

Debati filloi me shpjegimin nga Thadden të ideve të tij politike, ku ofrohej një vlerësim pa kërkim ndjese për rolin e Gjermanisë në Luftën e Dytë Botërore si dhe me shpjegimin mbi rritjen e partisë së ekstremit të djathtë. Dahrendorf, një profesor i sociologjisë, pasoi me një analizë të anëtarësisë anëtarësisë së larmishme të kësaj partie të ekstremit të djathtë, e cila përfshinte nazistë të vjetër, njerëz të zhgënjyer në kërkim të identitetit dhe anti-modernistë oportunistë.

Dahrendorf pas kësaj deklaroi se, ndërsa ai e kuptonte se për çfarë gjërash ishte kundër Thadden opposed, ai nuk e kishte fare të qartë se çfarë mbështeste udhëheqësi i kësaj partie. A e mbështeste ai demokracinë? Më vonë, Bucerius e sfidoi në mënyrë më të drejtpërdrejtë Thadden, duke e pyetur nëse ai do ta kishte mbështetur grushin e shtetit kundër Adolf Hitlerit më 1944. Bauer ndërhyri se motra e Thadden kishte qenë një anëtare e rezistencës. Por vetë Thadden gjithsesi e shmangu dhënien e një përgjigjeje të drejtpërdrejtë, duke sugjeruar se ai nuk do të kishte luftuar krahas motrës së tij.

Gjithsesi, Dahrendorf këmbënguli se fati i kësaj partie duhej të vendosej nga votuesit dhe jo nga gjykatat, të cilat patën deklaruar që Partia Komuniste ishte ilegale. Kaul ritheksoi idenë e tij në një deklaratë pasionante (për të cilën pa dyshim kishte rënë dakord paraprakisht me udhëheqësit e Gjermanisë Lindore) mbi përjashtimin e komunistëve të Gjermanisë Perëndimore nga debati. Panelistët e tjerë ishin dakord. Dahrendorf tha se një demokraci liberale nuk mund të përjashtojë radikalët e njërit krah, ndërkohë që toleron radikalët e krahut tjetër.

Është e vështirë të imagjinohet sot që politikanët e rrymës kryesore dhe intelektualët publikë të angazhohen në një debat të tillë të thellë dhe në respekt të njëri-tjetrit me radikalët e ditëve tona, qofshin këta populistë, nacionalistë ekonomikë, euroskeptikë apo ndonjë gjë tjetër. Ata që janë në ekstremin e majtë dhe atë të djathtë nuk janë në biseda me njëri-tjetrin në kurrfarë mënyre. Secila palë pëlqen t’i predikojë audiencës së vet, të cilën e akseson përmes fluskave brenda medias shoqërore ku ka pak kërkesë për diskutim të sinqertë të këndvështrimeve të kundërta.

Shumë udhëheqës të estabilishmentit sot – të ashtuquajturit elitë që janë mbajtësit e flamujve të rendit demokratik liberal – duket se besojnë se rreziqet e ndërveprimit me figura radikale janë tepër të mëdha: më shumë ekspozim do të thotë më shumë legjitimim të tyre. Por ky këndvështrim në vetvete është me rrezik të lartë, së paku sepse kjo përkthehet në verbëri të vullnetshme ndaj ndryshimeve shoqërore që kanë ushqyer ideologjisë ektremiste – një përqasje që për shumë vetë është arrogante. Rikujtoni kandidaten e demokratëve të SHBA për presidente Hillary Clinton, e cila deklaroi se gjysma e mbështetësve të rivalit të saj Donald Trump ishin një ‘tufë mjeranësh’.

Nuk është mirë që t’i lësh mënjanë ekstremistët. Të lësh lëvizjet radikale të mbyllin vetë rrugëtimin e tyre, siç kanë sugjeruar disa, është njëkohësisht e pamatur dhe e rrezikshme, për shkak të sasisë së madhe të dëmit që ata mund të bëjnë para rrëzimit. Për të përmbushur përgjegjësinë e tyre si kujdestarë të të mirës publike, “elitat” kulturore dhe politike duhet të heqin dorë nga elitizmi dhe të gjejnë formatet dhe formulat që ndihmojnë në ndërveprimin konstruktiv mes grupeve të ndryshme, përfshirë – sado vështirë të duket – lëvizjet radikale dhe populiste.

Në debatin e Hamburgut, Dahrendorf me të drejtë shpalli se suksesi i ekstremistëve ishte një njësi matëse për dështimet e elitave demokratike. Njësoj si partia e ekstremit të djahtë të viteve 1960 edhe Alternativa për Gjermaninë (AfD), sot ia dedikon suksesin e saj në zgjedhjet federale të shtatorit të kaluar refuzimit të elitave politike, ekonomike dhe akademike të vendit për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive me publikun, aq më pak me ata që publiku i ka parë si të gatshëm për të trajtuar shqetësimet e tyre.

Mbrojtësit e demokracisë liberale duhet të debatojnë me populistët për të mos ndryshuar mendjet populiste, por për të bërë publikun të kuptojë se çfarë parimesh mbështesin dhe jo thjeshtë çfarë kundërshtojnë. Po, kjo do të thotë që populistëve do t’u jepet më shumë kohë televizive dhe rreziku është që këndvështrimet e tyre ekstremiste të normalizohen. Por kërcënimet e lidhura me një sferë publike të polarizuar në mënyrë agesive – një të tillë që ekstremistët kanë dëshmuar se dinë ta shfrytëzojnë – janë shumë më të mëdha. /Project Syndicate /Gazeta Ekonomia/

Autor: Helmut K. Anheier – Është president dhe profesor i Sociologjisë në Shkollën Hertie të Qeverisjes në Berlin.

Përgatitur dhe botuar ekskluzivisht nga Gazeta Ekonomia, me autorizim të Project Syndicate. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate.