Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

Sindikatat paralajmërojnë pasoja nëse nuk dalin pagat në muajin dhjetor sipas Ligjit të ri

Kryetarët e të tri sindikatave, asaj të SBASHK-ut, Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës si dhe Sindikatës së Policisë së Kosovës kanë zhvilluar takim me Avokatin e Popullit, ky takim është realizuar me qëllim të qartësimit të situatës në lidhje me Ligjin e Pagave.

Këto sindikata thanë se duke mos dashur që të ndikojnë në punën e Avokatit të Popullit, të njëjtin e kanë njoftuar se nëse pagat e muajit dhjetor nuk dalin sipas parashikimit me ligjin e ri atëherë pasojat janë të paparashikueshme, gjë të cilën thanë se nuk e dëshirojmë.

“Duke mos dashur që të ndikojmë në punën e Avokatit të Popullit të njëjtit ia kemi bërë me dije se nëse pagat e muajit Dhjetor nuk dalin me Ligj të ri atëherë pasojat janë të paparashikueshme, gjë të cilën nuk e dëshirojmë. Pra edhe njëherë për opinionin e gjerë publik po i rikujtojmë se nëse ky Ligj nuk hyn në fuqi i atakon rreth 60 mijë të punësuar në sektorin publik dhe mund të imagjinohet se çfarë pasoja sjell për ekonomitë e tyre familjare”, thuhet në njoftimin e sindikatave.

Kujtojmë se deputetët e legjislaturës së fundit të Kuvendit të Kosovës me 62 vota për, asnjë kundër dhe 1 abstenim, në muajin shkurt të këtij viti, kishin miratuar Ligjin për Pagat në sektorin publik.

Ligji pritet të rregullojë pagesën e të punësuarve që marrin rroga nga buxheti i shtetit, ku koeficienti më i lartë është 10 dhe më i ulëti është 1 dhe vlera monetare e koeficientit për vitin e parë do të jetë 239 euro.

Sipas afateve të parapara në Ligj, nga muaji dhjetor i këtij vitit, punëtorët e sektorit publik pritet të marrin pagat me rritje.