Search

Taksa prej 10 për qind do të rrit çmimet e produkteve kosovare

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala të martën i propozoi kabinetit qeveritar vendosjen e masës prej 10 për qind për disa produkte që prodhohen në këto dy shtete.

Kjo masë vendoset për qumështin dhe produktet e qumështit, uji, biskotat, materialet ndërtimore dhe lëngjet e prodhuara në këto dy vende.

Por, kjo masë përjashtohen produktet e markave ndërkombëtare që prodhohen në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë, dy shtete që ende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës.

Më marrjen e këtij vendimi, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se vendet kudo në botë që janë në armiqësi vendosen sanksione.

“Janë qindra miliona euro që i bënë Serbia në tregun kosovar, me paratë tona ata po i ndërmarrin veprimet që po i ndërrmarin”, tha Haradinaj.

Pas këtij vendimi sipas Haradinajt çdo mall që do të hy nga Serbia do të jetë i pakonkurrueshëm në tregun tonë.

Megjithatë profesori universitar i ekonomisë, Safet Mervoci, tha se uron që ky vendim i Qeverisë së Kosovës të jetë i mbështetur në një ekspertizë të mirë, sepse siç tha ai si vende ta CEFTA-së ka rregulla e përgjegjësi respektive.

Merovci këtë vendim e sheh si politik e populist duke shtuar se mund te jetë e drejtë në afat të shkurtër, por siç thotë ai nëse do te kemi rritje të çmimeve të këtyre produkteve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, tagrin do ta paguajmë qytetarët, jo politika.

“Zakonisht me masa të tilla mbrohen produktet vendore të caktuara, por nëse s’kemi shumë produkte të tilla, atëherë si masë veç sa do t’i rritë çmimet dhe kështu efekti zbehet ose edhe zhduket”, tha Merovci.

Ndërsa profesori universitar Nagip Skenderi, tha se këto masa tregojnë fuqinë politike që një qeveri ndërmerr ndaj shteteve tjera, qe nuk respektojnë sovranitetin politik dhe ekonomik te një vendi tjetër.

“Uroj qe kjo mase mos te jetë ‘e përkohshme’ deri në një ndërhyrje te bashkësisë ndërkombëtare e me pas te tërhiqemi, sepse kjo me tepër pastaj tregon një joseriozitet te institucioneve tona dhe se kjo do të duhej sjell efektet e veta, sidomos politike. Kur dihet fakti se Serbia nga Kosova brenda vitit merr qindra milionë euro nga eksportet e saj në Kosovë atëherë humbësja më e madhe në këtë rast do te ishte pikërisht vendi qe përfiton në këtë rast Serbia”, tha Skenderi.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Bashkimit Evropian, i cili i ka kërkuar autoriteteve të Kosovës që urgjentisht të shpjegojnë vendimin e tyre për të rritur tarifat me 10 për qind në importin e mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Zëdhënësja e BE-së Maja Koçijançiq, tha se ky vendim minon bashkëpunimin rajonal dhe nuk është në përputhje me parimet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe Kosovës.

“Këto vendime janë një shkelje e qartë e obligimeve të Kosovës në kuadër të CEFTA-së. BE pret nga Kosova, e cila aktualisht kryeson CEFTA për të përmbushur plotësisht obligimet e saj dhe të revokojë këtë masë”, tha Koçijançiq.

Në anën tjetër Klubi i Prodhueseve te Kosovës e përkrahu dhe e mirëpriti vendimin e Qeverisë së Kosovës që produkteve të importuara nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina t’iu vihet taksë prej 10 për qind.

Ky vendim sipas tyre do të mbrojë interesat e prodhimeve vendore dhe përbën një lehtësim për prodhuesit vendor.

Megjithëkëtë Merovci u shpreh se kapacitetet tona prodhuese në industrinë ushqimore kryesisht janë të pamjaftueshme që të plotësohen nevojat.

Ai tha se masat e taksave për disa vende do të ishin efektive nëse ndërrohet drejtimi i importeve nga këto dy vende në vende me kosto më të vogël.

“Druaj se kjo do të ndodhë”, shtoi ai.

Ekonomisti Merovci u shpreh se me vendimin e sotëm qeveria më në fund po tenton të ndikojë në ristrukturimin ekonomik, siç tha ai duke rritur investimet për kapacitete prodhuese dhe financimin e eksporteve të vendit.

“Jemi vend i rrallë në botë që s’kemi Agjenci për kreditimin e Eksporteve. Ulja e deficitit tregtar është domosdoshmëri”, tha Merovci.

Ndërsa profesor, Nagip Skenderi, tha se edhe pse këto masa në aspektin ekonomik vështirësojnë në një masë ekonominë tonë, ngase rrisin koston e mallrave te importuara, megjithatë siç thotë ai, shtegdaljen do te duhej qeveria ta gjej në masat proteksioniste ndaj bizneseve qe goditen në këtë rast, e të cilat masa do te aplikoheshin përmes lehtësimeve fiskale në importe dhe prodhime të caktuara, si dhe zbatimin e masave monetare duke ndihmuar drejt blerjes së makinerive, pajisjeve, lendes se parë, repromaterialit e deri tek produktet e gatshme duke u dhënë kredi te buta dhe favorizues.

“Tek e fundit, më mirë te dëshmohet një fuqi politike shtetërore se sa ekonomike në këtë rast, sepse kjo dëshmon se edhe vendi ynë mund t’u përgjigjet provokimeve dhe mosrespektit të të tjerëve, dhe se tash te mendojnë prodhuesit serb se taksat shtese sa do te ndikonin në një terren ekonomik qe pothuajse e kishin te sigurt dhe favorizues deri tani.”, tha Skenderi

Ndërkohë kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të përjashtojë prodhuesit shqiptarë nga taksimi prej 10 për qind për mallrat serbe.

“Pas Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për vendosjen e masave mbrojtëse ndaj produkteve që vijnë nga Serbia, kryetari i Komunës së Bujanocit, kërkon nga Kryeministri dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, përjashtimin nga këto masa të prodhueseve dhe produkteve që në Kosovë eksportohen nga Lugina e Preshevës.”, ka shkruar ai në profilin e tij zyrtar në Facebook.

Kosova përveç që ka importin e mallrave më të madh nga Serbia, këtë vit ka shënuar edhe ngritje të importit nga ky shtet.

Vlera e importit të mallrave nga Serbia nga janari i vitit 2018 deri më 15 tetor të këtij viti është rreth 360 milionë euro, kryesisht mallra të industrisë ushqimore dhe të materialit ndërtimor.

Ndërkaq, Kosova ka eksportuar mallra në këtë shtet në vlerë jo më shumë se 23 milionë euro. /RTV21/