Search

Themeluesja e ‘Kasperksky’: Bitcoin, krijim i shërbimeve inteligjente amerikane

Bashkëthemeluesja e kompanisë së sigurisë kibernetike ‘Kaspersky’, Natalya Kaspersky, ka deklaruar gjatë një prezantimi në universitetin ITMO në Shën Peterburg se Bitcoin, apo kriptovaluta që po trondit tregjet ndërkombëtare, është sajesë e shërbimeve inteligjente amerikane.

“Bitcoin është një projekt i agjencive amerikane të inteligjencës që u konceptua për të siguruar financime të shpejta për aktivitetet e shërbimeve inteligjente të SHBA, Britaninë së Madhe dhe Kanadasë në vende të ndryshme. Teknologjia është e ‘privatizuar’ njësoj si internet, GPS dhe TOR. Në fakt, është dollari në versionin e ri. Vlerësimi i saj kontrollohet nga poseduesit e exchange-ve”, citohet ajo nga ‘Sputnik’.

Sipas saj, edhe emri i themeluesit enigmatik të Bitcoin, Satoshi Nakamoto, është në fakt mbulim për një grup kriptografësh amerikanë.

Agjencia nuk sjell ndonjë të dhënë mbështetëse për këtë deklaratë të Kasperskayas, e cila është themeluese e një kompanie shumë të njohur, por që vitin e kaluar u godit nga agencitë dhe politika amerikane.

Kongresi amerikan kërkoi nga ushtria amerikane që të shmangë produktet e saj për sigurinë kibernetike, pasi dyshohet se Kaspersky në fakt është një agjencië që vepron në bashkëpunim me shërbimet inteligjente ruse. Po kështu, Kongresi e ka cilësuar penetrimin e saj në tregun amerikan si kërcënim për sigurinë kombëtare duke e cilësuar kompaninë si burim serioz shqetësimi.