Search

Tregjet financiare, parashikim pozitiv për 2017-në

Tregu i sigurimeve gjatë vitit 2016, bazuar në të dhënat zyrtare të dhjetë mujorit të ofruara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), ka pasur një rritje prej 8.1 për qind. Volumi i primeve të shkruara bruto u rrit me rreth 899 milionë lekë duke arritur shifrën në rreth 12 miliardë lekë. Tregu i sigurimit jo-jetë rezultoi më rritje të primeve të shkruara bruto në masën 8.75 për qind.

Volumi i primeve të shkruara bruto u rrit me rreth 903 milionë lekë duke arritur në rreth 11.2 miliardë lekë. Sigurimi jo-jetë vazhdon të dominojë tregun dhe zuri edhe peshën specifike më të madhe në tregun e sigurimeve në total më 93.02 për qind.

Tregu i sigurimit të jetës u tkurr disi gjatë 2016-së. Volumi i primeve të shkruara bruto në veprimtarinë e jetës kapi shifrën e rreth 736 milionë lekëve duke shënuar një ulje në masën 3.45 për qind krahasuar më një vit më parë, dhe zuri vetëm 6.13 për qind të volumit të primeve të shkruara bruto në total, nga 6.87 për qind që ishte një vit më parë.

Sipas AMF-së risitë e këtij viti në tregun e sigurimeve, lidhen me:
– Privatizimin e të vetmes shoqëri sigurimi më kapital tërësisht shtetëror miks jetë dhe jo-jetë, INSIG, nga ku shoqëria e jetës dhe jo-jetës do të ndahen dhe do fillojnë aktivitetin e tyre veças, në janar 2017;
– Hartimin e Projektligjit të ‘Sigurimit të Detyrueshëm’, i cili do të sjellë një manaxhim më të mirë të BSHS (Byrosë së Sigurimeve), Fondit të Kompensimit dhe rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj konsumatorëve, po ashtu, do të gjejë zbatim edhe sistemi Bonus/Malus në mbështetje të përcaktimit adekuat të primit të sigurimit më qëllim mbrojtjen e konsumatorëve; dhe
– Ndryshimet në Ligjin për ‘Veprimtarinë e Sigurimit’, ndryshime të cilat synojnë përmirësime cilësore të treguesve të performancës, sidomos të aftësisë paguese.

Për tregun e sigurimeve, gjatë këtij viti mbetet sfidë realizimi i mbikëqyrjes me fokus rrezikun dhe ndërtimi i profilit të rrezikut për gjithë shoqëritë e sigurimit. Përfundimi i projektit ‘First Insurance – Shqipëria Reforma e Tregut të Sigurimeve’ në bashkëpunim me Bankën Botërore, në mars 2017, do të konturojë punën në kuadër të reformave rregullative për tregun e sigurimeve në mbështetje të rezultateve të projektit.

Përveç sa më sipër AMF konsideron si sfidë të projektit edhe rritjen e peshës specifike të sigurimit vullnetar, përmirësimin e treguesve të performancës, përmirësimin e cilësisë së aktiviteteve siguruese, orientimin për një qeverisje më të mirë të shoqërive duke rritur standartet dhe cilësinë e burimeve njerëzore, etj.

Sa i takon tregut të Fondit të Pensioneve gjatë vitit të kaluar u miratua manuali i mbikëqyrjes më bazë rreziku, si dhe strategjia për zgjerimin e mbulimit në tregun e pensioneve private, e cila përmban objektivat dhe planet afatmesme të veprimit për rritjen e pjesëmarrjes në skemat private
të pensionit.

Tregu i pensioneve vazhdon të ketë ritme të larta të rritjes, megjithëse shfaqet modest në krahasim më dy tregjet e tjera që mbikëqyren nga AMF. Totali i aseteve neto arriti në 8.70 milionë euro në fund të 10 mujorit. Numri i anëtarëve në fondet e pensioneve ishte rreth 16,000 duke shënuar rritje prej 27 për qind krahasuar më fundin e vitit 2015.
Risi gjatë këtij viti është zgjerimi i këtij tregu edhe më një shoqëri administruese dhe një fond investimi të ri.

AMF gjatë vitit 2016 finalizoi edhe ndryshimet ligjore në Ligjin aktual për ‘Fondet e Pensionit Vullnetar’.

Ajo ka propozuar që të reflektohen këto ndryshime:
– Rritja e masës së përjashtuar nga tatimi, të kontributit të çdo anëtari në një fond pensioni, nga 200,000 lekë në 240,000 lekë; dhe
– Përjashtimi nga tatimi i të ardhurave nga pensioni, që do të përfitojnë anëtarët nga pjesëmarrja e tyrë në skemën private të pensionit vullnetar, nga i cili do të tatohet vetëm kthimi nga investimi.
Këto ndryshime janë kundërshtuar nga Ministria e Financave.

Sipas AMF-së sfidë në fushën e fondeve të pensioneve private vullnetare, do të jetë nxitja e zgjerimit të kolonës së tretë, reforma e kolonës së dytë, zbatimi i mbikëqyrjes më bazë rrezikun, edukimi i publikut, etj.

Ndërsa, tregu i Fondeve të Investimit në Shqipëri, i cili filloi aktivitetin në vitin 2012, është zgjeruar në masë të konsiderueshme krahasuar dhe më vendet e rajonit, duke u renditur si tregu i dytë më i madh pas tregut bankar në vend, më 69.76 miliardë lekë ose rreth 500 milionë euro asete. Po ashtu, edhe në krahasim më disa nga vendet e rajonit, pesha që zë ky treg apo edhe volumi i aseteve nën administrim janë konsiderueshëm më të larta. Kështu gjatë 2015 asetet neto të Produktit të Brendshëm Bruto ishin: Sllovakia me 7.24 për qind, Sllovenia me 5.89 për qind, Rumania me 6.61 për qind, Kroacia me 5.23 për qind, Shqiperia me 4.90 për qind, Greqia me 4.02 për qind dhe Bullgaria me 0.90 për qind. /Monitor